
Tivari është një qytet i lashtë, i vendosur 5 km nga deti në rrezet e malit Rumia. Gjetjet arkeologjike konfirmojnë se jeta në këtë zonë daton qe nga kohët parahistorike ilire. E kaluara historike e këtij qyteti ilir nuk ndryshon shumë nga qytetet tjera shqiptare në bregdetin e Adriatikut dhe ndan fatin e tyre deri në Kongresin e Berlinit (1878), kur ky qytet përfundimisht shkëputet nga trungu amë – Shqipëria.
Plot gjashtë muaj para vendimit famëkeq të Kongresit të Berlinit, ushtria malazeze sulmoi pa mëshirë Qytetin e Vjetër të Tivarit. Ushtria malazeze përdori metodat më të tmerrshme të luftës, madje popullsisë civile ia ndërpreu edhe furnizimin me ujë. Qyteti u dogj dhe u shkatërrua tërësisht. Nga 600 shtëpi sa kishte ky qytet i vogël, asnjëra nuk shpëtoi. Gjysma e tyre u bënë shkrumb e hi, ndërsa të tjerat u shndërruan në gërmadha. Vetëm në një xhami u gjetën dyqind (200) gra e fëmijë të vdekur.
Gazetari francez Auguste Meylan këto veprime fashiste për kohën, i komenton kështu: ”Kam parë shumë rrethime të tjera, por s’kisha parë kurrë një gjë kaq të tmerrshme sa ky qytet i mjerë i Tivarit, ku s’ka mbetur asnjë shtëpi në këmbë…”
Edhe pse rezistenca për mbrojtjen e Tivarit, me pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve vendas, shkodranë e ulqinakë, gjatë dimrit të vitit 1877/1878 ishte heroike, qyteti më 10 janar 1978 ra në duart e Malit të Zi. Aneksimi i këtij qyteti zyrtarizohet me vendimet e Kongresit të Berlinit. Kështu Tivari u bë qendër e vëmendjes së shtypit të kohës dhe qyteti i parë shqiptar që u shkëput nga trungu amë – Shqipëria.
Veta e parë
Në kushtet e krijuara nga shkatërrimet e luftës dhe dëshira për të mos iu dorëzuar malazezëve dhe për të mos jetuar nën Malin e Zi, një shumicë e madhe e popullsisë iku nga Tivari dhe u vendos pjesa më e madhe e tyre në Shkodër por edhe në Durrës, Elbasan e qytete të tjera, duke lënë gjithçka që u kishte shpëtuar nga djegia dhe shkatërrimet e luftës. Mbi 284 familje e kishin lëshuar Tivarin, prej të cilëve 83 familje nuk u kthyen kurrë. Pasuria e tyre u zaptua nga malazezët dhe kurrë nuk u dëmshpërblyen. Ata që u kthyen i gjetën malazezët në tokat e tyre, shumica e të cilëve nuk i lëshuan dolën pronat e shqiptarëve tivaras.
Familjet që nuk u kthyen në Tivar ishin pothuajse të gjitha të kombësisë shqiptare. Kjo vërtetohet nga një protokoll i familjeve të vitit 1977 dhe atyre që nuk janë në Tivar në maj të vitit 1879 (DACG, MUD, f. 4, nr. 1106). Po përmendi vetëm disa nga ata: Emin begu, Mulla Sala, Dul Beqiraga, Haxhi Ahmeti, Selim Ademi, Salo Misherri, Usejn Zoja, Smajl Jusufi, Eto Pera, Osman Kacila, Omer Kërçiku, Haxhi Lanica, Avdullah Kaca, Met Harapi, Demo Zeka, Daut Kadija, Dem Salihu, Nelo Zemra, Jusuf Tafula, Mujo Mushica, Omer Kërçiku, Halil Ahmeti, Mahmut Spica… Edhe emrat e familjarëve që ishin kthyer po ashtu vërtetojnë përkatësinë shqiptare, si: Ali beg Qorri, Mustafë Haxhi Jusufi, Jaho Dervishaga, Haxhi Ala, Sulo Suma, Huso Shestani, Dul Buza, Can Spahia, Ahmet Kaca, Fazli Goca, Mahbub Arapi, Alush Kasmi, Ramo Kraina (Kraja), Rustem Ishma, Musto Tafica, Rexhep Fazlija, Braho Korda, Mehmet Dibra…
Të ngushtuar nga rrethanat politike të brendshme dhe frika që i kishte përfshirë shqiptarët në Tivar, ata filluan gradualisht të përshtaten me kushtet e reja të jetës që diktonte pushteti malazez. Filluan të ndjekin shkollën në gjuhën malazeze, por të paktë ishin ata që arrinin të përfundonin mësimin fillor. Një pjesë e tyre, duke mos u pajtuar me këtë realitet u larguan nga Tivari dhe vazhduan rrugëtimin e shpërnguljes, rrugë që fatkeqësisht nuk ka të ndalur as sot e kësaj dite. Përveç shpërnguljes, si rrjedhojë e mungesës së shkollës në gjuhën amtare filloi edhe procesi i asimilimit të shqiptarëve në Tivar.
Sipas regjistrimit të pjesshëm të popullsisë në Mal të Zi, në vitin 1879 Tivari dhe Zalefi së bashku numëronin 507 familje me 2 302 banorë, prej të cilëve 1 365 muhamedanë (pothuajse të gjithë shqiptarë) dhe 448 katolikë (po ashtu shqiptarë), ose 78.75% të popullsisë ishin shqiptarë. Në Tivar, sipas këtij regjistrimi, jetonin 489 qytetarë të fesë ortodokse, ose vetëm 21.24% të popullsisë, duke shtuar se në Tivar 16 familje me 82 anëtarë ishin regjistruar si romë. Regjistrimet e mëvonshme të popullsisë në Mbretërinë SKS (1921, 1931) nuk japin shënime të sakta për strukturën kombëtare apo etnike të popullsisë. Nga regjistrimet e popullsisë në RSFJ (1948, 1953, 1961, 1971, 1981) del se shqiptarët në këtë qytet pothuajse u asimiluan tërësisht.
Veta e dytë
Fundin e Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e pritën me shpresa për shprehjen dhe rikthimin e integritetit dhe identitetit shqiptar! Por Tivari, fatkeqësisht, edhe një herë u bë qendër e mizorisë dhe tmerr për shqiptarët. Pikërisht, më 1 prill të vitit 1945, në këtë qytet, dikur shqiptar, ndodhi tragjedia më e madhe, e njohur si “Masakra e Tivarit”! Vendngjarja – Monopoli i Duhanit në Tivar. Në këtë masakër të paparë deri atëherë, ndaj shqiptarëve kosovarë të mobilizuar me dhunë e të paarmatosur u masakruan me shufra hekuri duke i goditur në kokë, gjoks apo në shpinë dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta. Por kjo nuk ishte e gjitha. Ndaj tyre shtihej me të gjitha llojet e armëve të zjarrit, si: me pushkë automatike, mitraloz, mortaja, bomba dore, revole etj. Oborri dhe sheshi i Monopolit u mbuluan me lumë gjaku që i ngjante një kataklizëm të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë, me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj! Shënime të sakta për numrin e të masakruarve e të pushkatuarve nuk ka, por mendohet se në Tivar dhe gjatë rrugës për në këtë qytet u vranë mbi 3.500 shqiptarë kosovarë.
Po pse masakra ndodhi bash në Tivar?! Qëllimi dhe arsyet janë të shumta, por kjo nuk ndodhi rastësisht. Shqiptarët në Mal të Zi në vitin 1944 dhe në fillim vitin 1945, duke kujtuar të kaluarën e hidhur nën sundimin serbo-malazez, kishin shprehur dëshirën e tyre për t’iu bashkuar shtetit shqiptar. Kjo dëshirë e tyre duhej të shuhej përfundimisht. Pra, shtypja e ndjenjës kombëtare nëpërmjet masakrës ishte një ndër qëllimet e ultraracistëve serbo-malazezë të cilët besonin se masakra do të jetë një mësim i mirë për shqiptarët e këtyre trojeve. Rrjedhimisht, në regjistrimin e parë të popullsisë në Jugosllavi, në vitin 1948, në Tivar si shqiptarë u regjistruan vetëm 26 persona, ndërsa në regjistrimin e vitit 1981 vetëm 102 persona! Po ku shkuan, ç’u bë me shqiptarët?! Shumica mbetën aty fizikisht, por nuk u identifikuan kurrë më si shqiptarë! Një pjesë e tyre emigruan, por pjesa më e madhe e tyre u asimiluan duke u regjistruar si malazezë apo myslimanë.
Veta e tretë
Fillimi i demokracisë në fillim të vitit 1990, tek intelektualët shqiptarë ngjalli shpresën se tanimë shqiptarët autoktonë apo të ardhur ndër vite në Tivar do ta kuptojnë përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare. Por jo! Rezultatet në këtë drejtim janë fare të vogla. Megjithatë, lufta në Bosnje e sidomos në Kosovë bëri që disa shqiptarë, sidomos të fesë myslimane, të këtij qyteti të ndërgjegjësohen. Kështu në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 si shqiptarë u deklaruan 250 persona! Është interesant të ceket se në këtë regjistrim, në pyetjen “përkatësia fetare” u deklaruan “katolikë” plot 3 043 persona. Dihet se kroatë apo katolikë kroatë ka shumë pak në Tivar, pra shumica e tyre janë shqiptarë. Pra, shqiptarët janë aty, por nuk deklarohen si shqiptarë! Pse është kështu?
Edhe pse shqiptarët ishin popull shumicë në Tivar, në këtë qytet asnjëherë nuk u hap shkolla me mësim në gjuhën shqipe! Duke u nisur nga parimi se “nëse do ta shkatërrosh një popull, mos i hap shkollë në gjuhën amtare”, mund të konkludohet se mësimi në shkollë vetëm në gjuhën malazeze i shqiptarëve autoktonë si edhe i atyre të vendosur këtu nga Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja, është një ndër arsyet kryesore të asimilimit të shqiptarëve këtu.
Më qëlloi një herë që të marr në telefon një vendasin tim. “Alo”, i thashë”. “Molim”, m’u përgjigj një vogëlushe! Vazhdoja t’i flisja shqip dhe i tregova kush jam! “Majko, majko, neko od onih vaših te traži“ (“Nënë, nënë, dikush nga ata të tuajt të kërkon”). Pasi u paraqit nëna, e pyeta për sjelljen e vajzës dhe se a e din ajo kush janë “ata të tuajt”?! “Po, ashtu ka mësuar në shkollë! Gjithë ditën mëson dhe luan me shoqet e saj malazeze. Por as nuk guxojmë të themi kush jena!”, m’u përgjigj. Mbeta i dëshpëruar, por edhe një herë e vërtetova se mungesa e shkollës në gjuhën shqipe është një handikap i madh për këta shqiptarë të mbetur në Tivar.
Megjithatë, viteve të fundit mbase ka lëvizur diçka në këtë drejtim. Shumë shqiptarë me prejardhje nga Kraja dhe Ana e Malit, me rastin e martesave kanë filluar t’i organizojnë dasmat në restorantet e Ulqinit me këngë shqipe, madje disa përdorin edhe flamurin kombëtar shqiptar.
Veta e katërt
Duke pasur parasysh të gjitha rrethanat politike të së kaluarës dhe të tashme si dhe politikën asimiluese të pushtetit malazez ndër vite, i takon faktorit politik shqiptar në Mal të Zi që sa më parë të nxisë një iniciativë për hapjen e së paku një paraleleje në gjuhën shqipe. Përndryshe, asimilimi i shqiptarëve në Tivar nuk ka të ndalur.