Pas 12 orëve debat, më 19 gusht Qeveria e 43-të e Malit të Zi humbi votëbesimin, e paralajmëruar me herët nga 36 deputetë nga shumica parlamentare (PDS,PL,SD,PSD,UDSH), të cilëve u janë bashkëngjitur edhe deputetët nga PB, si dhe janë mbeshtetur edhe nga një pjesë e opozitës aktuale (Demokratët e Malit të Zi). Nga votimi dual qartë se kemi të bëjmë me shumicën e re parlamentare (Gjukanoviq-Beçiq), e cila në ditët në vijim do të dëshmohet si votim i rastit për rënien e Qeverisë, apo do të jetë një koalicion qeverisës në të ardhmën.
Votimi i mocionit të mosbesimit do të mbesë në historinë e Malit të Zi, sepse Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazoviq, është me afat më të shkurtër prej 113 ditësh! (28 prill-19 gusht)
Nëse Qeveria e parë e dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020 ishte e ekspertëve, kjo e dyta ishte pakicë, por nuk pati jetëgjatësi edhe pse tregoi gatishmëri e guxim për t‘u ballafaqur me korrupsionin e kriminalitetin si asnjë qeveri deri më tash.
Por, në agjendën e programit qeveritar kishte edhe çështje të cilat nuk janë zgjidhur me herët, duke mbetur pezull vite më radhë. Në këtë aspekt bën pjesë nënshkrimi i Marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe (KOS), çështje e cila nuk është vetëm teologjike por edhe politike në raportet malazezo-serbe, sidomos nga viti 1918 kur Malit të Zi ia mohuan shtetësinë.
Duke marrë parasysh se nga viti 2006, Mali i Zi ka rikthyer pavarësinë e humbur, ka qenë e udhës që nga ajo kohë Qeveria të angazhohej në zgjidhjen e kontekstit me KOS-in. Por, siç duket qeveritë e mëparshme kanë pasur në fokus të veprimtarisë së tyre çështje të tjera më të rëndësishme duke e margjinalizuar këtë çështje e cila ka peshë të veçantë për popullsinë ortodokse, kryesisht serbe në këtë mjedis. Por, në saje të ndryshimit të pushtetit nga 30 gushti 2020 dhe ardhjes së opozitës në pushtet, kjo çështje me peshë politike ishte me përparësi në agjendën qeveritare. Por, pas formimit të Qeverisë pakicë me kryeministër Dritan Abazoviqin, ai nuk hezitoi por u a në realizimin praktik te saj.
Marrëveshja me KOS-in, shkak i rënies së Qeverisë
Ndonëse kryeministri Dritan Abazoviq është paralajmëruar më herët nga partia e presidentit Millo Gjukanoviq (PDS) së nëse e nënshkruan Marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) ai do të shkarkohet përmes mocionit të votëbesimit nga Kuvendi i Malit të Zi, ai vërejtjet e tilla nuk i ka vlerësuar si reale, i bindur së nuk është duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
Por, pikërisht në ditën kur e nënshkroi Marrëveshjen me patriarkun e KOS-it në Podgoricë, më 3 gusht 2022, mediat njoftuan se disa orë më pas PDS-ja ka nënshkruar kërkesën për mocion të mosbesimit të Qeverisë dhe e kanë depozituar në sekretarinë e Kuvendit.
Duhet cekur me këtë rast se si nga ana e presidentit M.Gjukanoviq por edhe nga partitë e tjera parlamentare, është kërkuar që teksti i Marrëveshjes të përmirësohet si dhe nënshkrimi i saj të shtyhet për disa muaj deri në fund të vitit, por çdo tentim ka qenë i kotë. Andaj, shikuar në këtë aspekt, shkas për rënien e Qeverisë është Marrëveshja me KOS-in, edhe pse ka edhe shkaqe të tjera, siç janë lufta kundër korrupsionit e kriminalitetit, burgosja e individëve në pozita shtetërore etj, të cilët kanë qenë pjesë e qeverisjes shtetërore vite më radhë.
Rezultatet për 100 ditë
Por, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazoviq, për këto ditë ka arritur disa suksese të cilat më herët nuk i ka arritur asnjë qeveri me mandat të plotë. Përveç nënshkrimit të Marrëveshjës me Kishën Ortodokse Serbe, që ai e cilëson si të arritje në favor të pajtimit të popullsisë ortodokse në Mal të Zi, e veçantë është lufta kundër korrupsionit dhe krimininalitetit, që dëshmohet me burgosjen e disa individëve në piramidën e pushtetit, por edhe të disa grupeve të ndryshme të narkodilerëve, etj.
