
Ulqinakët u zgjuan të dielën me skena që ishin mësuar t’i shohin kohës së fundit në televizor, kanalin YouTube dhe rrjete të ndryshme shoqërore në vende të tjera, të njohura për problemet me shirat e rrëmbyeshëm, mbase pa menduar se një ditë do të bëhen edhe vetë pre dhe “aktorë” të skenave të tilla.
Rrugët kryesore të qytetit u shndërruan në përronj të vërtetë. Shëtitorja e njohur e Ulqinit në Ranë (Plazhin e Vogël) dukej si një vazhdim gati i natyrshëm i detit. Këto pamje pothuajse gjysmapokaliptike krijuan një teatër absurd, që qytetarët e shfrytëzuan edhe për skena tragjikomike.
Dëmet e shkaktuara janë të mëdha. Disa dhjetëra e mbase edhe qindra shtëpi banimi dhe objekte të ndryshme kanë raportuar se iu ka depërtuar uji brenda. Ka zona të njohura të qytetit që janë përmbytur apo kanë pasur tradicionalisht probleme me ujin, si shkolla e mesme në Ulqin, por kësaj radhe janë përmbytur edhe pjesë që nuk kanë pasur në të kaluarën probleme me ujërat atmosferike.
Natyra i ka ligjet e veta dhe përmbytjet janë një dukuri normale natyrore në vende të ndryshme të botës, të rrezikuara nga vërshimet etj., por kjo nuk mund të thuhet edhe për Ulqinin. Po ashtu, pavarësisht faktit se shi i tillë ka kohë (vite) që nuk ka rënë në Ulqin, kjo nuk mund të justifikojë kurrsesi rolin dhe ndihmesën e faktorit njeri si dorë e zgjatur e përmbytjeve.
Të gjithë ne jemi fajtorë dhe i kemi kontribuar kësaj situate në mënyrën e vet, por në radhë të parë pushtetmbajtësit lokalë dhe qendrorë, të cilët i kanë mbyllur sytë ndaj paligjshmërive të ndryshme në fushën e planifikimit hapësinor dhe ndërtimit. Kanalet kulluese janë mbyllur nga ndërtimet e paligjshme. Përroi i Braticës, i njohur në popull si Kanali i Braticës, pothuajse është mbyllur fare nga ndërhyrjet e paligjshme.
Situata e krijuar nga përmbytjet i gjeti fjetur dhe zbuloi hapur pushtetin vendor, organet dhe ndërmarrjet e tij, duke dëshmuar papërgjegjësinë, joprofesionalizmin, e pse jo edhe demaskuar korrupsionin e tyre.
Pavarësisht faktit se metereologët kishin paralajmëruar reshje të mëdha shiu, institucionet vendore dhe ndërmarrjet komunale përgjegjëse nuk ishin parapërgatitur dhe nuk kishin ndërmarrë masa përgatitore për përballimin e një fatkeqësie të tillë natyrore, duke i lënë qytetarët në mëshirën e fatit.
Përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit, ndërmarrjeve të saj etj. u mjaftuan me deklarata se kanë dalë në terren dhe që nëpunësit e tyre do të dalin ditët në vazhdim për të regjistruar dëmet e shkaktuara, pa marrë përsipër përgjegjësinë dhe fajin e vet.
Jam i sigurt se edhe kësaj radhe kjo situatë do të harrohet shpejt dhe se askush nuk do të japë llogari për dëmet e shkaktuara. Ajo do t’u shërbejë qytetarëve të Ulqinit si një temë për diskutim për të kaluar dimrin nëpër kafenetë e qytetit, në vend të përrallave të dimrit, dhe do të kujtohet derisa një temë tjetër më me rëndësi (si Alabari) t’i zëjë vendin asaj.
Nga një këndvështrim tjetër, përmbytjet e fundit mund të konsiderohen edhe si një paralajmërim nga Zoti për gjynahet (mëkatet) e njeriut, sidomos e njerëzve lakmiqarë dhe të papërgjegjshëm, ndaj shkatërrimit të natyrës, në rastin tonë Ulqinit.
Në fund, duke parë shkallën e përgatitjes sonë si shoqëri për t’u ballafaquar me përmbytjet apo fatkeqësi të tjera natyrore, nuk na ka mbetur gjë tjetër përpos që t’i lutemi Zotit që të mos bjerë më shi i tillë.
