Për të 31-tin vit radhazi u organizua Java e Karnavaleve në Malësi.
Organizata Joqeveritare “Karnevali-Koret” përgatiti një program disaditor që përfshiu “Ballo nën maska”, “Karnavalin për fëmijë”, “Natën e saragave dhe verës”, si dhe natën finale me djegien e “shtrigës” dhe program muzikor, me praninë e mysafirëve nga vendi dhe rajoni.
Kryetari i Shoqatës, Arton Gjokaj, për gazetën “Koha javore” shprehet se duke pasur parasysh që ky aktivitet organizohet dhe realizohet për më se tri dekada me radhë, ndër vite ai ka pësuar disa ndryshime.
“Ato janë të dukshme, si në vetë përmbajtjen dhe programin e karnavaleve, por edhe në maskat e grupeve pjesëmarrëse. Së pari, për sa i përket organizimit dhe përmbajtjes, ndër vite programi i karnavaleve herë pas here është zgjeruar dhe përmbushur me programe zbavitëse. Sot karnavali është shndërruar në ‘Javën e Karnavaleve’ dhe numëron pesë evenimente”, pohon ai.
Një ndryshim tjetër, sipas tij, ka të bëjë me vetë maskat e grupeve pjesëmarrëse.
“Vetë emri ‘kore’, në dialektin lokal në gegërisht, do të thotë ‘përbindësh’ dhe në vitet në fillim, në karnaval dominonin pikërisht maskat e tilla, që i maskuari të duket i tillë që mos ta njohësh se kush është. Më pas, në vitet e para të mileniumit të ri, filluan maskat alegorike, si ‘Barka e Nojës’, ‘Titanic-u’, ‘Colosseo’, ‘Kali i Trojës’, ‘Matador’ e kështu me radhë, maska këto që e rënditën Tuzin në Federatën Evropiane të qyteteve evropiane”, thekson Gjokaj.
Ai potencon se aktualisht në këtë karnaval dominojnë maskat moderne, që lidhen më shumë me kohën në të cilën jetojmë.
Një ndryshim tjetër, sipas Gjokajt, mund të quhet edhe ndërkombëtarizimi i këtij manifestimi, pasi në fillimet e tij karnavali ishte një aktivitet lokal, me financa shumë të kufizuara.
“Por nën udhëheqjen e atyre entuziastëve, sot gëzojmë një karnaval dhe një manifestim tradicional dhe ndërkombëtar. Në lidhje me këtë, vlen të përmendet 30-vjetori i karnavaleve, që u organizua vitin e kaluar, ku morën pjesë mbi 750 pjesëmarrës nga Malësia, nga qytetet bregdetare të Malit të Zi, nga Shqipëria, Kroacia, Bullgaria dhe Serbia”, thotë ai.
Sipas kryetarit të Shoqatës “Karnevali-Koret”, sot ky aktivitet është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore për Malësinë, duke tërhequr një numër më të madh pjesëmarrësish, vizitorësh dhe mbështetësish.
Se si kanë ndikuar këto karnavale te komuniteti dhe ruajtja e traditave vendëse, Gjokaj tregon se karnavali ka shërbyer si një platformë ku janë shprehur aftësitë e aktrimit, vizatimit, skulpturës, punimeve artizanale, paraqitjeve në skenë dhe artit në përgjithësi.
“Karnavali ka rol të rëndësishëm edhe në aspektin shoqëror dhe social, pasi përveç grumbullimit dhe bashkimit të të rinjve dhe fëmijëve nga Malësia, përmes karnavalit, grupet nga vendi ynë kanë marrë pjesë në karnavale në Shqipëri, Kosovë, Kroaci, Maqedoni, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi etj. Përmes maskave dhe performancave, janë trajtuar tema të ndryshme shoqërore dhe kulturore, por gjithmonë në mënyrë kreative dhe me humor”, shprehet Gjokaj.
Ai më tej thekson se veprimtaria në fjalë ka ndihmuar në përcjelljen e traditës te gjeneratat e reja, duke siguruar vazhdimësinë e tij, pa ndërprerë.
Duke folur nëse kjo shoqatë dhe kjo veprimtari gëzon mbështetjen financiare institucionale, Gjokaj thotë se që nga themelimi i saj, në fund të viteve të 90-ta, Shoqata funksionon kryesisht në bazë të donacioneve.
“Në fillim, ky manifestim është realizuar falë donacioneve të shumta nga diaspora jonë, kryesisht në SHBA dhe Kaliforni. Madje edhe në kohë të vështira ekonomike, gjatë krizave financiare, karnavali është mbështetur gjithmonë, qoftë nga individët, dashamirët e karnavaleve në diasporë, qoftë edhe nga shoqatat humanitare. Shoqata është përkrahur financiarisht dhe materialisht edhe nga afaristë lokalë nga Malësia”, shprehet Gjokaj, duke shtuar se sipas mundësisë së tyre kanë ndihmuar edhe Komuna Urbane e Tuzit dhe ajo e pavarur.
“Karnavali ‘Koret’ është pjesë edhe e planit strategjik zhvillimor të komunës së Tuzit, dhe besoj se në të ardhmen ky manifestim do të përkrahet edhe më shumë nga institucionet publike të Komunës, duke qenë se paraqet një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe tradicionale për komunën tonë, të përmbushur me kreativitet, e cila ka potencial të shndërrohet edhe në një ‘produkt’ turistik, që të grumbullojë shikues dhe vizitorë nga vendet e rajonit”, thotë Gjokaj.
Ndërkaq, se si e shikon të ardhmen e karnavaleve dhe cila është sfida më e madhe me të cilën përballen, Gjokaj thotë se qëllimi i tyre është ta ruajnë autenticitetin e tij dhe njëkohësisht ta pasurojnë atë me ide të reja, duke përfshirë më shumë të rinj dhe duke rritur nivelin e organizimit.
“Sfida më e madhe mbetet sigurimi i mbështetjes së qëndrueshme financiare dhe motivimi i vazhdueshëm i të rinjve pasi ky është një aktivitet që kërkon shumë përkushtim. Qëllimi ynë është që ky manifestim të gjejë mbështetje të plotë institucionale nga institucionet përkatëse, si sektori për kulturë apo Organizata Turistike, me qëllim që manifestimi ‘Karnavali-Koret’ të bëhet një ngjarje edhe më e madhe ndërkombëtare, përmes së cilës mund të promovohet qyteti i Tuzit dhe pasuritë e tij”, shprehet kryetari i OJQ “Karnevali-Koret”, Arton Gjokaj.
Në fund të kësaj bisede, Gjokaj shprehu besimin dhe bindjen se përkushtimi i komunitetit dhe dashuria për traditën jep shpresë që kjo ngjarje do të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera.
Organizata Joqeveritare “Karnevali-Koret” është anëtare e plotë e Shoqatës së Karnavaleve në Shoqatën Evropiane të Qyteteve të Karnavaleve (FECC).
t. u.
