Prona publike është e të gjithë qytetarëve

Tuz – Uzurpimet e pronës publike janë bërë shkak që Komuna e Tuzit të reagojë, përkatësisht të shembë disa rrethime që sipas tyre janë jolegale, kështu është theksuar në njoftimin të cilin shërbimi i kryetarit të Komunës, ia dërgoi redaksisë së Gazetës “Koha Javore”.
“Ju informojmë se ne, si vetëqeverisje lokale, jemi kompetentë për kontrollimin e rrethimeve, të cilat bëhen nga individë të papërgjegjshëm, në dëm të pronës publike. Pas paralajmërimeve të shumta zyrtare, qytetarët e ndërgjegjshëm i shembën vetë rrethimet e tyre jolegale. Rasti i sotëm i përket një uzurpuesi të pandërgjegjshëm, i cili u përball me forcën e ligjit dhe kështu muri uzurpues i pronës publike u shemb”, thuhet në këtë njoftim.
Nga Komuna e Tuzit shprehen se zbatimi i ligjit në Komunën e Tuzit ka qenë një dukuri e rrallë, pasi edhe sot, siç shprehen ata, pjesëtarët e opozitës aktuale kanë përkrahur uzurpuesit.
Nga administrata lokale e Komunës së Tuzit bëjnë të ditur se objektet e ndërtuara përgjatë aksit rrugor nga Shkolla e Mesme e Përzier “25 Maji” e deri tek pika e karburantit “Luk Oil”, janë kompetencë e inspektoratit të Qeverisë, ndërkohë që siç janë shprehur, Komuna e Tuzit i ka të procesuara të gjitha ato, me ç’rast kanë ftuar Qeverinë që të veprojë sipas kompetencave të veta.
Më tutje, ata janë shprehur se asnjë individ nuk mund të jetë mbi të tjerët dhe se prona publike është e të gjithë qytetarëve të Malësisë.
“Pronat pranë rrugës ndërkombëtare, nga Gjimnazi e deri te pompa e karburantit Lukoil, do të jenë të gjitha shumë shpejt në prokurim publik për shfrytëzim të përkohshëm. Të gjithë të interesuarit do ta kenë mundësinë që të konkurrojnë dhe t’i shfrytëzojnë ato për biznese të ndryshme. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të mbrojmë pronën e Komunës, mbështetur në kompetencat që kemi me ligj”, thuhet në mes tjerash në këtë njoftim për media.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat