Ulqin – Në vend të kremtimit të Ditës së Ulqinit dhe Kuvendit solemn, qytetarët e Ulqinit dhe përfaqësuesit politikë kanë organizuar në Ranë, të shtunën, më 5 prill 2025, protestën me moton “Ulqini nuk është në shitje” kundër marrëveshjeve që kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka nënshkruar me Qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky vendim ekstrem është marrë nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, si dhe është mbështetur nga organizatat joqeveritare të Komunës së Ulqinit, organizata joqeveritare në Malin e Zi që merren me mbrojtjen e mjedisit, qytetarë të Ulqinit dhe komunave të tjera etj.
Me pankarta në duar, ku ndër të tjera shkruhej “Ardhmëria jonë nuk është në shitje”, “Deti dhe rana është jeta jonë”, “Larg duart nga Ulqini”, “Larg duart nga Plazhi i Madh”, “Spajiq, ky nuk është emirati yt”, “Mbahu Ulqin” etj., qytetarët kanë protestuar në mënyrë të qetë.
Të gjithë folësit – përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të partive politike kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes, e cila parashikon dhënien me qira të Plazhit të Madh me gjatësi prej 13 kilometra dhe një sipërfaqe prej rreth 20 milionë metra katrorë kompanisë së miliarderit arab Muhamed Alabar për 99 vjet, për shkak se ajo është e dëmshme për Ulqinin dhe rrezikon të ardhmen e qytetarëve të tij.
Ata janë shprehur se kemi të bëjmë me një marrëveshje të dyshimtë, jotransparente, e cila shkel hapur ligjet e Malit të Zi dhe nuk ofron zhvillim të qëndrueshëm.
Ish-kryeministri dhe deputeti i Lëvizjes Qytetare “Ura”, Dritan Abazoviq, ka thënë se Ulqini është nën shtetrrethim.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur që grupi i mafiozëve të marrë perlën më të bukur të Malit të Zi për vetëm një muaj. Dhe e dini kur do të ndodhë kjo – kurrë”, ka thënë ai.
Abazoviqi ka kërkuar nga kryeministri Spajiq, të cilin e ka quajtur mashtrues, që t’i largojë duart nga Plazhi i Madh.
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka thënë se ai nuk e ka votuar marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe në mbledhjen e Qeverisë së Malit të Zi.
Ai ka thënë se do të përpiqet t’i bindë me argumente kryeministrin dhe pjesëtarët e kabinetit qeveritar se kemi të bëjmë me një marrëveshje të dëmshme, por nëse nuk do të dëgjohet zëri i tij, midis Qeverisë dhe Ulqinit pa dyshim që do të zgjedhë Ulqinin.
Duke e arsyetuar vendimin për mos mbajtjen e Kuvendit solemn të Komunës së Ulqinit, kryetarja e Kuvendit, Ivana Popoviq, ka theksuar se nuk ka solemnitet aty ku injorohet vullneti i qytetarëve.
“Nuk ka solemnitet nëse nuk mund të vendosim bashkërisht për atë që është e jona”, ka theksuar ajo.
Qytetarëve u janë drejtuar edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, kryetari i LD në MZ, Saubih Mehmeti, kryetari i UDSH-së, Mehmed Zenka, deputetët e partive shqiptare Artan Çobi dhe Ilir Çapuni, kryetari i Këshillit Komunal të PDS-së në Ulqin, Arjan Lamoja, kryetari i Këshillit Komunal të PSD-së në Ulqin, Naser Resulbegoviq, kryetari i Këshillit Komunal të Socialdemokratëve në Ulqin, Qazim Hoxhiq, dhe aktivistët e shoqërisë civile – Xhemal Peroviq, Aleksandar Dragiqeviq dhe Jovana Janjusheviq.
Megjithëse protesta ka qenë e qetë, në të kanë ndodhur dy incidente.
Publiku ka fërshëllyer gjatë fjalës së tij përfaqësuesin e Partisë Boshnjake, Damir Rashçiq, i cili është menaxher i Komunës së Ulqinit, dhe pjesë e koalicionit qeverisës, për shkak se Partia Boshnjake është shprehur se do të votojë për marrëveshjen e firmosur nga Qeveria e Malit të Zi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërsa incidenti i dytë ka të bëjë me arrestimin e një prej protestuesve, Dilaver Kuqeviq, për shkak të denoncimit në polici për rrezikim të sigurisë nga Jelena Markoviq, bartëse e listës “Për Nikshiqin liridashës me shanse të barabarta” në zgjedhjet e ardhshme lokale në Nikshiq.
Kjo është protesta e disatë me radhë që mbahet në Ulqin brenda një muaji kundër veprimeve të Qeverisë së Malit të Zi që prekin Ulqinin.
i. k.