Ulqini nuk është në shitje

Ulqin – Organizatorët dhe të gjithë folësit në protestën e organizuar të shtunën (22 mars 2025) kundër tenderit për dhënien me qira të plazheve në bregdetin e Ulqinit kanë deklaruar pothuajse njëzëri se “Ulqini nuk është në shitje”.
Protesta e tretë me radhë është organizuar nga Shoqata e Qiramarrësve të Plazheve, Shoqata e Restoranteve në Adë-Bunë, Organizata Joveritare “Ada Bojana” për të shprehur pakënaqësinë ndaj tenderit dhe veprimeve të Qeverisë së Malit të Zi, ndërsa ajo është mbështetur nga qeverisja lokale në Ulqin.
Organizatorët e protestës kërkojnë anulimin e tenderit, i cili, sipas tyre, ka qenë jotransparent, i padrejtë dhe diskriminues.
“Me zvogëlimin e pikëve të qiramarrësve të mëparshëm në minimum dhe rritjen e çmimeve fillestare për 300 për qind, ne jemi diskriminuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Nuk janë marrë parasysh investimet tona gjatë tërë këtyre viteve, fakti që nga një mjedis i parregulluar kemi krijuar produktin më të mirë turistik që komuna jonë mund të ofrojë”, ka thënë përfaqësuesi i Shoqatës së Qiramarrësve të Plazheve, Albert Kastrati.
Sipas tij, përmes procedurës jotransparente të mbledhjes së ofertave dhe shtyrjes për një javë të afatit për dorëzimin e dokumenteve është favorizuar ofertuesi nga jashtë e jo ata si qiramarrës të vjetër dhe të përgjegjshëm të plazheve.
“Sot jemi tubuar që të ngrejmë zërin kundër vendimeve të tilla të njëanshme dhe të gabuara. Ulqini nuk është në shitje”, ka porositur Kastrati.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka thënë se ky qytet është sot më i bashkuar se çdokush.
“E kemi filluar si betejë për drejtësi me ‘Të Mirat Detare’, për të bërë sigurinë e duhur ekonomike për jetesë, por për një kohë të shkurtër është shëndrruar në një betejë dhe pakënaqësi e të gjithë komunitetit tonë ndaj qëndrimit që ka Podgorica ndaj Ulqinit”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka pohuar se Ulqini nuk do të heshtë dhe se nuk është në shitje.
“Kemi heshtur shumë për Galeb, por nuk kemi heshtur për Kripore, nuk kemi heshtur për Valdanos dhe ato beteja i kemi fituar. Në të ardhmen ju siguroj që edhe këtë betejë do ta fitojmë dhe do të ecim përpara”, ka përsëritur ai, duke shtuar se në këtë betejë nuk janë vetëm, sepse kanë përkrahjen e të gjitha komunave bregdetare në Malin e Zi.
Protestën e ka mbështetur edhe kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq.
“Sot kjo është beteja për Ulqinin, nesër do të jetë për Tivarin, kurse nga e hëna është betejë për të gjithë bregdetin malazez. Jam sot këtu për të mbështetur nikoqirët punëtorë, hotelierët e respektuar, njerëzit që kanë krijuar një produkt unik turistik për shumë vite dhe për të kundërshtuar përpjekjen e gjorë për t’i karakterizuar pikërisht këta njerëz si kriminelë”, ka thënë ai.
Në fund të protestës, qytetarët kanë firmosur peticionin përmes të cilit kërkohet, mes tjerash, anulimi i tenderit për qiradhënie.
Në protestë ka marrë pjesë edhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, deputetët nga Ulqini në Kuvendin e Malit të Zi, përfaqësues të pushtetit lokal, partive politike, sektorit joqeveritar etj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat