
Në zgjedhjet presidenciale të cilat u mbajten më 19 mars ku morën pjesë 7 kandidatë, sipas KSHZ-së në raundin e dytë do të garojnë presidenti aktual Millo Gjukanoviq (PDS), i cili fitoi 119.673 vota (35.37%) dhe Jakov Millatoviq (Evropa Tani) 97.858 (28.92%). Kandidatët tjerë fituan këtë numër votash: Andrija Mandiq (FD) 65.386 vota (19.32%), Aleksa Beçiq (DMZ) 37.562 (11.10%), Draginja Vuksanoviq-Stankoviq (PSD) 10.669 (3.15%), Goran Daniloviq (MZB) 4.652 (1.38%) dhe kandidati i pavarur JOVAN Raduloviq 2.574 (0.76%).
Të drejtë votimi kanë pasur 542.154 qytetarë, ndërsa në zgjedhje kanë marrë pjesë 350.231 (64.06%). Të dhënat e tilla dëshmojnë se kemi rritje për 2% në krahasim me vitin 2018, sepse atëherë në zgjedhje kanë marrë pjesë 62% e qytetarëve me të drejtë vote.
Dilema për kandidatin e dytë
Në saje të parashikimeve për zgjedhjet presidenciale se kush do të jetë kandidati i parë nga shtatë kandidatët konkurrentë, ishte e qartë se ai do të jetë presidenti aktual M. Gjukanoviq, por dilema ishte kush do të jetë kandidati i dytë i cili do të jetë rival në raundin e dytë i cili do të mbahet më 2 prill. Një dilemë e tillë u hoq pasi u shpall rezultati i votimit, ku në vend të parë ishte M. Gjukanoviqi me 35,3 % të votave, ndërsa i dyti ishte J. Millatoviqi me 28.9 %. Kjo ishte një befasi, sepse analistë të ndryshëm përparësi i kanë dhënë A. Mandiqit duke marrë parasysh përvojën politike dhe infrastrukturën partiake, ndërsa nuk është nënvlerësuar as A. Beçiqi. Ishin këta tre kandidatët më të mundshëm për vendin e dytë, pasi pothuaj çdo kush e kishte të qartë se vendi i parë ishte rezervuar për M. Gjukanoviqin. Madje ka pasur edhe deklarime se ai mund të fitojë shumicën e nevojshme në raundin e parë të zgjedhjeve, duke harruar se në skenën politike në Mal të Zi kemi evoluime nga zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020.
Zgjedhjet presidenciale dëshmuan se kemi pasur zgjedhje të lira si vendet demokratike, që është një mesazh i qartë për të gjithë qytetarët që kanë vendosur lirshëm se për cilin kandidat të votojnë. Një veprim i tillë siç duket është rezultat i zgjedhjeve të 30 gushtit 2020 kur për të parën herë u ndërrua pushteti në Mal të Zi.
Kryeqyteti barometër i fitorës
Në çdo vend demokratik si për zgjedhjet lokale, parlamentare e ato presidenciale, rol të veçantë luan procesi i votimeve në kryeqytet. Me këtë rast cekim se sipas të dhënave të publikuara nga KKZ për kryeqytetin Podgorica, ku të drejtë vote kanë pasur 143.608 qytetarë, më tepër është votuar për J. Milatoviqin 37.743 vota, ndërsa për M. Gjukanoviqin 30.447 vota, nga del se J. Milatoviqi ka fituar 7.300 vota më tepër së M. Gjukanoviqi. Ndërsa kandidatët tjerë kanë marrë këto vota: A. Mandiq 16.117 vota, A. Beçiq 10.232, D. Vuksanoviq-Stankoviq 2.686, G. Daniloviq 1.482 dhe J. Raduloviq 717 vota.
Shqiptarët dhe boshnjakët ishin të pamotivuar
Të dhënat për daljen e qytetarëve në votime sipas komunave më 19 mars, del qartë se në ato mjedise ku popujt pakicë janë shumicë kanë pasur dalje të ulët në votime. Fjala është kryesisht për shqiptarët dhe boshnjakët, ku të dhënat sipas komunave e dëshmojnë një konstatim të tillë. Kështu në Ulqin në zgjedhje kanë dalur 36.48% të qytetarëve më të drejtë vote, Guci 30.12% , Petnjicë 37.71%, ndërsa përjashtim bën komuna e Tuzit me 49.94%.
Një veprim i tillë mund të shpjegohet nga mungesa e motivimit personal të qytetarëve por edhe çështje të tjera që kanë ndikuar në refuzimin në votim, duke marrë parasysh se roli dhe funksioni i presidentit nuk ka qenë vendimtar në të kaluarën në çështjet zhvillimore në mjediset përkatëse, andaj një pjesë e tyre atë ditë kanë qëndruar në shtëpi, ndërsa pjesëmarrja në votim më 2 prill sipas të gjitha gjasave do të jetë më e lartë.
