
Emigrimi si dukuri e migrimit të popullsisë në kuadër të proceseve demografike, nuk është dukuri e re e as e panjohur edhe për ne shqiptarët. Në lidhje me këtë çështje, nga koha e instalimit të pushtetit të diktaturës komuniste në Shqipëri në vitin 1944, lëvizja e lirë e popullsisë e sidomos emigrimi në botën e jashtme ishte dukuri e ndaluar me masa ligjore. Në kohën e diktaturës në Shqipëri është e njohur se populli jetonte me tollona e vendi ishte i rrethuar dhe i izoluar nga bota, që ishte demagogji me pasoja kombëtare.
Tri eksodet biblike
Pas rënies së Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989, të gjitha vendet e ish-kampit socialist filluan të shkërmoqen si kullat prej letre. Dhe jehona e tillë pati ndikim pozitiv edhe në Shqipëri, ku në fillim të vitit 1990 u bënë përpjekje për grumbullime të qytetarëve, por edhe për të kaluar kufirin nga të rinjtë, si në veri e jug të vendit, ku pjesa më e madhe e tyre e pësuan nga rojat e kufirit.
Eksodi i parë ka të bëjë me datën 2 korrik 1990, që është i pari nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, që njihet si “Fenomeni i Ambasadave në Shqipëri”. Në ambasadat në Shqipëri, sipas të dhënave janë futur 4 975 persona. Nga ky numër, më së shumti janë vendosur në ambasadën gjermane – 3 554 qytetarë, 816 në atë italiane, 549 në atë franceze dhe në rezidenca diplomatike në Tiranë. Një veprim i tillë ishte një shuplakë e madhe për diktaturën komuniste në Shqipëri, duke dëshmuar se diktatura kishte falimentuar si kudo në vendet e ish-kampit socialist. Të gjithë ata që hynë në ambasada, më pas përmes portit të Durrësit janë përcjellë në vendet ku kanë shprehur dëshirën të shkojnë.
Nga vera e deri në fund të vitit, edhe pse në dhjetor u miratua pluralizmi politik në Shqipëri, kufirin e kanë kaluar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, nga deti e toka, duke rrezikuar veten, sepse rojat e kufirit ishin në gjendje gatishmërie.
Autori i këtij shkrimi është dëshmitar okular kur në lumin Buna, më 20 dhjetor 1990, janë vrarë disa qytetarë e të tjerë janë mbytur në lumë pranë fshatit Bore. Kufomat e pesë individëve, më 21 dhjetor 1990 janë bartur për në Podgoricë, por nga Qeveria e Shqipërisë nuk janë pranuar se janë qytetarët e tyre, andaj i kanë kthyer pas dhe janë varrosur në varrezat e kishës së Shën Kollit në Shtoj të Ulqinit.
Raste të tilla ka pasur edhe në zonat tjera kufitare, me pasoja të mëdha për individë e familje të ndryshme. Madje thuhet se deri në fund të vitit 1990, në Greqi kanë kaluar duke udhëtuar këmbë me ditë e javë të tëra, rreth 20 000 shqiptarë, duke kërkuar azil politik.
Grushti i fundit ndaj diktaturës
Eksodi i dytë ka ndodhur më 7-10 mars 1991, ku për tri ditë mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e porteve më të mëdha të vendit. Llogaritet se rreth 20 000 refugjatë shqiptarë, të nisur nga porti i Vlorës dhe i Durrësit, zbarkuan në portet e jugut të Italisë: Brindizi, Bari, Otranto dhe Monopoli.
Ndërsa eksodi i tretë ka ndodhur më 8 gusht 1991, ku me anijen “Vlora”, që u nis nga Durrësi me rreth 10 000-15 000 persona në bordin e saj dhe mbërriti në portin e Barit. Në të njëjtën kohë, disa anije të tjera me rreth 1 000 persona arritën në portin e Otrantos. Ndërsa dy anije të tjera me rreth 675 persona janë përpjekur të zbarkonin në portet e Siçilisë dhe në Maltë, por nuk mundën dhe u detyruan të ktheheshin në Shqipëri.
Nga koha e hyrjes së shqiptarëve në ambasada, më 2 korrik 1990, dhe deri në fund të vitit 1991 vazhduan largimet masive me çfarëdolloj mjeti lundrues. Gjatë këtij eksodi të paparë deri në atë kohë, llogaritet se vendin e kanë lënë rreth 200 000 shqiptarë.
Ndonëse emigracioni u bë dukuri shoqërore, gjatë viteve 1992-1996 pësoi një ulje relative, sepse kishte një përmirësim të stabilitetit politik dhe të situatës social-ekonomike, por të dhënat dëshmojnë se në fund të vitit 1996 arriti në 350 mijë vetë. Ndërsa kjo dukuri u bë masive në vitin 1997, si pasojë e rënies së skemave piramidale dhe kaosit politik që e shoqëroi këtë ngjarje.
