Krijimtaria e tij të cilën e karakterizon një diapazon i gjerë i refleksioneve ideore-filozofike dhe figurative-estetike, dhe në të cilën projektohet marrëdhënia e tij ndaj dimensionit ekzistencial, shpirtëror dhe shqisor të mikro dhe makro kozmosit, në mënyrë më adekuate domosdoshmërisht bëhet shprehje e kredos së tij më të preferuar: “Jeta është art, arti është jetë”
Qazim Muja
Rudi Goga u lind në vitin 1948 në qytetin e Ulqinit. Është diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në klasën e akademikut Muslim Mulliqi, në vitin 1979. Ka kryer studimet pasuniversitare në Dyseldorf të Gjermanisë, me profesorët e njohur gjermanë, Rolf Sokenhajm (Sockhenheim) dhe Jozef Bojs (Joseph Beuys).
Ekspozitën e parë vetjake, të titulluar “Kulla e Ballshajve”, e hapi në Ulqin në vitin 1978, e cila më pastaj do të pasohej nga një numër i madh ekspozitash dhe aktivitetesh artistike, brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës artistike, Goga numëron rreth 65 ekspozita personale dhe po aq kolektive, jo vetëm në Ulqin dhe brenda kufijve të Malit të Zi, por edhe në Gjermani, Holandë, Francë, Nju-Jork, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri. Punimet e tij gjenden në galeri dhe koleksione private, në vende të ndryshme të Evropës, ku piktori ka ekspozuar. Ndërkohë Goga numëron edhe disa çmime, mes të cilave në vitin 1991 merr Çmimin Vjetor të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ulqin, në vitin 1995 shpërblimin kombëtar “Onufri”, Tiranë, në vitin 1998 shpërblimin e Shoqatës së Juristëve të Malit të Zi, Podgoricë.
Rudi Goga ishte njëri ndër themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe si vlerësim të meritave dhe veprës madhore që krijoi, në vitin 2014 “Art Club” botoi monografinë kushtuar krijimtarisë së begatë artistike të tij.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “764” të revistës Koha Javore