“Udha e dijes” nëpër Çakorr

Hajrullah Hajdari

Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar. Filloi hapja e shkollave katërklasëshe e pastaj edhe atyre shtatë e tetëklasëshe në gjuhën shqipe. Shpresat e shqiptarëve në Mal të Zi, të etur për arsimim në gjuhën amtare, thuajse po bëheshin realitet. Por, mungonin mësuesit e kualifikuar, mungonin librat e literatura në gjuhën shqipe.

  • Dituria e devijuar është më e rrezikshme se padituria
    Shkolla të mesme në gjuhën shqipe nuk kishte. Ekzistonte shkolla normale në Nikshiq, por në gjuhën sllave. Atje nxënësit nuk do të mësonin letërsinë apo historinë shqipe, për identitetin kombëtar shqiptar as që mund të mendohej. Baballarët tanë kishin dëgjuar të thoshin: “Kujdes nga dituria e devijuar sepse ajo është më e rrezikshme se padituria”! Pra, nxënësit tonë patjetër duhej të shkolloheshin në gjuhën shqipe, sepse synimi i edukimit është avancimi i diturisë dhe përhapja e së vërtetës. Këtë e dinin prindërit tanë dhe e dinin se kjo arrihet nëse mësojmë dhe edukohemi shqip. E ku tjetër veçse në Kosovë. Kosova ishte larg, udha ishte e gjatë dhe e vështirë, jo vetëm për shkak të largësisë, por edhe për shkak të terrenit të saj të ashpër. Edhe shpenzimet financiare nuk ishin të vogla, por prindit tanë e dinin se investimi në dituri paguan interesin më të mirë.
    Viti 1948 është vit historik për shqiptarët në Mal të Zi. Atë vit morën udhën e dijes nxënësit e parë shqiptarë për t’u shkolluar në Kosovë. Udhëtimi për në Kosovë ishte sakrificë dhe lodhje. Ekzistonte vetëm një lidhje me Kosovën, të cilën fillimisht e mbante “Tara” nga Cetina e më vonë edhe “Kosovotrans”-i. Autobusi nga Podgorica nisej herët në mëngjes, kështu që nxënësit nga Ulqini, Ana e Malit apo Kraja një natë duhej të kalonin në bujtinën e Leposavës në Titograd. Nisja ishte herët ne mëngjes, ndërsa udhëtarë ishin kryesisht nxënësit nga trojet shqiptare të Malit të Zi që mësimet i ndiqnin shqip në Kosovë. Duhej kaluar Treshnjeviku malor. Rruga ishte e ngushtë, me kthesa të shumta, teposhta e përpjeta të panumërta dhe e paasfaltuar, pluhuri i rrugës hynte në çdo cep të autobusit që shpeshherë pengonte frymëmarrjen e udhëtarëve.
  • “Udha e dijes” kalonte nëpër Çakorr
    Kur mbërrihej në Morinë udhëtarët mendonin se e vështira kaloi. Kosova tani më nuk është më larg se 25 km. Por, vështirësitë e udhëtimit fillonin posa fillonte ngjitja përjetë malit të Çakorrit. E vështirë ishte sidomos pjesa nga Velika deri në maje të Çakorrit. Rruga gjarpërore që kalon nëpër shpatet e këtij mali, me kthesa të shpeshta sa nga njëherë mendohej se autobusi po përmbyset drejtë greminës, mundonte organizmin pothuajse të çdo udhëtari. Konduktori lëvizte pa pushim nëpër autobus duke shpërndarë qese letre për t’i ndihmuar sadopak udhëtarët. Rastiste që udhëtari nuk durohej, të gjithë ushqimin e kthente në dyshemenë e autobusit, por ndodhte që qesja e mbushur të zbrazet në dysheme apo edhe sedile të autobusit. Krijohej një aromë e pakëndshme, pothuajse e padurueshme. Autobusi lëvizte, nuk kishte të ndalur pa mbërritur në maje të Çakorrit. Mbërrijtja në Çakorr ishte kënaqësi, lartësia mbidetare 1859 m, ajri ishte i pastër pushonim, ngiheshim me frymë, pinim çaj mali. Çlodheshim dhe ishim të lumtur sepse tani më ishim në Kosovë. Ashtu e donim atëherë.
    Kur autobusi lëshohej teposhtë malit nëpër grykën magjepse të Rugovës, nëpër Bjelluhë e Kuqishtë mbërrihej në Pejë. Rruga Çakorr-Pejë është e gjatë vetëm 39 km, por udhëtimi zgjaste jo më pak se 90 min. Kur mbërrinim të “Kroi pesë”, siç quhej atëherë, bënim një pushim të shkurtër, ishim të gëzuar, organizmat ishin qetësuar e nga njëherë ia merrnim edhe këngës. Udhëtimit pas më shumë se tetë orë po i vinte fundi, po arrinim në destinacionin e caktuar. Ishim të lodhur e të rraskapitur, por posa uleshim në bankat e shkollës, lodhja zëvendësohej me dëshirën për të mësuar shqip. Shumë nga ne e dinim se një ditë do të kthehemi në vendlindje për të dhënë kontributin tonë sado të vogël për arsimin në gjuhën shqipe dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare. Për këtë arsye lodhja e rraskapitja nga udhëtimi nëpër malin e Çakorrit nuk na shqetësonte shumë. Pikërisht për këtë arsye i dhashë vetes të drejtë që rrugën e Çakorrit ta cilësoj si “udhë të dijes”.
    Këto ditë, pothuajse 60 vite pasi për herë të parë shkela në dheun e Kosovës për të marrë dije e njohuri për kombin tonë, vizitova Grykën e Rugovës, për të kujtuar sadopak ato udhëtime të vështira. Doja të mbërrij në Çakorr, por s’arrita dot! Rruga përveçse ishte asfaltuar nuk kishte ndryshuar, ishte po ashtu e ngushtë, me kthesa të shumta…. Udhëtimin tim e fillova nga Peja. Posa po e lëshoja Pejën u ballafaqova me barrikadat e vendosura nga KFOR-i dhe muret e larta rrethuese të Patriarkanë se Pejës. I përngjante një fortifikate të vërtetë. Atëbotë kur ne udhëtonim kësaj rruge, Patriarkana nuk ishte e rrethuar, nuk e ruante kush, zaten as nuk u rrezikua kurrë nga askush! Shqiptarët e kanë pasur zakon që objektet e kultit mos t’i dëmtojnë, por t’i ruajnë, por ç’e do kur KFOR-i Italian, e di apo s’e di, bën punën e vet për politikën e imponuar!
    Vazhdova deri në Kuqishtë, asaj rruge të ngushtë gjarpërore sikur do herë më parë dhe pak më tej, por më kot. Çakorri tani më është në Mal të Zi, ndërsa kufiri shtetëror Kosovë-Mali i Zi është disa kilometra nën majën e Çakorrit, madje edhe nën Bjeluhë! Gjithsesi më tej nuk shkohej pasi pikë kalimi, as në vendin që e dinim ne, e as aty ku politika e vendosi kufirin, nuk kishte. Në të kthyer u ndala të “Krojet pesë”, sepse aty autobusi ndalej edhe atëherë, kur udhëtonim “udhës së dijes”. Tani, për rolin që kishin luajtur gjatë historisë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri të UÇK-ja, i quanin “Krojet e Dëshmorëve të Kombit”. Pllaka përkujtimore e vendosur mbi këto kroje me emrat e patriotëve shqiptarë si Zhuj Selmani, Bal Alia, Demë Isufi, Ker Sadria, Sak Fazlia, Jashar Haxha e Emrush Miftari dhe atyre të UÇK-së Besnik, Selman, Ramush e Xhavit Lajçi si dhe Asllan e Faton Nikçi e Rifat Shala që kishin dhënë jetën për lirinë e Kosovës, e zbukuronte kompleksin e krojëve, ndërsa ujit i kishte dhënë një shije të veçantë, shijen dhe ngjyrën e lirisë.
  • Pejsazhet mbresëlënëse të Rugovës, vlerë e veçantë kombëtare
    Udhëtimi nëpër një pjesë të “udhës së dijes” (sepse pjesën tjetër për çështje politike se kaloja dot) më dëshpëroi për faktin e ndryshimeve që kishin ndodhur (vendosja e kufirit aty ku ne nuk e donim, rrethimi dhe barrikadat e Patriarkanës së Pejës). Megjithatë, procesi i harresës (inhibacioni retroaktiv) nuk ka ndikuar aq shumë në nivelin e kujtesës time për “udhën e dijes”. Për këtë arsye u kënaqa për të gjitha ato çka sot kjo udhë i ofron çdo shqiptari e çdo vizitori tjetër pa dallim përkatësie kombëtare apo fetare.
    Sot, bukuritë e Kanionit apo Grykës së Rugovës, pejsazhet mbresëlënëse të saj me ujëvara e burime uji, del si njëra nga grykat më të bukura në Evropë. Lumbardhi, që kalon përmes grykës dhe ujvara në kilometrin e gjashtë të kasaj rruge e shumë çka tjetër i japin një freski e bukuri të veçantë. Duhet veçuar një urë harkore që lidh grykën nga të dyja anët, para së cilës është një shkëmb me një vizatim të një atleti që mendohet të jetë nga periudha pellazge. Të gjitha këto të mira dhe vlera që Zoti ia ka dhënë Rugovës duhet valorizuar, sepse mundësojnë zhvillim të shpejtë e të mirëfilltë të turizmit dhe ngritjes së mirëqenies së popullsisë së rajonit të Rugovës në veçanti e Kosovës në përgjithësi. Ajo është vlerë e veçantë kombëtare.
    Në kohën e “udhës së dijës” për gjatë gjithë Grykës së Rugovës nuk kishte asnjë objekt turistik apo hotelier. Vërtetë në Kuqishtë ishte një bufe e vogël e cila vizitohej shumë pak nga shqiptarët, ajo më shumë ishte bazë e “Rankoviqistëve e shërbëtorëve tjerë të UDB-së jugosllave. Sot, resortet e ngritura turistike në Bogë dhe Shkrel, por edhe në pjesët tjera të Rugovës, janë të veçanta, aty njeriu pushon i patrazuar, aty njeriu ndihet i lirë. Shijimi i bukurive natyrore të Grykës së Rugovës dhe pushimi në objektet e ndërtuara aty është i lirë për çdo të interesuar, s’ka më UDB-asha!. Dhe kjo është ajo që më bëri të ndihem krenar sikur jam krenar që isha njëri ndër ata që kalova dhe përjetova “udhën e dijes”.

Të fundit

më të lexuarat