Plot 22 vjet më parë, në vitin akademik 2004/2005, u hap Programi Studimor për Arsimimin e Mësuesve në Gjuhën Shqipe në Podgoricë pranë Universitetit Shtetëror të Malit të Zi. Gjenerata e parë, 49 studentë, i ndoqi ligjëratat, ku 80 për qind ishin në gjuhën shqipe dhe 20 për qind në malazeze. Ky program përmbushi një boshllëk të madh në arsimin shqip, i ndier që nga gjysma e shekullit XX, pasi deri në vitin 2004 studentët që dëshironin të studionin në gjuhën amtare ishin të detyruar të ndjekin studimet në gjuhën malazeze ose jashtë vendit, në universitete si Prishtina, Shkupi, Tirana dhe Shkodra.
Sot, ky program po përballet me sfida serioze, pasi numri i ulët i studentëve në vitin e parë e vendos atë në një fazë delikate, duke ngritur pikëpyetje për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e tij. Megjithatë, mbyllja nuk shihet si një proces automatik.
Për t’u njohur nga afër me situatën aktuale dhe për të vlerësuar nëse ky program studimor rrezikon të mbyllet, biseduam me Prof. Dr. David Kalajn, përgjegjës i Programit Studimor për Arsimimin e Mësuesve në Gjuhën Shqipe në Podgoricë.
Ai për “Koha javore” thotë se numri i ulët i studentëve këtë vit, është një sinjal serioz dhe tregon se programi ndodhet në një fazë delikate.
“Megjithatë, mbyllja nuk është një vendim automatik që vjen vetëm nga shifra e një viti akademik. Qëllimi ynë aktual është të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme: ose përmes masave për rritjen e interesimit dhe modernizimit të ofertës, ose përmes ristrukturimit institucional (p.sh. integrim/transferim i programit brenda një programi tjetër më të kërkuar), në mënyrë që të ruhet misioni i tij dhe të mos humbasë arsimi universitar në shqip në Podgoricë”, shprehet përgjegjësi i këtij programi studimor, Prof. Dr. David Kalaj.
Ai përmend si sfida kryesore tregun e punës, demografinë, perceptimin e të rinjve dhe migrimin.
“Numri i studentëve, rënia e regjistrimeve lidhet kryesisht me faktin se në këtë profil ka pasur suficit të të diplomuarve dhe, rrjedhimisht, të rinjtë e shohin degën si më pak të sigurt për punësim të shpejtë”, shprehet Kalaj.
Ai më tej shton se shumë maturantë largohen jashtë vendit ose zgjedhin profile që i shohin më “praktike” dhe më të kërkuara.
Kalaj thekson se programet e reja, më të orientuara drejt tregut, e tërheqin interesin dhe se kjo i detyron të mendojnë për përditësim të kurrikulës, module më aplikative dhe bashkëpunime që e lidhin studimin me punësimin.
“Kur numrat bien, krijohet presion në aspektin e organizimit të mësimdhënies dhe arsyetimit të burimeve. Edhe pse stafi përpiqet të mbajë standardin, nevojiten zgjidhje institucionale që e bëjnë programin të qëndrueshëm”, shprehet ai.
Në përgjigje të pyetjes sonë se si do të ndikonte mbyllja e këtij programi në arsimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi, Kalaj thekson se mbyllja do të kishte një ndikim të ndjeshëm, sepse, siç thotë ai, ky program nuk është thjesht një degë universitare, por ka qenë për vite me radhë një mekanizëm për përgatitjen e kuadrove dhe për ruajtjen e kapaciteteve akademike në shqip.
“Pasojat kryesore do të ishin zvogëlim i mundësive për studime universitare në gjuhën shqipe në kryeqytet dhe më gjerë, dobësim i zinxhirit të kuadrove (mësues, bashkëpunëtorë, punonjës kulturorë/arsimorë) dhe rrezik që të rinjtë shqiptarë ta kenë gjithnjë e më të vështirë të ndërtojnë karrierë në vend. Humbje simbolike e pranisë institucionale të gjuhës dhe kulturës shqiptare në arsimin e lartë në Mal të Zi”, thekson ai.
Për këtë arsye, Kalaj shton se ata po e trajtojnë situatën me seriozitet, duke pasur si synim ruajtjen e funksionit dhe misionit, edhe nëse forma organizative përshtatet.
I pyetur nëse po shqyrtohet mundësia e hapjes së ndonjë dege tjetër për studentët shqiptarë në Podgoricë, Kalaj thotë se po shqyrtojnë opsione realiste.
“Në këtë moment, dy drejtimet që kanë më shumë logjikë janë riorientim/transferim brenda një programi më të kërkuar, për shembull një profil si edukator/e (ose fusha të afërta), ku zakonisht kërkesa në sistemin arsimor është më stabile dhe programi mund të jetë më tërheqës për maturantët”, thekson Kalaj.
