
Në votimin e së dielës më 5 mars 2023, qytetarët me të drejtë vote që sipas regjistrit janë 12.387, do të kenë mundësi të votojnë për shtatë lista zgjedhore ku kryesoret janë dy: Koalicioni “Forumi Shqiptar”(ASH,LDSH,UNSH,LDnëMZ) dhe “Rrugës së drejtë”(PDS,UDSH,PB,SD), dy koalicionet tjera (PD, Forca) dhe Lista për Tuzin dhe PSD, si dhe tre parti politike (PPS,PDP,DMZ) do të përpiqen për të kaluar pragun elektoral për të qenë pjesë e skenës politike lokale.
Qytetarët e Malësisë të cilët kanë të drejt vote do të dijnë të bëjnë dallimin për këto katër vite, sepse gjatë këtij mandati Forumi Shqiptar në qeverisje lokale ka dëshmuar angazhim maksimal në arritjen e objektivave, duke marrë parasysh se ka trashëguar një strukturë të papërshtashme në shumë drejtime. Nëse e krahasojmë me kohën e shkuar kur në pushtet ishte PDS, dallimet janë të mëdha, sepse Malësia i ngjasonte vetëm bashkësive lokale, sepse pushteti qendror ndaj kësaj krahine kishte qasje injoruese që dëshmohet me mosinvestime në infrastrukturë e gjetiu, dekada me radhë. Nuk ka si të ishte ndryshe, sepse pushtetit i interesonin votat nga Malësia për të udhëhequr në Podgoricë e jo investime për mirëqenien e popullsisë në këtë mjedis.
Të arriturat nuk mund të mohohen
Të gjithë ata që dyshuan në pamundësinë e funksionimit të komunës së pavarur mbetën të zhgënjyer, sepse qeverisja lokale në Tuz i demantoi në çdo aspekt. E dhëna se për katër vite buxheti i komunës është rritur për 512%, duke ndryshuar infrastukturën rrugore, hapja e fabrikave, ndërsa mbeshtetja e bujqësisë është rritur për 2.735% në raport me vitin 2019, dëshmon arsyeshmërinë e komunës së pavarur. Po ashtu janë mbeshtetur veprimtaritë arsimore, kulturore, turistike e sportive, ku duhet veçuar KF ”Deçiqi” etj.
Nuk ka dilemë se gjatë veprimtarisë së pushtetit lokal janë treguar edhe dobësi të ndryshme, por ato nuk mund të eliminojnë të arriturat, që janë dëshmi dhe arsyeshmëri e ekzistimit të komunës së pavarur. Madje funksionimi i pushtetit lokal në këtë mandat ka befasuar edhe ata të cilët kanë dyshuar ne menaxhimin dhe funksionimin e komunës së pavarur, sepse të tillët kanë qenë të mësuar të jenë në kuadër të Podgoricës, duke dëshmuar paftësi profesionale dhe servilizëm shoqëror, për të punuar për të tjerët e jo për vetën, përkatësisht Malësinë. Nuk ka dilemë se dallimet janë të dukshme dhe çdo qytetarë në Malësi e di se te mbeshtetja e PDS në të kaluarën ishte kohë e humbur, sepse ata janë shkaktarët e moszhvillimit dekada me radhë dhe emigrimit të shqiptarëve në botën e jashtme, andaj askush nuk dëshiron rikthim pas si para vitit 2019.
Dështimi i Ulqinit, mësim për Malësinë
Zgjedhjet lokale paraqesin rastin praktik për partitë politike në organizimin dhe manaxhimin e fushatës para dhe paszgjedhore. Në këtë aspekt para zgjedhjeve mË 3 mars 2019 në Malësi, subjektet politike patën mundësi të mësojnë nga Ulqini, përkatësisht nga zgjedhjet e mbajtura aty më 4 shkurt 2018. Ndonëse shqiptarët në këtë komunë përmes tri partive nacionale politike arritën të marrin shumicën parlamentare lokale me 18 këshilltarë (Forca 8, PD 7 dhe UDSH 3) ata zhgënjyen, sepse nuk arritën kompromis pas zgjedhjeve për formimin e pushtetit lokal, por ia dhuruan pushtetin PDS-së, duke zgjedhur kryetarin e Komunës së Ulqinit nga radhët e tyre. Ky veprim disfatist, dëshmoi se në rënd të parë ishin interesat personale të klaneve të ndryshme në lidhje me pushtetin qendror e jo parimet demokratike.
Por, një dështim i tillë i partive politike shqiptare në Ulqin, ishte mësim për të njëjtat në Malësi duke dëshmuar se të urtit mësojnë nga gabimet e të tjerëve. Pikërisht me qasje racionale, partitë shqiptare në Malësi për zgjedhjet e 3 marsit 2019 arritën koalicion parazgjedhor me emërtimin “Forumi Shqiptar”, për të votuar për vehten, se mjaft kanë votuar për të tjerët, duke dëshmuar ndërgjegje politike e kombëtare.
