
Bazuar në pozitën e vet gjeografike dhe zhvillimin historik dhe qytetërues, Ballkani paraqet kërthizën dhe djepin e Evropës, një derë të madhe ndaj Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut të Evropës. Kështu, pra, për Ballkanin me të drejtë flitet si “hallkë botërore“, urë dhe kufi i takimeve dhe qytetërimeve të ndryshme, si njëfarë “kryqëzimi apo nyje gjeopolitike“.
Ballkani në kuptimin gjeokulturor është hapësirë në të cilën takohen dhe kryqëzohen harqet e civilizimit të religjioneve më të mëdha botërore (katolike, ortodokse dhe islame). Në kuptimin etnografik është zonë e “koktejit etnik“, në pikëpamje të trafikut – është urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Veriut e Jugut. Në kuptimin politiko-historik dhe sociologjik është një hapësirë e flaktë e ndarjeve të popujve dhe shteteve, ballkanizimit, konflikteve, migracioneve, tranzicioneve të përhershme dhe dyndjeve të popujve. Po ashtu hapësira ballkanike vuan nga “historia e tepërt“, e cila përsëritet tragjikisht.
Në “Enciklopedinë e ish-Jugosllavisë“ (1985) Ballkani përkufizohet si “hapësirë e Evropës Juglindore, ndërmjet Detit të Zi, Detit Marmara, Detit Egje, Jonit dhe Adriatikut, çka do të thotë se kufirin e tij verior e përbën vija e tërhequr nga gjiri i Triestes deri te Deti i Zi, d.m.th. prej Triestes deri në Odesa“.
Mu për këtë arsye të pozitës antropogjeografike të Ballkanit, disa mendimtarë kanë konstatuar se është “ndërtuar shtëpia midis rrugës“. Në këtë kuptim, Ballkani paraqet derën dhe pragun e Evropës, fortesën e saj, por edhe urën përmes së cilës dhe në të cilën janë konfrontuar qytetërimet e ndryshme dhe formacionet ushtarake të fuqive të mëdha në marshimet dhe ekspeditat e tyre për pushtimin e botës.
Një pozitë e tillë gjeografike e Ballkanit, me pasuri të llojllojshme të xeheve dhe përbërja e përzier etnike, kanë ngacmuar luftëra dhe intervenime luftarake, si dhe ndërhyrjen e përhershme të Fuqive të Mëdha.
Andaj, e ashtuquajtura “Çështja e Lindjes“ është mbajtur si e hapur për një kohë të gjatë, ndërsa Ballkani është prezantuar si “vilajet i errët“ i konflikteve dhe i urrejtjeve si “fuçi baruti“.
Në qoftë se bëhet një vështrim i shkurtër i historisë bashkëkohore të Ballkanit, do të vërehet se pikërisht në këtë hapësirë është luftuar më së shumti në shekullin XX dhe se janë bërë gjenocidet më të mëdha në dy luftërat botërore, por edhe në historinë më të re, në veçanti në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Në këtë aspekt, shprehjet “Ballkan“, “ballkanik“, “ballkanizim“ janë përdorur si theksim i përqeshjes, talljes dhe ironizimit për zonat më të rrezikuara, në të cilat dominojnë dhuna dhe kaosi, ndarjet dhe konfliktet.
Hulumtuesit kur flasin për “Homo-ballkanikusin“ dhe “ballkanizimin“ nënkuptojnë primitivizmin, një të keqe, hapësirën e urrejtjeve, shtete dhe popuj të ngatërruar ndërmjet vetes, në konfliktet e të cilëve gjithmonë ndërhyjnë të mëdhenjtë dhe të fuqishmit, të cilët, për interesat e tyre gjeostrategjike i ndajnë dhe i konfrontojnë ata edhe më tepër në mes veti.
Fatkeqësisht, një seri procesesh lidhur me progresin teknologjik-shkencor dhe të modernizmit të botës në shekullin XX dhe në fillim të shekullit XXI, të cilat e kanë ndërruar fizionominë ekonomiko-politike të Ballkanit, ende nuk e kanë ndërruar dukshëm shpirtin e tij, d.m.th. psikologjinë kolektive të popujve ballkanikë.
Për këtë tregon edhe fakti se popujt ballkanikë nuk shfaqin interesimin e duhur për bashkëpunim dhe integrim. Për shembull, në fushën e tregtisë se jashtme, partnerët e tyre për bashkëpunim më shpesh janë popujt e tjerë sesa ato fqinjë. Kjo, ndër të tjera, flet mbi paragjykime të fuqishme dhe ngarkesat nga koha e kaluar historike, të cilat akoma janë të pranishme në psikologjinë e popujve ballkanikë.
Në Ballkan, si hapësirë e “koktejit etnik“, gjatë historisë së mëparshme por edhe në kohën bashkëkohore, bashkekzistojnë por edhe konfrontohen, qytetërime dhe kultura të ndryshme, duke e ilustruar në këtë mënyrë tezën e mendimtarit të njohur Huntington, mbi të ashtuquajturin konflikt të identitetit, i cili sipas vlerësimeve të tij do të vijë veçanërisht në shprehje në shekullin XXI, në hapësirën e ashtuquajtur “kufij politikë të papërsosur“. Në Ballkan, në fund të shekullit XX, një pjesë e popujve ballkanikë përsëri u konfrontuan. Nxitës, shkaktarë dhe intermediatorë i përleshjeve në fjalë ka qenë, kryesisht, udhëheqja politike e Serbisë. Ndërkaq, në anën tjetër, në këto konflikte ballkanike interesin e vet e kanë shprehur dhe manifestuar Fuqitë e Mëdha dhe forcat e tjera botërore. Në këtë pikëpamje, në përgjithësi mund të flitet për tri koncepte gjeopolitike dhe gjeostrategjike të sferave të interesit:
1) Koncepti euroatlantik i forcave të rendit të ri botëror në krye me SHBA-në;
2) Koncepti eurocentrik, i mishëruar në interesin e megakapitalit të Bashkimit Evropian; dhe
3) Koncepti euroaziatik, i cili profilohet dhe artikulohet ngadalë, por si tendencë ekziston.
Të gjitha këto tendenca gjeopolitike dhe gjeostrategjike konfrontohen në hapësirën ballkanike. Megjithëse kanë aktorë të llojllojshëm dhe manifestohen në mënyra të ndryshme, analiza kritike e këtyre tendencave, në prapavijën e vet ideologjike dhe politike mund të zbulojë konfliktin ndërmjet qendrës dhe periferisë, të të fortëve dhe të dobtëve, të pasurve dhe të varfërve – rreth lëndëve të para, rreth rrugëve dhe trafikut, me fjalë të tjera rreth hapësirës dhe burimeve, në funksion të ndarjes së re të fuqisë shoqërore, ekonomike dhe politike në botën bashkëkohore dhe synimeve për dominim planetar.
Dhe më në fund, duhet të themi se rajoni ballkanik, të cilin e përbën shumica e shteteve ekonomikisht më të varfra, politikisht më të paqëndrueshme në Evropë, në pikëpamje sociologjike paraqet periferinë evropiane, pjesën integrale të shoqërive të varura të jugut evropian dhe botëror. Shumica e shteteve të këtij rajoni për një kohë mjaft të gjatë gjendet në procesin e tranzicionit. Disa prej këtyre shteteve kanë qenë të preokupuara me konflikte etnike dhe polarizime politike, me luftë ose me sanksione ndërkombëtare.
Politika shtetërore aktuale e Serbisë, akoma nuk është spastruar nga politika e vjetër nacionaliste serbe për formimin e “Serbisë së Madhe” në dëm të popujve të tjerë, në veçanti të shqiptarëve në Kosovë, çka paraqet rrezik për stabilitet dhe paqe rajonale.
Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 118 shtete të botës, ndër to edhe nga fuqitë e mëdha, si: SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Turqia etj.
Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, shtetet e sapokrijuara të ish-Jugosllavisë e njohën njëra-tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane. Kosova është njohur nga Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e kanë njohur ende.
Ndërkaq ardhmëria e Ballkanit nuk qëndron në konflikte, as në politikën hegjemoniste dhe të dominimit të një populli ndaj të tjerëve, por në një bashkëpunim aktiv, demokratik dhe të barabartë të popujve ballkanikë dhe shteteve të tyre si dhe në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Për më tepër, Serbia dhe Kosova avokojnë për integrimin evropian, por BE-ja ka vendosur kritere për pranimin e anëtarëve të rinj në radhët e saj. Përveç sundimit të ligjit, zhvillimit të demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare, BE-ja kërkon dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në këtë drejtim prej kohësh është vendosur një dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me ndihmën dhe ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së, i cili duhet të rezultojë me një marrëveshje të detyrueshme juridike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që nënkupton edhe njohjen e tyre reciproke. Mirëpo, sikurse është e njohur, një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur meqenëse ajo po pengohet apo refuzohet nga Serbia në mënyra të ndryshme. Andaj, Serbia ishte dhe mbetet një vend i rrezikshëm dezintegrues në Ballkan, me mbështetjen e partnerit të saj politik Rusisë.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave
dhe Arteve të Duklës)
