Pritjet dhe zhgënjimi

Këto ndryshime politike janë pritur me shpresë për ndryshimin edhe në sistemin e qeverisjes, por pas pesë vitesh, qytetarët duket se janë të zhgënjyer pasi që forcat politike qeverisëse kanë vazhduar avazin e keqqeverisjes

Më 30 gusht të këtij viti janë mbushur pesë vjet nga zgjedhjet parlamentare 2020, kur pas 30 vitesh është ndërruar pushteti në Malin e Zi, i dominuar nga Partia Demokratike e Socialistëve. Këto ndryshime politike janë pritur me shpresë për ndryshimin edhe në sistemin e qeverisjes, por pas pesë vitesh, qytetarët duket se janë të zhgënjyer pasi që forcat politike qeverisëse kanë vazhduar avazin e keqqeverisjes – me punësime partiake, nepotizëm, nivel të lartë të korrupsionit etj. Në disa segmente situata bile është përkeqësuar, si në planin e brendshëm ku janë thelluar ndarjet nacionale, fetare etj., ashtu edhe në planin e politikës së jashtme dhe procesin e integrimeve evropiane, ku vërehet qartë se Mali i Zi nuk ka një politikë unike.

Krijimi i një sistemi hibrid në vend të transformimit të vërtetë
Analisti malazez Prof. dr. Srgjan Vukadinoviq thotë se qytetarët e Malit të Zi me të drejtë kanë pritur përmirësimin e kushteve jetësore që do të vinin me këto ndryshime, por duket se ata janë zhgënjyer, sepse të gjitha padrejtësitë që kryen paraardhësit e aktorëve të ndryshimeve të gushtit janë ende të pranishme, pothuajse në të njëjtin përpjesëtim, nëse jo më të madh.
“Ato kanë rezultuar me një shumicë tërësisht të segmentuar dhe jofunksionale, ku secili përbërës tërheq në anën e vet, ndërsa përpiqet maksimalisht të kënaqë interesat e veta të veçanta. Kështu, qytetarët e Malit të Zi, në tërësi, nuk morën atë që prisnin, sidomos jo përmirësimin e cilësisë së jetës që dëshironin”, shprehet ai.
Ish-redaktori përgjegjës i gazetës ”Koha javore“, Ali Salaj, vlerëson se ajo që është arritur me këtë ndryshim politik është larg pritshmërisë dhe tejet zhgënjyese për qytetarët.
“Në vend të një transformimi vendimtar, u krijua një sistem hibrid, i cili kishte për qëllim krijimin e përshtypjes se diçka po ndryshon vërtet. Mirëpo, pushteti i dalë nga këto ndryshime nuk ka treguar se ka kapacitet për dialog. Përkundrazi, ka ndikuar në ndarjet etnike dhe në çështjet identitare”, thekson ai.
Për aktivistin shoqëror Xhemal Peroviq ndryshimet politike në Malin e Zi u treguan si humbje kohe dhe zhgënjim në çdo pikëpamje.
“Secili element i kritikuar nga ana e opozitës 30-vjeçare, po vazhdon. Bile disa dukuri, siç janë emërimet dhe punësimet partiake, me kuadro të paafta, të motivuar vetëm nga interesi personal dhe partiak, ka marrë përmasa sa karikaturale aq edhe tragjike“, vlerëson ai.

Efektet pozitive dhe negative
Duke folur për efektet e ndërrimit të pushtetit, ish-politikani Xhemal Peroviq konsideron se “pozitiv është vetëm fakti se qytetarët e kanë kapërcyer atë ngërçin se sistemi që është vendosur nga rruga (me grushtshtet), vetëm nga rruga mund të rrëzohet dhe jo me votën e lirë”.
Gazetari Ali Salaj mendon se efektet pozitive të këtij ndryshimi politik mund të shihen në fushën ekonomike, të tilla si rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe kthimi i përfitimeve për fëmijët dhe nënat.
“Krahasuar me pushtetin e mëparshëm, kjo ndikoi, pak a shumë, në mirëqenien ekonomike, por megjithatë disa nga këto masa po shkaktojnë një inflacion të theksuar duke e dërrmuar sistemin financiar të shtetit”, thotë ai.
Ndërkohë, profesori universitar Srgjan Vukadinoviq e sheh si një gjë të mirë dhe pozitive faktin e ndryshimit të pushtetit, sepse pas qeverisjes prej tri dekadash të PDS-së, populli në Malin e Zi kishte rënë në një gjendje apatie të plotë politike. Prandaj është treguar se tranzicioni politik është i mundur dhe se regjimet autokratike nuk janë të përjetshme.
“Një gjë tjetër pozitive është se ka pasur një ndërrim brezash në strukturat udhëheqëse“, thotë ai, duke e cilësuar këtë si një proces djallëzorisht të vështirë.
Ndër efektet negative ai nënvizon faktin se nuk ka ndodhur jetësimi i institucioneve dhe se nuk ka asnjë ndryshim në krahasim me regjimin e mëparshëm.
“Për shkak të ndarjes së plaçkës midis partive, ndodhi shpërbërja e institucioneve”, pohon ai.

Partitë shqiptare si dekor i pushteteve
Salaj vlerëson se partitë politike shqiptare nuk kanë arritur asnjëherë të pozicionohen në mënyrën e duhur, as në pushtetet e kaluara me PDS-në në krye, por as tani.
“Asnjëherë nuk u faktorizuan në politikën e Malit të Zi, as atëherë kur përbërja e qeverisë ose mbarëvajtja e referendumit për pavarësi varej nga qëndrimi i forcave politike shqiptare. Në të gjitha momentet u kënaqën me disa poste, pa ndikuar seriozisht në avancimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve. Ndërkaq, pozita aktuale e partive shqiptare është i një dekori politik që më shumë u shërben partive retrograde në Qeverinë e Malit të Zi për të kamufluar qëllimin e tyre përfundimtar lidhur me shtetësinë e këtij vendi”, deklaron ai.
Peroviq ndërkohë mendon se në këtë fazë, pa demokraci funksionale, për çështjen nacionale është e domosdoshme pjesëmarrja e partive nacionale në çfarëdo pushteti.
“Çështja është se me sa dinjitet dhe parime merret pjesë në pushtet. Në këtë pikëpamje, mendoj se nuk ka kurrfarë dallimi, si me PDS-në, si me shumicën aktuale. Pa parime, pa kushte, pa dinjitet, vetëm për ndonjë post ose punësim partiak“, shprehet ai.
Ndryshe mendon Vukadinoviq, sipas të cilit, ka ndryshime, para së gjithash cilësore, në pjesëmarrjen e partive shqiptare në qeveritë para vitit 2020, ku ai veçon Qeverinë e Malit të Zi të periudhës 2016-2020, dhe qeverive pas vitit 2020.
Sipas tij, megjithëse koalicioni “Shqiptarët e vendosur“ (FORCA, UDSH, ASH) kishte vetëm një deputet në Kuvendin e Malit të Zi, ai ishte shumë i rëndësishëm, sepse ishte kyç për formimin e shumicës qeverisëse të asaj kohe, për dallim prej Kuvendit dhe qeverisë aktuale, kur, megjithëse shqiptarët janë më të përfaqësuar, “votat e tyre nuk kanë ndikuar direkt dhe as nuk ndikojnë në (jo)qëndrueshmërinë e shumicës parlamentare“.

Qeveria aktuale deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare?
Të tre analistët janë të një mendjeje se përkundër fërkimeve dhe krizave të herëpashershme ndërmjet pjesëtarëve të Qeverisë aktuale, ajo do ta vazhdojë mandatin e saj deri në qershor të vitit 2027, kur janë parashikuar të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Profesori Srgjan Vukadinoviq thotë se qeverinë aktuale e mban balanca e frikës së dyfishtë.
“Nga njëra anë, ekziston frika brenda shumicës aktuale parlamentare se dikush do ta mashtrojë tjetrin ose të tretin, dhe nga ana tjetër, ekziston frika nga kthimi i PDS-së në pushtet“, thekson ai.
Gazetari Ali Salaj vëren se me dobësimin e forcave politike pro-pavarësisë së Malit të Zi, partitë politike proserbe që aktualisht përbëjnë shumicën qeverisëse do të kenë një të ardhme shumë jetëgjatë, deri në realizimin përfundimtar të objektivave të tyre.
“E ardhmja mund të ndryshojë vetëm me ndërhyrjen serioze të faktorit ndërkombëtar ose me integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian dhe me ndryshimet e mundshme demokratike në Serbi”, vlerëson ai.
Ndërsa analisti Xhemal Peroviq thotë se jetëgjatësia e qeverisë aktuale të Malit të Zi varet kryekëput nga rrethanat gjeostrategjike.
“Mendoj se kjo çështje nuk varet nga rrethanat e brendshme, nga pozicionimi ose veprimet politike të aktorëve në Mal të Zi, por thjesht, Brukseli e ka projektuar përshpejtimin dhe uljen e kritereve për anëtarësime të reja“, shprehet ai.
Më 30 gusht 2020, partitë opozitare – me ndihmën edhe të Kishës Ortodokse Serbe, arritën të fitonin shumicën duke rrëzuar nga pushteti, pas gati 30 vitesh, Partinë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit. Gjatë këtyre pesë viteve janë ndërruar disa qeveri dhe Mali i Zi ka kaluar nëpër një situatë politike të paqëndrueshme. Lëvizja Qytetare URA, si forcë politike me orientim qytetar, e cila ishte vendimtare për rrëzimin e pushtetit në vitin 2020, nuk është pjesë e qeverisë aktuale. Në anën tjetër, edhe në skenën politike në Mal të Zi kanë ndodhur ndryshime, sepse është krijuar Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiq, e cila falë politikës populiste, për një kohë të shkurtër ka përjetuar një rritje të madhe, por që me kalimin e kohës ka pësuar krizë të brendshme, siç është ikja nga kjo parti e Presidentit Jakov Millatoviq dhe e pasuesve të tij.

I. Kallaba

Të fundit

më të lexuarat