Bashkimi siguroi fitoren
Dita e votimit më 3 mars 2019 ishte ditë historike për Malësinë, sepse për herë të parë pas 62 viteve votohej për komunë të pavarur, andaj nuk ishte befasi interesimi i madh i mediave nga hapësira shqiptare dhe më gjerë, duke qenë lajmi kryesor i ditës.
Këtij konstatimi duhet shtuar edhe ardhja e diasporës shqiptare nga Malësia për të marrë pjesë në votim, të cilët i dhanë një peshë të veçantë kombëtare duke moblizuar votuesit për të dalë në zgjedhje, kryesisht mbeshtetësit e “Forumit Shqiptar”. Ishte kjo një sakrificë e tyre duke udhëtuar me mijëra kilometra për të mbeshtetur vendlindjen dhe identitetin kombëtar në këtë kohë të krizës morale.
Në regjistrin zgjedhor ishin 11.904 votues, që kanë pasur mundësi të votojnë në 30 vendvotime për të zgjedhur 32 këshilltarë, ndërsa në zgjedhje kanë marrë pjesë 6 lista zgjedhore, nga to 5 parti politike (PDS,SD,PSP,PB,DMZ) e 1 koalicion (Forumi Shqiptar). Sipas rezultateve zyrtare të shpallura nga KZK i Komunës së Tuzit del së në votim kanë marrë pjesë 7.824 qytetarë apo 65.7%, ndërsa sipas subjekteve politike “Forumi Shqiptar”(ASH-LDSH-UDSH) fitoi 3.683 vota apo 16 mandate këshilltarësh, PDS 2.490 vota apo 10 mandate, PB 961 vota APO 4 mandate, SD 361 vota APO 1 mandat dhe DMZ 235 vota dhe 1 mandat, ndërsa PSP 86 vota pa mandat.
Ndonëse “Forumi Shqiptar” ishte fitues i zgjedhjeve, për të marrë shumicën parlamentare i duhej vetëm 1 mandat I këshilltarit. Nga ana tjetër humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte PDS, sepse humbi 4 këshilltarË nga zgjedhjet e fundit në vitin 2017, duke kaluar në opozitë në pushtetin e ri lokal në Tuz.
Një votë vendosi mandatin e këshilltarit
Në zgjedhjet politike jo rrallë ndodhin momente të veçanta e kjo ka të bëjë sidomos me rastin e numërimit të votave dhe ndarjes së mandateve. Madje nga përvoja e deritashme dihet se ka pasur jo vetëm numërime, por edhe rinumërime e madje edhe përsëritje të votave në vendvotime që kanë ndikuar në rezultain definitiv të zgjedhjeve. Pikërisht kësaj here në KZK në Tuz dy ditë pas zgjedhjeve ndodhi rinumërimi i votave, me të vetmin qëllim për të vërtetuar votat për Demokratët e Mali të Zi, sepse ata ishin me mundësi reale për të humbur mandatin e këshilltarit, e në pyetje ishte vetëm një votë. Por edhe pse u bë rinumërimi nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse 235 vota ishin në kufirin e 3% dhe mandati për Demokratët e Mali të Zi ishte i vulosur. Por, po të ndodhte diçka e tillë atëhërë PDS do të kishte një mandat me tepër, ku do të kishim një situatë aspak të përshtatshme, sepse “Forumi Shqiptar” në njërën anë do kishte 16 mandate e të gjithë të tjerët së bashku me PDS do kishin po aq mandate – 16, që do të ishte moment i veçantë dhe i diskutueshëm për formimin e pushtetit lokal në Tuz.
Malësia të udhëheqet nga malësorët
Raste të tilla ndodhin por shumë rrallë, andaj në zgjedhjet e 5 marsit jemi të bindur se subjektet politike pjesëmarrëse kanë një përvojë më shumë dhe do të bëjnë llogaritë elektorale. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse përvoja e kaluar duhet të jetë mësim për të tashmën dhe të ardhmën. Malësia duhet të udhëhiqet nga malësorët, sepse janë në shtëpinë dhe në tokën e tyre, ndërsa mbeshtetja e diasporës në këto zgjedhje është obligim jo vetëm moral ndaj tyre.
Pas zgjedhjeve me emrin Malësia
Në fund uroj që parlamenti lokal i përbërjës së re të inicojë propozimin dhe të marrë vendimin që komuna të quhet me emrin Malësia, qe është vlerë autentike kombëtare dhe e pranueshme për të gjithë qytetarët e saj. Do të ishte ky testi i parë demokratik në nivel lokal dhe qendror, duke dëshmuar kapacitet demokratik sipas standardeve ndërkombëtare.