Arkitekti që kontribuoi në rindërtimin dhe zhvillimin e Ulqinit

Më 30 janar, në orët e pasditës, papritur ndërroi jetë arkitekti i njohur ulqinak Fuad Sylço Mavriqi.
Ai u lind në vitin 1957 në Sarajevë, ku përfundoi studimet në Fakultetin për Arkitekturë dhe Urbanizëm në vitin 1979. Pas tërmetit të vitit 1979 deri në fund të vitit 1984 punoi në Organizatën për Rindërtimin e Ulqinit. Prej vitit 1984 deri në fillim të vitit 1991 punoi në Entin për Shkencë dhe Kulturë, ku mori pjesë në revitalizimin e Kalasë si dhe të gjithë monumenteve kulturore-historike në Ulqin. Më pas punën e vazhdon në Fondin për Kulturë në Komunën e Ulqinit. Në vitin 2002 hapi studion e tij private të projektimit Archi Studio.
Arkitekti Fuad Mavriqi i ka bërë falas shumë punë për shëndetësinë e Ulqinit, siç janë për shembull projektimi i parkingut të Maternitetit dhe rregullimi i katit të parë të stacionit shëndetësor në Katërkollë. Gjithashtu jam në dijeni se i ka bërë falas edhe disa projekte për Bashkësinë Islame.
Fuad Mavriqi i takon familjes së vjetër ulqinake e cila ka dhënë disa intelektualë të njohur:
hafiz Hasan Mavriqi, Dr. Minir Mavriqi, Prim. Dr. Suad Mavriqi, si edhe babai i tij Sylçi.
Me punën e tij 30 vjeçare zë vendin e krijuesve të dalluar në rindërtimin dhe zhvillimin e Ulqinit, por edhe të Tivarit.
Largimi i tij nga jeta është humbje e pazëvendësueshme jo vetëm për familjen e tij të nderuar, por edhe për të gjithë vendin tonë.  Prim. Dr. Gani Karamanaga

Të fundit

më të lexuarat