Presidenti nga partia jashtëparlamentare(?!)
Nuk ishte befasi mbeshtetja e J. Milatoviqit, sepse ata përfaqësojnë një forcë të re politike pa komplekse dhe pa hipoteka nga e kaluara. Ata u kanë premtuar qytetarëve paga dhe pensione më të mëdha, ku një veprim i tillë ka pasur jehonë pozitive të qytetarët. Dhe një jehonë e tillë ndikoi në reflektimin pozitiv te qytetarët, sepse për tridhjetë vite kanë qenë peng nga politika autokratike e një individi dhe një partie politike (PDS). Pikërisht një qasje e tillë është kapital politik për J. Milatoviqin në zgjedhjet e 2 prillit që do të mbeshtetet edhe nga subjeket dhe koalicionet e tjera politike që janë deklaruar publikisht. Nëse analizojmë të dhënat numerike të 19 marsit, del qartë se J. Milatoviqi ka përparësi të madhe për të qenë presidenti i ardhshëm i Malit të Zi, sepse ka mbështetje nga pjesëtarët e koalicionit nga shumica parlamentare e vitit 2020 të cilët së bashku kanë fituar 60% të votave.
President apo në pension politik?
Nga ana tjetër, presidenti aktual i Malit të Zi M.Gjukanoviqi, ndonëse ka përparësi prej 6% ndaj kundër-kandidatit, ai do ta ketë të vështirë të realizojë objektivat, sepse kemi të bëjmë me një diferencë të madhe votash. Por nga PDS llogarisin në votat e atyre qytetarëve që kësaj here nuk kanë votuar, e në veçanti të shqiptarëve dhe boshnjakëve por edhe të diasporës. Sidoqoftë, do të kemi një ditë zgjedhore dinamike e cila do të vendosë për kryetarin e ardhshëm të Malit të Zi, ku ka gjasa qe për të parën herë kryetari të mos jetë nga partia parlamentare (PDS), por nga ajo jashtëparlamentare (Evropa Tani).
Nëse partitë politike mbajnë qendrimin se në raundin e dytë do ta mbeshtesin J. Milatoviqin, dhe duke marrë parasysh animozitetin e tyre ndaj M. Gjukanoviqit, atëherë fitorja e tij nuk mund të vëhet në dyshim.
Nga ana tjetër edhe presidenti aktual M. Gjukanoviq shpreson se do të arrijë për të përmbysur rezultatin, pavarësisht se kundër-kandidati ka mbështetje nga partitë tjera parlamentare të cilat janë pjesë e shumicës parlamentare të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Por, në politikë mund të ndodhin edhe përmbysje të tilla ndonëse janë të rralla, andaj mbetet të pritet dita e votimit, përkatësisht shpallja e rezultateve, ku nëse presidenti aktual humb zgjedhjet atë e pret pensionimi politik.
Test për zgjedhjet parlamentare
Në saje të ingerencave kushtetuese presidenti i vendit M. Gjukanoviq më 16 mars me dekret shpërndau Parlamentin dhe një ditë pas caktoi datën e zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 11 qershor të këtij viti. Një veprim i tillë ishte i imponuar, sepse shumica aktuale parlamentare edhe pas 90-të ditëve nuk arriti të formojë qeverinë nga ana e Miodrag Lekiqit, andaj vendosi të dekretojë shpërndarjen e Parlamentit. Një veprim i tillë ishte befasi për disa parti parlamentare e në veçanti për qeverinë, sepse kanë menduar se në këtë amulli politike do të vazhdojnë të funksionojnë pavarësisht se ishte qeveri në detyrë, e cila ka humbur votëbesimin nga muaji gusht i vitit të kaluar.
Por, janë pikërisht zgjedhjet presidenciale ato që do të definojnë shumëçka në skenën politike në Mal të Zi, ku Lëvizja “Evropa Tani” siç duket do të jetë risi, duke sjellur një frymë të re e cila do të dekompozojë skenën politike. Themelimi i tyre para një viti dhe rezultati i papritur në zgjedhjet lokale me 23 tetor 2022 duke fituar pushtetin lokal në kryeqytet (Podgoricë) dhe tash në zgjedhjet presidenciale, ku kanë arritur të marrin rreth njëqindëmijë vota, paraqet rast të panjohur në kohën e pluralizmit në Mal të Zi.
Nuk ka dilemë se pas zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit, do të kemi të qartë shumëçka sa u përket edhe parashikimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