Pasi mocioni i mosbesimit të Qeverisë është transmetuar drejtpërdrejt në televizion, në kanalin parlamentar qytetarët kanë pasur mundësi të përcjellin diskutimet e deputetëve. Pa dashur të analizoj paraqitjet e tilla që ishin me interes, sidomos nga kryeministri Dritan Abazoviq, i cili ofroi të dhëna për luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit duke cekur emra të individëve të lidhur me pushtetin vite më radhë, ku një numër janë në paraburgim. As kundërshtarët politikë më fanatikë, nuk mund të mohojnë arritjet, por çështja qëndron të animoziteti politik, qofshin ato personale apo partiake.
Ulqini në mes shpresës dhe zhgënjimit
Me zgjedhjen e Dritan Abazoviqit në pozitën e kryeministrit të Qeverisë së Malit të Zi, qytetarët e Ulqinit menjëherë vërejtënn se ka shpresë për investime të cilat kanë munguar vite me radhë nga ana e PDS-së. Ndërsa tani në vitin 2022 disa projekte janë bërë pjesë e programit vjetor të Qeverisë, siç është ura mbi lumin Bunë, investime në infrastrurën rrugore, hotele, ndërsa nuk duhet harruar rikthimin e ullishtës së Valdanosit qytetarëve, përkatësisht ish-pronarëve në Ulqin, pastaj statusin e kryporës, projekti për çerdhen e fëmijëve në Fushë të Ulqinit etj. Janë këto projekte që janë pjesë e agjendës qeveritare, të cilat kanë munguar në qeverisjen e PDS-it për tridhjetë vite. Andaj, largimi i Dritanit nga pozita e kryeministrit do të ketë efekte negative, sepse do të paraqiten pengesa të ndryshme byrokratike e subjektive si më herët, sepse e kaluara ka qenë dështuese dhe jashtë interesimit të pushtetit për investime në Ulqin.
E dhëna se nga ana e PDS-së për tridhjetë vite të qeverisjes, nga Ulqini nuk ka qenë i emëruar asnjë ministër shqiptarë apo në pozita të rëndësishme qeveritare dëshmon mjaft, gjoj për konsideratën e treguar ndaj shqiptarëve, ndërsa e kundërta ndodhi për këtë mandat të kufizuar të kryeministrit D. Abazoviq, i cili duke emëruar një numër të konsideruar shqiptarësh në ministri të ndryshme, ndikoi në ndryshimin e strukturës kombëtare në fushën e punësimit, që paraqet një moment që duhet të vlerësohet.
Zhbllokimi i institucioneve
Pavarësisht rrëzimit të Qeverisë, përbërja aktuale e Parlamentit i ka të gjitha mundësitë të bëjë zhbllokimin e institucioneve të vendit përmes shumicës së kualifikuar sipas rekomandimeve nga Bashkimi Evropian. Fjala është për zhbllokimin e institucioneve të drejtësisë, në zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Prokurorin Suprem Shtetëror, të cilat kanë mbetur pa u realizuar tash dy vite duke dëshmuar joseriozitet në punën e partive parlamentare, që do të jenë me pasoja për qytetarët.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare si zgjidhje
Sipas paralajmërimeve të disa partive politike, për të dalur nga kjo krizë qeveritare ekzistojnë disa opsione, ku një ndera ndër to është edhe formimi i qeverisë së re nga fituesit e zgjedhjeve të 30 gushtit 2020. Kemi të bëjmë me mundësi logjike, por duke marrë parasysh animozitetin në mes subjekteve politike (URA-Demokratët) vështirë të realizohet. Ndërsa nga URA kanë njoftuar se nuk do të jenë pjesë e asnjë qeverie te re, ndërsa ajo të formohet nga shumica e re parlamentare, konkretisht nga partia e Millo Gjukanoviqit (PDS) dhe Aleksa Beçiqit(Demokratët).
Por, nëse nuk arrihet të formohet qeveria e re, si opsion mbetet që qeveria aktuale në cilësinë e asaj teknike të vazhdojë deri në organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare nëse nuk ndodhë ndonjë kombinim i pa pritur, sepse partitë parlamentare duan të fitojnë në kohë duke ruajtur pozitat e tyre.
Në saje të përvojës së deritashme, nëse në ditët në vijim e më së largti deri më 18 shtator nuk do të vihet deri të emri i mandatarit për formimin e qeverisë së re, atëherë presidenti i vendit Millo Gjukanoviq duhet të marrë vendim për shpërbërjen e Kuvendit dhe të shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare. Një vendim i tillë do të ishte i logjikshëm, sepse pas formimit dhe dështimit të dy qeverive në afat prej dy vitesh, zgjedhjet parlamentare janë zgjidhje për të dalur nga kriza qeveritare e parlamentare si kudo në vendet demokratike.