Ulqin – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka organizuar të hënën (17 mars 2025) në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit orë përkujtimore me rastin e vdekjes së shkrimtarit, gazetarit dhe aktivistit shoqëror Ibrahim Berjashi, i cili u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.
Në fjalën e rastit, njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Berjashit, piktori dhe përkthyesi Qazim Muja ka thënë se “shuarja e Ibrahimit është një humbje e madhe, një zbrazëti, tani konkrete, por plot përmbajtje, është humbje e një thesari që gjatë kohës së shkuar u zgjerua dhe u mbush me detaje, me gjurmë të pashlyeshme e të qarta për të gjithë ne, të shtresuara dhe të shtrira në rrathë koncentrikë, por dhe një humbje e madhe për gjithë kulturën kombëtare, ku kontributi i tij qe i jashtëzakonshëm”.
Sipas tij, veprat e Berjashit do të mbeten “të gdhendura” në segmentin e asaj që thuhet se – “nuk do të harrohen kurrë”.
“Shkëlqimi i yllit të shkrimtarit, poetit, gazetarit, Ibrahim Berjashi, nuk mund të zbehet, sepse ai shkëlqim mbetet në veprat e tij. Edhe pse i suksesshëm në shumë fusha të artit dhe kulturës, dhuntia e tij poetike foli më zëshëm prej tij. Ishte poeti i vendlindjes, ku nëpërmjet pulsimit të përditshëm të jetës, ai zbuloi bukuritë e saj universale. E bëri përmes poezisë së tij e cila tanimë është bërë një shenjë njohëse në poezinë tonë kombëtare, ndërsa emri i tij një emër i njohur në plejadën e poetëve kombëtarë të modernes letrare”, ka thënë Muja.
Kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se Ibrahim Berjashi kishte një dashuri të posaçme për këtë shoqatë.
“Ai i gëzohej çdo suksesi të ‘Art Club’-it, i dukej si rrita e një fëmije që e kishte krijuar vetë.
Që prej themelimit të ‘Art Club’-it, 35 vjet më parë, e deri në vdekje, ai ka dhënë një ndihmesë të madhe – fillimisht në përcaktimin e misionit të qartë të shoqatës sonë e më pas në organizimet e ndryshme letrare, kulturore e shkencore përgjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë Kallaba.
Ai ka thënë se Ibrahim Berjashi jetonte çdo ditë me poezinë dhe me kulturën dhe se ishin mësuar ta kishin në radhën e parë të karrigeve në aktivitetet e organizuara nga SHAI “Art Club”.
“Ibrahim Berjashi ishte plot energji krijuese. Deri në çastet e fundit të jetës, ai kishte nisma dhe mendonte për librin e radhës. Së bashku me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi po përgatisnim ribotimin e përmbledhjes ‘Floçka e liqenit’, një lektyrë shkollore që mungon në bibliotekat e shkollave shqipe në Malin e Zi”, ka thënë kryetari i “Art Club”-it, duke shtuar se me vdekjen e Berjashit kjo shoqatë humbi jo vetëm një anëtar të devotshëm, por edhe njërin prej nismëtarëve vizionarë në kohët e anatemimit të kulturës shqiptare në Malin e Zi.
Në emër të familjes, të pranishmëve iu është drejtuar djali i tij, Arben Berjashi.
Ai ka falënderuar të gjitha ata që e kujtojnë me nderim dhe që i ruajnë dhe i përcjellin më tej vlerat që Ibrahim Berjashi mbolli me aq pasion në Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
“Sot, ndërsa qëndrojmë së bashku për të nderuar kujtimin e babait tim, ndiej një përzierje emocionesh të forta, dhimbje për humbjen e tij të madhe, por edhe mirënjohje për jetën e tij të jashtëzakonshme dhe trashëgiminë që ai la pas. Unë jam krenar që pata fatin të quhem djali i tij. Nga ai mësova përkushtimin ndaj punës, dashurinë për fjalën e shkruar dhe rëndësinë e të qenit besnik ndaj vetes”, ka thënë Berjashi.
Ai ka thënë se të gjithë ata që kanë lexuar, dëgjuar e mbështetur babanë e tij kanë qenë një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tij.
“Babai im jetoi përmes fjalës, lajmit, gazetës, letërsisë, poezisë shqipe, dhe jam i bindur që ai do të vazhdojë të jetojë përmes tyre, në mendjen dhe zemrën e të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin. Le ta kujtojmë me mirënjohje gjithçka që ai na dhuroi”, është shprehur Arben Berjashi.
Ora përkujtimore ka filluar me një minutë heshtjeje, ndërsa gjatë saj është lexuar edhe mesazhi i ngushëllimit i shkrimtarit dhe gazetarit Ibrahim Kadriu, redaktor i kulturës dhe koleg i Berjashit në gazetën e dikurshme “Rilindja”.
Ibrahim Berjashi ka lindur në prill të vitit 1948 në Krajë. Aty e ka kryer shkollën fillore, Normalen në Ferizaj, ndërsa ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Si normalist, në vitin 1968, në revistën prestigjioze letrare “Jeta e Re”, të udhëhequr nga Esad Mekuli, botoi poezinë e parë. Po në atë kohë, u bë bashkëpunëtor shumë aktiv i emisionit javor shqip të Radio Titogradit, që redaktohej nga Gjergj Gjokaj. Pra, paralelisht, Berjashi nis e merret me letërsi e gazetari. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “KOHA”, që botohej në Titograd. Ka bashkëpunuar me të gjitha gazetat dhe revistat letrare në gjuhën shqipe në kohën e shtetit të përbashkët jugosllav. Dy vjet punoi në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krajë, për t’u punësuar në vitin 1973 në Radio Prishtinë. Ndërkohë, në fillim të janarit të vitit 1975 emërohet korrespondent i rregullt i së përditshmes “Rilindja” në Mal të Zi. Këtë detyrë e ushtroi deri më vitin 2002, kur kjo e përditshme në mënyrë arbitrare mbyllet përfundimisht. Ka qenë korrespondent i rregullt i gazetës “Bota sot”, i Radio Shkupit – Programi në gjuhën shqipe, bashkëpunëtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovalive”, si dhe i radiove të mërgimtarëve tanë në Australi dhe SHBA. Nga viti 2004 e deri në pensionimin e tij, më 2015, ka punuar në Televizionin Teuta në Ulqin. Në arkivin e këtij televizioni ruhen intervista, opinione, debate politike, komente, vështrime, reportazhe, dokumentarë televizivë, në mesin e të cilave ai për arbneshët e Zarës. Me shoqatën “Harmonia”, të cilën e ka drejtuar, ka organizuar disa edicione të festivalit të grave krijuese.
Ibrahim Berjashi ishte njëri prej themeluesve dhe kryetari i parë i SHAI “Art Club”. Në kohën kur ai e ka udhëhequr “Art Club”-in, ka nisur manifestimi letrar “Taverna poetike”, pararendës i manifestimit tradicional “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, njëri prej manifestimeve më prestigjioze në fushën e letërsisë në hapësirën shqiptare. Ai ka qenë kryeredaktor i revistës “Fati” dhe i gazetës për të përndjekurit nga Kosova “Shpresa”, që janë botuar nga “Art Club”-i. Me këtë shoqatë dhe anëtarët e saj ka organizuar simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, protesta. Berjashi ka lënë trashëgimi me dhjetëra vepra letrare, pjesa më e madhe të botuara me firmën e “Art Club”-it.
Ibrahim Berjashi vdiq të dielën në Ulqin dhe u varros po të njëjtën ditë në vendlindjen e tij, në Ostros të Krajës.
i. k.