Pse mediat nuk janë më vetëm media?!

Është e qartë se mediat në shekullin aktual përballen me sfida të cilat me rënien e Murit të Berlinit u duk sikur janë tejkaluar. Por tashmë është e qartë se ideologjinë komuniste, e më herët atë naziste, e kanë përcjellë me sukses gjeneratat e reja përmes përhapjes së urrejtjes racore, fetare e ideologjike, ose duke promovuar mënyra të reja dhe “moderne” të konceptit të familjes, gjinisë dhe funksionimit të shoqërisë. E gjithë kjo është me bazë të njëjtë, por duke iu dhënë emra të rinj. Disa i quajnë MAGA followers, të tjerët Woke liberals, por në parim kanë tipare të njëjta. Të dyja palët tentojnë të propagandojnë agjendën e tyre, pa asnjë kujdes për interesin e kombit, vendit apo botës në përgjithësi

Bekim Çoba

Ishte 4 gushti i vitit 1989 kur drejtori i Komisionit Federal për Komunikim (Federal Communications Commission – FCC) Dennis R. Patrick, nënshkroi shfuqizimin e “Fairness doctrine”, akt i cili për 40 vite kishte shërbyer për të mbrojtur publikun amerikan nga dezinformatat dhe trajtimi i padrejtë në media. Shfuqizimi erdhi si përgjigje ndaj raportit që më herët kishte dorëzuar paraardhësi i tij Rober S. Fowler, ish-shef i stafit elektoral të presidentit Ronald Reagan, sipas të cilit ky akt dëmton interesin publik dhe fjalën e lirë. I miratuar nga Kongresi amerikan në vitin 1949, akti synonte të balanconte mënyrën e informimit por edhe të barazonte praninë në media të grupeve politike. Ai kishte edhe anët negative, pasi keqpërdorej nga politikanët për të ndikuar në mediat kundërshtare, duke i çuar ato në konflikt me sponsorët pasi i detyronte t’i jepnin hapësirë edhe kundërshtarëve politikë.
Vlen të përmendet se komisionerët drejtues të FCC-së e miratuan shfuqizimin njëzëri, si ata republikanë ashtu edhe demokratë. Që atëherë, përveç disa tentativave sporadike, nuk ka pasur përkrahje nga asnjëra palë për ta rivendosur këtë akt. Ata që e mbronin shfuqizimin argumentonin se liria e mediave dhe diversiteti i tyre në SHBA mjaftonte për të ofruar informim të saktë dhe të balancuar, ndërsa kundërshtarët paralajmëronin se dezinformimi do të pësojë rritje dhe se do t’u hapej rrugë mediave me tendenca propagandistike. Nuk duhet shumë për të kuptuar se kush doli të kishte të drejtë.
Tri dekada e gjysmë më vonë skena mediatike amerikane vazhdon të jetë e lirë dhe diverse, por e ndarë thellësisht përgjatë linjave partiake dhe ideologjike. Pa marrë parasysh nëse anojnë majtas apo djathtas, duket sikur qëllimi i tyre i vetëm është të çojnë përpara agjendat e pronarëve ose sponsorëve, duke lënë në baltë interesin e përgjithshëm publik. Ky lloj informimi, i fuqizuar edhe më tepër me daljen në skenë të rrjeteve sociale, mund të konsiderohet vendimtar në rritjen e mosbesimit ndaj mediave në përgjithësi, dhe kthimin e vëmendjes së publikut drejt krijuesve të pavarur të përmbajtjeve mediatike (media content creators). Kuptohet që kjo jo vetëm nuk e ka përmirësuar situatën, përkundrazi, publiku amerikan sot është më keq i informuar se asnjëherë, dhe thellësisht i pambrojtur nga propaganda agresive, pa marrë parasysh se nga cili kah vjen. Duket absurde, por amerikanët sot janë po aq viktima të propagandës partiake sa dikur banorët e ish-vendeve komuniste të Lindjes, me të vetmin dallim se kjo propagandë nuk vjen nga vetëm një qendër.
Në anën tjetër, Evropa duket se më lehtë po përballet me këtë rrezik të propagandës mediatike, më së shumti falë ligjeve rigoroze për trajtim të drejtë në media, por edhe dallimeve të mëdha që ekzistojnë mes popullsisë së vendeve anëtare. Edhe në Evropë ka mosbesim ndaj mediave tradicionale, por ai është shumë më i ulët se në SHBA pasi ato më kryesoret kanë arritur ta ruajnë profesionalizmin edhe pse financohen nga fondet publike. Mund të marrim shembull dy stacionet televizive gjermane, ARD (Das Erste) dhe ZDF, të cilët janë më të ndjekurit edhe pse financohen nga shteti. Këtë e kanë arritur duke ruajtur paanshmërinë pa marrë parasysh se cila parti apo koalicion ndodhet në pushtet. Në këto dy stacione, por edhe në ato të ngjashëm në vendet e tjera evropiane, nuk ka vend për gazetarë apo folës të lajmeve që përhapin pikëpamjet personale politike apo ideologjike, diçka që në mediat në SHBA tashmë është bërë normale. Kjo pa dyshim ka kontribuar që ata ta ruajnë besimin e publikut të gjerë, përkundër presioneve në rritje nga rrjetet sociale dhe ideologjitë ekstremiste në rritje.
