Sistemi i vlerave, dëshmi e raporteve shoqërore

Çdo shoqëri e cila udhëhiqet nga individë me integritet personal e profesional, bazohet në kultivimin e vlerave, sepse vetëm një shoqëri e tillë mund të ketë qëndrueshmëri dhe të ofrojë perspektivë për të ardhmen. E kundërta është kur autokratët e mediokrit behën pjesë e pushtetit, të cilët vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, xhelozisë dhe egoizmit që është dëshmi e individëve karrierist të cilët rreth vetes ofrojnë antivlera. Në këtë përmasë patjetër duhet vlerësuar meritokracinë, autoritetin shoqëror dhe profesionalizmin e dëshmuar në mjedisin përkatës, sepse në rast të kundërt do të kemi zhvlerësim të vlerave me pasoja të mëdha shoqërore, në kohën tonë dhe në të ardhmen

Nail Draga

Nga kohërat më të lashta e deri në ditët tona, janë krijuar vlera të ndryshme shoqërore të cilat janë dëshmi e gjeneratave në mjedisin përkatës. Ndërsa në kohën moderne, sidomos në pluralizëm, ofrohen mundësi të mëdha të shpalosjes së vlerave personale, ku individë te ndryshëm pa vlera përfitojnë në saje të krizës së përgjithshme, e cila ka kapluar shoqërinë, që është dëshmi e krizës morale, si dukuri me përmasa shqetësuese.
Nëse analizojmë rrethanat shoqërore në periudhën post-moniste, nuk ka dilemë se pluralizmi ka meritë të jashtëzakonshme në portretimin e individëve ashtu siç janë realisht, e jo të maskuar si në kohën e monizmit, sepse atëherë ekzistonte mimikria, nga frika e pasojave të kohës. Andaj, tani nuk kemi nevojë të pyesim shumë se kush është kush, çfarë referencash ka, sepse çdo gjë është transparente.

Koha e krizës morale
Pas ndryshimeve të mëdha shoqërore, me falimentimin e sistemit socialist, koha jonë veçohet me fazën e tranzicionit, e cila është multidimensionale. Nëse deri më tash kemi përjetuar krizën ekonomike e atë politike, këtyre iu shtohet edhe një tjetër, e ajo është kriza e moralit. Kemi të bëjmë me këtë kategori shoqërore e cila ua tejkalon dy të parave sepse, kanë rënë vlerat njerëzore në nivelin më të ulët. Dhe nga një gjendje e tillë shoqërore, kemi devijime të mëdha në fusha të ndryshme, si në punësim, arsim, gjyqësi e sidomos në politikë. Madje kjo e fundit ka marrë përmasa të çuditshme, sepse në politikë askushi mendon së bëhet dikushi.

Sistemi i vlerave dhe pluralizmi
Në shoqërinë pluraliste, ekzistojnë një numër i konsiderueshëm i subjekteve politike të cilat nuk bazohen në sistemin e vlerave, por të interesit personal apo të klaneve të ndryshme, dhe si të tilla nuk janë të qëndrueshme dhe pa një të ardhme të garantuar.
Përvoja e deritashme dëshmon se brenda partive politike janë krijuar grupe e fraksione, që më vonë janë formuar si parti të veçanta. Shembuj të tillë ka kudo, në kohën e pluralizmit ku as shqiptarët nuk janë përjashtim në skenën politike ne mjediset e tyre ku veprojnë, sipas legjislacionit vendor.
Veprimet e tilla janë nxitur kryesisht nga qëndrimet autoritariste të udhëheqësve partiakë, me ambiciet lideriste për t’u bërë një herë kryetar, duke vazhduar për disa mandate, duke u bërë monotonë se nuk ofrojnë më ide dhe si të tillë konsumohen. Po ashtu bie në sy servilizmi i tyre sepse rreth vetes ka me afruar individët më të përshtatshëm dhe të dëgjueshëm, ndërsa nga ana tjetër duke, injoruar e larguar persona me vlerë si konkurrent të rrezikshëm. Nga një qëndrim i tillë është paraqitur privatizimi i partisë, si pronë private, apo si shoqëri aksionare, për përfitime materiale etj., duke keqpërdorur demokracinë pluraliste, që është në kundërshtim me interesat e qytetarëve në mjedisin përkatës.

Përfaqësimi dhe prezantimi
Pjesëmarrja në skenën politike ka peshë të veçantë për çdo subjekt politik në mjedisin përkatës. Në këtë aspekt çdo subjekt serioz tenton që në mesin e tij të përfshijë individë me përgatitje profesionale, me autoritet shoqëror dhe me ndikim në elektoratin votues. Por, jo rrallëherë në këtë aspekt ka pasur edhe dështime, sepse udhëheqësi partiak, apo stafi i tij i ngushtë, nuk ka zgjedhur më të mirët por më të përshtatshmit. Nëse në fillim të pluralizmit, në saje të papërvojës diçka e tillë edhe ka mundur të arsyetohet me kalimin e kohës, kjo dukuri ishte negative dhe me pasoja të rënda shoqërore.
Këtu është fjala të përfaqësimi dhe prezantimi i subjektit përkatës në takime, forume apo organizime të ndryshme. Në raste të tilla, subjekti politik, nuk mund të përfaqësohet nga kushdo sepse duhen individë të përgatitur, me autoritet shoqëror dhe të guximshëm. Nuk ka dilemë se nëse mungon guximi për të prezantuar çështjet ashtu siç duhet, dështimi i takimit është i garantuar. Një qëndrim i tillë vlen për ata individë, që janë të angazhuar në partitë politike nacionale, ndërsa për ata të të ashtuquajturave parti qytetare, as që bëhet fjalë.
Andaj, përfaqësimi dhe prezantimi, mbetet çështje e përhershme e cila duhet të jetë çështja preokupuese për çdo subjekt politik. Madje në mungesë të individëve partiakë, ata të cilët mendojnë seriozisht për çështje me peshë, takojnë dhe ofrojnë persona nga shoqëria civile, të cilët dallohen me profesionalizmin dhe qëndrimin e tyre parimor. Dhe të tillët, nuk qëndrojnë aty në mënyrë formale, por prezantojnë çështjet dhe marrin obligime me afate për të gjetur zgjidhje të favorshme. Vetëm në këtë formë mund të punohet në avancimin e çështjeve të cilat janë trashëguar nga e kaluara, që do të jenë në favor të barazisë qytetare e nacionale, ngase në këtë koncept takimet e tilla do të kishin kuptim dhe mbështetje nga qytetarët, sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale, apo partiake, por me çështje për të gjithë qytetarët e mjedisit përkatës. Në këtë aspekt, subjektet politike nacionale kanë obligim dhe përgjegjësi që të angazhohen vazhdimisht, sepse çështjet e tilla janë ekskluzivitet i tyre, si përfaqësuese autentike të shqiptarëve, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Interesi mbi parimet
Sistemi i vlerave eliminon interesin personal apo atë të klaneve të ndryshme. Sa është vepruar në këtë drejtim, dëshmon numri i partive politike të shqiptarëve, përkatësisht formimi i partive politike me qëllim për të dëshmuar se janë dikushi në politikë, sepse moto e tyre kryesore nuk janë parimet, por përfitimet e ndryshme, duke mos anashkaluar as ato materiale. Ndërsa të flasësh për idealet e dikurshme, tash është iluzion që i takon së kaluarës dhe nuk mund të kuptohet nga gjeneratat e tashme, të cilët janë të angazhuar në politikë. Madje, koalicionet e arritura në nivele lokale e ato qendrore dëshmojnë një konstatim të tillë në mënyrë transparente.
Në këto vite të pluralizmit jemi dëshmitarë se disa parti politike ishin me peshë në hapësirën shqiptare, por me ndryshimet në udhëheqje ata mbetën vetëm me emrin e së kaluarës, ndërsa sot janë minore, pa ndonjë peshë në skenën politike. Kujtojmë këtu me këtë rast p.sh. PPD dhe PDSH në Maqedoni të Veriut, apo UDSH në Mal të Zi. Ndërsa LDMZ nga partia e parë dhe më e madhe e shqiptarëve në Mal të Zi, është dekompozuar tërësisht pa ndonjë peshë politike, ndërsa më së shumti në Ulqin e pësoi PPD, nga ngritja e menjëhershme(2001) pas dy palë zgjedhjeve u shkri dhe mbeti vetëm si emër në ish skenën politike lokale.

Qytetari jo vetëm si votues
Duke pasur parasysh se në rend të parë dominon interesi personal apo interesi i një grupi të ngushtë, subjektet politike qytetarin e trajtojnë vetëm si votues, sepse benifitet i llogarisin për vete, andaj nuk është për t’u çuditur se disa individë vazhdimisht kanë përparësi dhe mbështeten nga kryetari i partisë.
Në këtë aspekt nuk ekziston ndonjë model për vlerësimin e vlerave të personave të angazhuar në parti politike, sepse kemi të bëjmë me qasje subjektive. Në vend që si parim duhet të jetë meritokracia, fatkeqësisht dominojnë shkaqet e tjera si xhelozia, egoizmi, por nuk përjashtohen edhe arsye të tjera. Dhe nga një qasje e tillë nuk është për të habitur lista për këshilltarë apo deputetë e cila aprovohet nga subjekti politik me bekimin e kryetarit për zgjedhje lokale apo qendrore, që në shumë raste ka pasur pakënaqësi që është reflektuar më pas, e që nuk ishte në favor të subjekteve përkatëse.

Meritokracia e pa vlerësuar
Andaj, për ndryshime cilësore në këtë drejtim, fillimisht duhet të vlerësohet qytetari, sepse ai nuk duhet të injorohet duke u trajtuar vetëm si votues, por edhe si person që ka mundësi të zgjedhë apo zgjidhet nga të tjerët, në elektoratin votues.
Vetëm kur të kuptohet dhe vlerësohet qytetari në saje të komunikimit të drejtpërdrejt në vazhdimësi e jo një herë në katër vjet vetëm në prag të zgjedhjeve, do të kemi avancim të demokracisë dhe vlerave pluraliste, që fillon me demokratizimin e brendshëm të subjekteve politike. Në këtë përmasë patjetër duhet vlerësuar meritokracinë, autoritetin shoqëror dhe profesionalizmin e dëshmuar, në mjedisin përkatës. Në të kundërtën do të kemi zhvlerësim të vlerave me pasoja të mëdha shoqërore, në kohën tonë dhe në të ardhmen.
Përfundimisht çdo shoqëri e cila udhëhiqet nga individë me integritet personal e profesional, bazohet në kultivimin e vlerave, sepse vetëm një shoqëri e tillë mund të ketë qëndrueshmëri dhe të ofrojë perspektivë për të ardhmen. E kundërta është kur mediokrit bëhen pjesë e pushtetit, dhe si të tillë mendojnë se aty do të jenë të përhershëm, që është dëshmi e individëve karrieristë të cilët rreth vetes ofrojnë antivlera, me pasoja të rënda shoqërore.

Të fundit

më të lexuarat