Pasqyrimi i kryeqytetit shqiptar përgjatë një shekulli

Tuz – Në prani të përfaqësuesve të qeverisjes vendore në Tuz, të përfaqësuesve diplomatikë, të pjesëtarëve të klerit, dhe të personaliteteve të tjera të jetës politike dhe publike, u hap ekspozita fotografike, “Tirana 100 vjet kryeqytet”, e cila u mbajt në QKI “Malësia” në Tuz.
Në emër të fondacionit kulturor, arsimor dhe humanitar “Alsar” që është bashkorganizator i kësaj ekspozite, foli kryetari, z. Mehdi Gurra, i cili duke falënderuar të pranishmit tregoi një historik të shkurtër të fondacionit që drejton, mbi punën dhe misionin e tij.
“Ekspozita e ardhur sot në qytetin tuaj është një ekspozitë që është përgatitur nga një koleksion i Arkivit të fondacionit tonë, i cili disponon me mbi 10 mijë e 200 fotografi, ndër të cilat përzgjodhëm 100 fotografi që janë të të gjitha periudhave të Tiranës”, tha z. Gurra.
Ai bëri të ditur se vizitorët në këtë ekspozitë do të shikojnë jo vetëm periudhën nga viti 1920 kur Tirana u shpall kryeqytet në Kongresin e Lushnjës, por edhe periudhën e komunizmit, kur shqiptarët ishit të ndarë midis njëri-tjetrit.
Sipas kryetari të këtij fondacioni, z. Mehdi Gurra, kjo ekspozitë është punuar me kujdes, duke shpresuar se këto fotografi do të sjellin një Tiranë që nuk është më sot, duke kujtuar një qytet i cili ka ndryshuar dhe avancuar.
“Brezat që jetojnë sot ta mësojnë të shkuarën dhe pastaj të mundohemi që të kontribuojmë për të ndërtuar historinë e sotme, duke mësuar historinë e kaluar”, theksoi ndër të tjera kreu i këtij fondacioni, Mehdi Gurra.
Këtë ekspozitë e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj.
Ekspozita fotografike “Tirana 100 vjet kryeqytet” u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit në bashkëpunim me QKI “Malësia” dhe Fondacionin “Alsar”.
Ekspozita në fjalë qëndroi e hapur deri më 31 janar në orën 18.
Kujtojmë se Fondacioni “Alsar” është një fondacion arsimor, kulturor e humanitar ku aktivitetin pesëmbëdhjetë vjeçar e ka të shtrirë në të gjithë territorin e shqiptarëve: në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, por edhe në Mal të Zi ku më heret ka pasur aktivitete në qytetin e Ulqinit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat