Servilizmi te shqiptarët

Servilët janë njerëz me karakter të ulët dhe vlera të vogla njerëzore. Jeta e tyre e zbrazët shpirtërore dhe dobësimi i karakterit normalisht që i largon ata nga rruga e drejtësisë dhe e ndershmërisë, sepse ata në këtë rrugëtim nuk hezitojnë të shkelin dhe shkatërrojnë në mënyrë të paskrupullt fatet individuale dhe familjare njerëzore të atyre që guxojnë t’u dalin përpara, me çka edhe marrin rrugën e gabuar dhe të njerëzve të padrejtë dhe të pandershëm, të cilët njerëzimi dhe shoqëria pse jo edhe drejtësia e Zotit, herët apo vonë do t’i gjykojë për rrugën e zgjedhur

Qani Osmani

Servilizmi është një dukuri që ka ekzistuar në të kaluarën dhe po përhapet gjithnjë e më shumë në shoqërinë tonë. Servilët janë njerëz të cilët për të gjetur një vend në një shoqëri të caktuar janë të gatshëm të ulen deri në pikën e fundit, duke mos pasur respekt as për veten, duke zhdukur çdo lloj mendimi të ndryshëm-nga ai i atyre që në një farë mënyre adhurohet”, duke u kthyer kështu në “kukulla” me të cilat zbaviten të fuqishmit apo edhe të zgjuarit.
Fjala servil ka një origjinë nga shoqëria skllavopronare, kur skllavi trajtohej si kafshë që fliste. Në fakt për skllavopronarin, skllavi ishte një vegël e gjallë e punës, ishte rob, në kuptimin më të mirë të fjalës. Pa këta skllevër që i janë nënshtruar lehtësisht, pa këta robër apo puthadorë, nuk ka jetuar asnjë rend shoqëror, me gjasë nuk po mund të mbijetojë as shoqëria jonë në tranzicion.
Është më se e sigurt se fjala skllav e antikës nuk është e barasvlershme me fjalën servil të kohës sonë. Pasi skllavi i antikës është ushqyer aq sa i është dashur skllavopronarit për t’ia krijuar mbivlerën, servili i sotëm paguhet goxha mirë, ndonëse te ne edhe mund të ketë përjashtime. Po e them këtë, se edhe sot ka mjaft skllevër modernë që krenohen duke lavdëruar deri në qiell, sundimtarin e tij, edhe pse mund të mos e ketë ushqimin e nevojshëm për familjen e tij në sofrën e varfër. Sigurisht që, shoqëria edhe në antikë, dhe edhe sot i ka dhe i ka pasur njerëzit e vet me integritet personal të lartë, që kanë dalë e dalin në ballë të furtunave. Kundrejt të tjerëve që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit dhe parapëlqejnë që në jetë të depërtojnë me anë të lëvdatave dhe lajkave ndaj atyre prej të cilëve varen drejtpërdrejt, si në jetën e përditshme shoqërore ashtu edhe institucionale.
Këto tipare krahasuar në këtë aspekt edhe e definojnë karakterin individual njerëzor, ndërmjet “atyre” që zgjedhin të hapërojnë përpara pa u përkulur dhe krenarë drejt sfidave të jetës, që normalisht i sprovojnë përditë me shumë pengesa, por që ia dalin vazhdimisht më të fortë dhe më të afërt ndaj Zotit dhe njerëzve të mirë dhe të ndershëm, dhe të “atyre” që e zgjedhin rrugën më të lehtë dhe më të shkurtër, të cilëve nuk u pengon edhe të përkulen, të servilosen, pa kursyer lëvdata për shefat dhe padronët e tyre, sa herë që kjo t’u kërkohet, por që në fund përfundojnë të poshtëruar shpirtërisht, sepse kanë zgjedhur jetën më të lehtë dhe pa gjemba dhe që frikësohen nga pasiguria financiare dhe nga sprovat dhe sfidat e përditshme jetësore, që fundja edhe duhet ta forcojë karakterin individual të një personi.

Servilizmi politik
Në jetën e përditshme normalisht që secilit individ i ka ndodhur të ballafaqohet me sprova të tilla, qoftë në vendin e punës dhe sidomos në politikë. Prandaj është bërë modë dhe si duket kështu ka qenë gjithmonë që, nga njëra anë, udhëheqësit e institucioneve dhe nga ana tjetër kryetarët e partive politike dhe oligarkët partiakë të parapëlqejnë dhe të afrojnë rreth vetes njerëz që dikur në ushtri me përbuzje i quanin “përfitues (grabitqarë)”, apo që tash i quajmë “Puthadorë, Sahanlëpirës” dhe “Çantabajtës”, sepse kjo është për ta rruga më lehtë dhe pa gjemba dhe kthesa të rrezikshme në rrugëtimin, gjegjësisht në karrierën e tyre politike.
Këtë e përfitojnë servilët me mjeshtri “përfituesi”, të cilëve nuk u pengon të ndërrojnë fytyrën, të përfolin dhe shpifin për të tjerët, të rrezikojnë dhe të marrin në qafë ata që ua “turbullojnë ujin” dhe “prishin gjumin” shefave të tyre dhe duke i lartësuar ata në piedestalin më të lartë të mundshëm, si njerëz të pafitueshëm dhe të pazëvendësueshëm.
Servilët si të tillë janë shumicë si votues individualë, ata edhe mund përkohësisht të fitojnë në zgjedhje, por fitorja e vërtetë normalisht se do të mungojë, sepse atyre nuk iu intereson të fitojë “E mira e përgjithshme”, por vetëm e “mira personale”, dhe me këtë zgjedhje ne si shoqëri dhe komb do të vazhdojmë të “hapërojmë në vend”, duke u marrë me vetveten, pra me njëri-tjetrin individualisht dhe duke mos pasur aspirata të bëjmë ndryshimin në rrafshin e përgjithshëm.
Në një shoqëri, nëse secili individ do ta bënte punën e vet me përkushtim dhe ndershmëri, atëherë nuk do të ekzistonte “e keqja”, dhe të gjithë do të ishin të lumtur me zgjedhjen e “rrugës së vërtetë”. Kësisoj nuk do të mungonin edhe rezultatet dhe mirëqenia e përgjithshme shoqërore, por për ta bërë këtë luftë, normalisht se udhëheqësit do t’i përzgjidhnin “ushtarët e tyre më të mirë”, ashtu siç trajneri që i zgjedh lojtarët më të mirë për të korrë fitore në fushën sportive.
Megjithatë, për ta bërë përzgjedhjen e duhur doemos se duhet ndryshuar kriteret dhe niveli i përgatitjes profesionale të pretendentëve për funksione publike, sepse servilët nuk janë të mësuar me ballafaqimin me sprovat dhe sfidat jetësore, por vetëm me ikjen prej tyre dhe strehimin nën “hijen e ombrellës së sigurt të pushtetit”. Përfundimisht, po këta të njëjtët janë të prirë të nuhasin me kohë se “ombrella është shpuar dhe nuk i mbron më”, dhe të parët do të vërsulen me shigjetat e tyre të lajkave dhe lëvdatave për të gjetur vend ndër të parët në ombrellën e pushtetit të ri, dhe do t’i shërbejnë këtij me po aq devotshmëri dhe servilizëm, sepse për këtë janë tashmë të specializuar dhe të paarritshëm.

Servilizmi intelektual
Servilizmi është sëmundje e pashërueshme dhe kronike e shqiptarëve. Pa dashur ta personalizoj analizën e mëposhtme, servilët dallojnë për nga niveli intelektual. Sa më i ngritur të jetë servili, serviliteti është më i rrezikshëm dhe më i sofistikuar (më elegant dhe më i padukshëm nga të tjerët), kurse sa më injorant të jetë servili kalon në banalitet dhe bëhet i dallueshëm nga të tjerët!
Servilët më të mëdhenj të partive politike janë militantët dhe injorantët të cilët kënaqen me gjëra të vogla, mjafton një foto e bërë me liderin partiak për t’i qëndruar sa të jetë gjallë në shërbim të tij! Servilizmi i militantëve dhe injorantëve morbid nuk është aspak i rrezikshëm, sa është servilizmi i intelektualëve dhe njerëzve të ngritur në aspektin arsimor. Servilizimi apo rreshtimi i intelektualëve në anën e partive politike është duke e dëmtuar seriozisht të ardhmen e vendit. Hyrja e intelektualëve nën tutelën e partive të caktuara politike dhe nën komandën e liderëve shtetërorë dhe partiakë e bën akoma më të pashpresë jetën e qytetarëve në Kosovë.
Intelektuali i mirëfilltë nuk qëndron indiferent ndaj zhvillimeve politike dhe shoqërore, por e mban anën e popullit e jo të një partie politike. Një njeri që i thotë vetes intelektual dhe atdhetar që sot rri indiferent ndaj zhvillimeve politike në vend, le t’i thotë çfarë të dojë vetes, por në realitet nuk është në nivelin që e pretendon. Merreni me mend çfarë do të ndodhte sikur të tërhiqeshin të gjithë intelektualët, siç janë strukur një pjesë e intelektualëve të profilit të “lartë” në mesin e injorantëve partiakë!
Me siguri në këtë vend nuk do të bëhej më fjalë për ndryshime pozitive as për zgjedhje demokratike, as për zhvillim ekonomik dhe mirëqenien qytetare, por do të fashiteshim të gjithë deri në tjetërsim kombëtar e njerëzor nga qeverisjet e papërgjegjshme dhe antivlerat e ricikluara nga njëra parti në tjetrën.
Ndoshta, ne që jemi aktivë dhe të pandalshëm në përballje me dukuritë negative dhe prapësitë e kohës nëpër të cilën po kalojmë, intelektualët servilë të kalibrit të “lartë” na konsiderojnë të çmendur! U mbetet qytetarëve të vendit, që ta vlerësojnë kontributin e secilit prej nesh, por edhe servilizmin dhe ndërgjegjen e intelektualëve interesxhinj. Paraja mund ta dëmtojë nivelin intelektual të servilëve, por jo edhe të intelektualëve që e kanë për mision interesin e qytetarëve dhe të ardhmen e shtetit të tyre të lirë dhe demokratik.
Në rrethanat e reja të krijuara në shoqërinë e sotme shqiptare, populli ka nevojë si asnjëherë më parë për unifikimin e trurit kombëtar, të intelektualëve, të njerëzve të ditur dhe të atdhetarëve të vërtetë për ta nxjerrë vendin nga pushtimi i antivlerave, dukurive të shumta negative: korrupsioni, krimi i organizuar, prostitucioni politik, nepotizmi, egoizmi dhe imoraliteti njerëzor për ta shpëtuar vendin nga zhveshja e vlerave tradicionale, zakoneve popullore dhe identiteti kombëtar.
Përfundimisht, pa marrë parasysh epilogun e palakmueshëm të atyre që kanë “integritet personal”, të atyre që zgjedhin të mos bëhen hyzmeqarë, por të ecin përpara me forcat e tyre, ata janë gjithmonë fitimtarë të padiskutueshëm në hapërimin e tyre, gjegjësisht në fushëbetejën e jetës së përditshme, krenarë që e kanë zgjedhur rrugën e vërtetë të drejtësisë dhe për të bërë vepra të mira në jetë, edhe atëherë kur kjo u kthehet me të keq, sepse janë të vendosur dhe të palëkundur në besimin se rruga e drejtësisë është e shtruar me gjemba, por në fund shpërblehet, mbasi drejtësia vonon por nuk harron.

Të fundit

më të lexuarat