Për të pasur më të qartë numrin e popullsisë së emigruar, na shërbejnë të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, i kryer nga INSTAT-i, në vitin 2001, ku popullsia shqiptare ishte 3.07 milionë banorë dhe, nëse nuk do të kishte migracion, kjo shifër do të ishte 3.78 milionë. Diferenca ndërmjet këtyre dy shifrave është numri i përafërt i emigrantëve, pra 710 000 persona.
Dhe nga ato vite e më pas, emigrimi nga Shqipëria u bë proces, që dëshmohet nga të dhënat e ndryshme sipas viteve përkatëse në vendet evropiane e jashtë tyre. Në këtë aspekt, nga Eurostat-i, nga viti 2008 kemi të dhëna të sakta të cilat nga media e individë të ndryshëm përpunohen dhe i janë prezantuar opinionit.
Shqiptarët – kombësia më e madhe në BE në raport me popullsinë
Kështu, sipas të dhënave nga Eurostat-i, në vitin 2023, në kuadër të BE-së janë regjistruar 25 shtetësi që nuk janë shtetas të BE-së apo 27.4 milionë persona, që përbënin 6.1% të popullsisë së BE-së. Në këtë kategori kanë dominuar shtetasit ukrainas (11.9%), turq (7.7%), marokenë (7.1%) dhe sirianë (5.3%). Ndërkohë, shtetasit kinezë (përfshirë Hong Kongun) dhe rusët zinin 3.9%, përkatësisht 3.3% të numrit të përgjithshëm.
Nga ana tjetër, shqiptarët renditen në vendin e nëntë me rreth 2.3% të numrit të përgjithshëm të të huajve që jetojnë në BE, pas Indisë (3.2%) dhe Mbretërisë së Bashkuar (2.6%).
Shqipëria e Kosova, të parat në raport me popullsinë
Në vendet e BE-së jetojnë rreth 3.2 milionë ukrainas dhe 2.1 milionë turq, sipas të dhënave të Eurostat-it, duke u renditur të parët në numër. Por emigrantët nga të dy këto shtete vijnë nga vende me popullsi të mëdha, ku Turqia ka 87 milionë banorë dhe Ukraina 39 milionë banorë, duke bërë që emigrantët në raport me popullsitë e tyre përkatëse të jenë vetëm 2.4%, përkatësisht 8.4%.
Në BE, sipas Eurostat-it, jetojnë rreth 630 mijë shqiptare (të dhënat nuk përfshijnë Greqinë). Kjo është e barabartë me 26% të popullsisë që jeton në Shqipëri, duke na renditur të parët në BE në raport me popullsinë. Nëse shtohen dhe ata që jetojnë në Greqi, që janë të paktën 400 mijë persona, shifra e kalon 40%.
Në nivele të larta është edhe Kosova, e cila renditet e dyta për shtetasit që jetojnë në BE, në raport me popullsinë përkatëse, me 25.7%. Ballkani Perëndimor vijon kryesimin, me Maqedoninë e Veriut me 19.6% dhe Bosnjë e Hercegovinën me 17.3% etj.
Nga viti 2008 leje qëndrimi fituan 920 mijë shqiptarë
Të dhëna të tjera nga Eurostat-i bënë të ditur se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së.
Në vitet 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Që nga viti 2008, kur Eurostat-i raporton të dhënat, kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë. Ndërsa për ata të cilët nuk kanë fituar një leje të tillë, mbetet çështje e hapur, sepse nuk ekziston asnjë evidencë nga Qeveria e Shqipërisë, andaj çdo e dhënë është e përafërt dhe mund të spekulohet.
Një emigrim i tillë ka ndikuar që popullsia e Shqipërisë të pësojë rënie të dukshme, ku sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2023, sipas INSTAT-it, në vend jetojnë 2.4 milionë banorë, me rënie prej 420 mijë persona krahasuar me vitin 2011.
Popullsia në vend zbret në 2.36 milionë banorë!
Ndërsa të dhënat e fundit për popullsinë e Shqipërisë mbajnë datën 1 janar 2025, ku sipas INSTAT-it rezulton se në Shqipëri jetojnë 2.363.314 banorë, duke pësuar rënie me 1.2% krahasuar me 1 janar 2024. Rënia e popullsisë është rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë: emigracionit dhe rënies së lindjeve, dukuri e cila është bërë shqetësuese dhe me pasoja kombëtare.
Mungon evidenca në nivel kombëtar
Në mungesë të një evidentimi të shqiptarëve në nivel të përgjithshëm nga ndonjë subjekt qeveritar, çdo e dhënë është subjektive, andaj mbetet të ndryshohet qasja ndaj diasporës shqiptare. Për të eliminuar dilemat në lidhje me këtë çështje duhet një angazhim serioz, kryesisht nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës, veç e veç apo së bashku, në koordinim me subjekte të tjera qeveritare. Vetëm në këtë formë do të kishim evidencë të saktë të të dhënave për shqiptarët në emigrim, siç veprohet kudo në botën demokratike, duke eliminuar spekulimet dhe paragjykimet në lidhje me numrin e shqiptarëve në emigrim në vendet e ndryshme të botës.