Nëse i krahasojmë me mediat publike në SHBA, Public Broadcasting Service (PBS), i cili pjesërisht financohet nga fondet publike, ka një shikueshmëri minore në krahasim me stacionet private kabllore, ndërsa në Evropë mediat publike janë ndër më të ndjekurat. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato janë jashtë rrezikut. Përpjekjet gjithnjë e në rritje të oligarkëve dhe miliarderëve për të kontrolluar skenën mediatike, e sidomos fuqizimi i tyre politik, mund të çojë me kalimin e kohës në presione për ndryshimin e ligjeve aktuale, ndërsa fuqia e tyre financiare mund të eliminojë (përmes blerjes ose nxjerrjes jashtë skenës) mediat kundërshtare. Rasti i Berlusconit në Itali në vitet ‘90 mund të jetë një shembull i mirë se si mediat mund të ndikojnë në karrierën politike të miliarderëve. Ai nuk kishte fuqinë politike e ndoshta as dëshirën për të kontrolluar komplet diskursin publik përmes mediave që kishte në pronësi, por ka mjaft miliarderë, si në Evropë ashtu edhe gjetkë, që vetëm presin mundësinë për diçka të tillë.
Sa i përket Ballkanit, situata është më shqetësuese. Sidomos në Shqipëri dhe Serbi. Në të parën, mediat private, po ashtu të ndara përmes linjave partiake dhe grupeve të interesit, kontrollojnë komplet skenën mediatike. Stacioni publik (RTSH) ndiqet shumë pak, por edhe sikur të ndiqej, kjo nuk do të shërbente për një informim më të drejtë, pasi kontrollohet komplet nga partitë që vijnë në pushtet. Propaganda politike në media është shumë agresive dhe Shqipëria mund të konsiderohet si një SHBA në Evropë në këtë aspekt. Situatë e ngjashme është edhe në Serbi, por edhe më e rëndë sa i përket presionit institucional në media nëse nuk i përshtaten agjendës së partisë në pushtet.
Në Mal të Zi, Ligji për media në parim është rigoroz në aspektin e mbrojtjes së të drejtës për informim të saktë dhe të drejtë, por rreziku mund të kanoset nga pasiguria financiare e mediave. Duke pasur parasysh tregun e vogël, mediat private përballen me vështirësi konstante financiare, çka mund të sjellë monopol mediatik. Në pamundësi për t’u bërë ballë presioneve, ato mund të përfundojnë në pronësi të njëjtë, duke sjellë diversitet në emër, por jo edhe në informim. Mund të marrim si shembull rastin e “Vijesti”-t dhe “Nova M”, dy stacione të ndryshme por me pronarë të njëjtë (United Media Group). Transmetuesi publik (RTMZ) mundohet të tregojë një lloj paanshmërie, edhe pse është e qartë se presionet në këtë drejtim nuk mungojnë, si nga politika ashtu edhe nga rivalët, secili me qëllime të ndryshme por që mund të çojnë në përfundim të njëjtë – humbjen e besimit.
Si përfundim, është e qartë se mediat në shekullin aktual përballen me sfida të cilat me rënien e Murit të Berlinit u duk sikur janë tejkaluar. Por tashmë është e qartë se ideologjinë komuniste, e më herët atë naziste, e kanë përcjellë me sukses gjeneratat e reja përmes përhapjes së urrejtjes racore, fetare e ideologjike, ose duke promovuar mënyra të reja dhe “moderne” të konceptit të familjes, gjinisë dhe funksionimit të shoqërisë. E gjithë kjo është me bazë të njëjtë, por duke iu dhënë emra të rinj. Disa i quajnë MAGA followers, të tjerët Woke liberals, por në parim kanë tipare të njëjta. Të dyja palët tentojnë të propagandojnë agjendën e tyre, pa asnjë kujdes për interesin e kombit, vendit apo botës në përgjithësi.

Të fundit

më të lexuarat