Ai përmendi albanologjinë si projekt strategjik dhe me peshë, jo vetëm akademike, por edhe shoqërore e kulturore. Por për ta realizuar atë, shton Kalaj, nevojitet vullnet institucional dhe mbështetje politike.
“Sepse albanologjia ka rol të drejtpërdrejtë në ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe trashëgimisë, si dhe në krijimin e një qendre referuese për studimet shqiptare në Mal të Zi”.
Dr. Haxhi Shabani, pedagog i këtij programi studimor, në prononcimin për gazetën “Koha javore” shprehet se programi studimor për përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe ka pasur rolin e tij të rëndësishëm, sepse siç thotë ai, para së gjithash, ka qenë institucioni i parë arsimor në nivel të Universitetit për shqiptarët në Malin e Zi.
“Më pastaj ka pasur edhe rolin funksional, sepse në të kanë diplomuar të reja e të rinj që sot janë pjesë e kuadrit të mësuesve nëpër shkollat në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Fakti se aktualisht në këtë program studimor ka pak studentë, në vitet e para, shumë pak është si rezultat i politikës shumë liberale të regjistrimit. Janë regjistruar të gjithë që kanë dashur. Pra, duke qenë edhe vetë pjesë e tij, kemi pranuar dhe prodhuar më shumë sasi sesa cilësi”, shprehet ai.
Po të bëhej regjistrimi më i seleksionuar, thotë Shabani, dhe rritja e kritereve ndaj studentëve, “mendoj se sot do të kishim mësues më me nivel, jo sepse nuk ka aty-këtu, dhe në të njëjtën kohë nuk do të ngopej interesi për të ndjekur këto studime”.
Ai më tej thekson se, “në këtë situatë që e kemi me këtë program studimor, zgjidhje është që ai të transformohet në disa programe studimore”.
“Tashmë për përgatitjen e kuadrove në lëndët e arsimit të fazës së dytë të shkollës fillore dhe të mesme për lëndët e identitetit kombëtar: gjuhë shqipe e letërsi, histori, gjeografi, art figurativ dhe art muzikor”, shprehet Shabani.
Ai në këtë prononcim u ndal veçanërisht te mungesa e deritanishme dhe nevoja urgjente për hapjen e Programit studimor Gjuhë shqipe e letërsi.
“Është paradoks të konstatohet se një program të këtillë studimor, apo gjuha shqipe mësohet si lëndë në: Gjermani, Austri, Itali, SHBA, Rusi, Serbi, por jo në Malin e Zi, në të cilin shqiptarët janë popullsi autoktone dhe me potenciale të fuqishme ekonomike. Këto programe studimore jo vetëm që do të duhej të ishin pa pagesë, por edhe studentët që i marrin do të stimuloheshin me bursa. Vetëm taksat që paguajnë pesë biznesmenë të njohur shqiptarë në Malin e Zi do të ishin të mjaftueshme për të financuar punën e këtyre programeve studimore”, shprehet Shabani.
Në anën tjetër, Dr. Haxhi Shabani pyet se kush e ndalon qeverisjen vendore të Ulqinit e Tuzit, me mbështetjen edhe të qeverisjes qendrore, që të krijojnë së bashku universitet publik me emrin e dy qyteteve?
“Fillimisht me dy fakultete, ta zëmë: Fakulteti i Turizmit në Ulqin dhe Fakulteti i Bujqësisë në Tuz, të cilët me hapjen e programeve studimore që i kërkon tregu i punës, do të ishin edhe rentabël”, sqaron Shabani.
Ndërkaq, ai shprehet se ne shqiptarët në Malin e Zi duhet të kemi arsimim në nivel të universitetit publik, “sepse jo vetëm që kemi nevojë, por edhe sepse kjo është e drejtë e garantuar me ligje në nivel të Malit të Zi e ato ndërkombëtare dhe më në fund sepse jemi taksapaguesit më të rregullt në këtë shtet”.
Shabani pohon se ka mendime që thonë se shqiptarët në Malin e Zi i kanë afër universitetet në Shqipëri dhe Kosovë e më gjerë, “por, nga përvoja ime është dëshmuar se ekzistenca e tyre nuk mund të mbushë boshllëkun e mungesës së arsimimit universitar publik në shqip në Malin e Zi”, përfundon Dr. Haxhi Shabani.
Çështja e hapjes së një institucioni të lartë arsimor, fillimisht në Tuz, ka qenë prej vitesh objekt diskutimi, sidomos në vitin 2003, ndërsa nevoja për hapjen e një qendre universitare u riaktualizua para pak vitesh dhe u rendit si prioritet i një grupi partish shqiptare. Megjithatë, deri më sot, qyteti ende nuk ka fituar ‘statusin’ e një qyteti universitar. Nga ana tjetër, sfidat në degën e vetme në gjuhën shqipe në Podgoricë tregojnë për një pasiguri mbi të ardhmen e saj.
T. Ujkaj
