Partitokracia – virus i shoqërisë pluraliste

Ndonëse është pritur se do të kemi ndryshime cilësore në pluralizëm qytetarët janë të zhgënjyer sepse koncepti i depolitizimit të pushtetit edhe në pluralizëm mbetet mision i dëshiruar me pengesa nga partitë politike të cilat janë në qeverisjet lokale apo atë shtetërore, nga del se kemi të bëjmë me partitokracinë që është në kundërshtim me vlerat e demokracisë pluraliste, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me shoqëri të pakonsoliduar dhe kundër parimeve demokratike

Nail Draga

Nëse në monizëm për kuadrot udhëheqëse vendoste partia, ku si kriter bazë ishte përshtatshmëria ideo-politike, e pastaj ajo profesionale, në pluralizëm me të drejtë është pritur që në këtë aspekt të bëhen ndryshime pozitive. Por, ndodhi e kundërta, sepse edhe në pluralizëm fusha e punësimit mbeti iluzion, sepse infektimi i monizmit është bartur me besnikëri edhe në pluralizëm.
Në vend që të respektohet sistemi i vlerave , ka ndodhur e kundërta ku parësore është përkatësia partiake, duke vendosur aty kuadro partiakë pa marrë parasysh përgatitjen e tyre partiake, meritokarcinë apo autoritetin shoqëror në mjedisin përkatës. Në këtë aspekt përjashtim nuk bëjnë as subjektet politike të shqiptarëve në Mal të Zi, çështje e cila nuk është në favor të vlerave shoqërore dhe demokracisë pluraliste.
Depolitizimi, mision i parealizuar
Kemi të bëjmë me ambiciet e partive politike për të vendosur në struktura të qeverisjes lokale apo shtetërore individët partiak të cilët kanë qenë të angazhuar në fushatën zgjedhore apo i kanë mbështetur në forma të ndryshme. Një veprim i tillë ka marrë përmasa shqetësuese sepse në këtë drejtim janë angazhuar të gjitha partitë politike të cilat janë pjesë e koalicioneve qeverisëse.
Ndonëse në Mal të Zi, në saje të rotacionit të pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, është pritur që qeverisja e re te dallohej nga ajo e shkuara, ndodhi pikërisht e kundërta, sepse partitë politike fituese të zgjedhjeve në strukturat e pushtetit vendosën kuadrat partiake. I njëjti veprim është duke ndodhur edhe pas dekompozimit të shumicës parlamentare dhe formimit të qeverisë së pakicës(28 prill 2022). Sepse, tradita e trashëguar në këtë aspekt është vështirë të ndryshojë, pavarësisht deklaratave politike, nga del se depolitizimi i sistemit mbetën mision i parealizuar, që nuk është në favor të parimeve demokratike.
Përkatësia partiake e jo përgatitja shkollore
Nuk është çështje e panjohur se përkatësia partiake është parësore në fushën e punësimit, e jo përgatitja shkollore. Madje, dikastere të ndryshme qeveritare, si arsimi, shëndetësia e administrata publike janë bërë veprimtaritë kryesore, duke qenë bazat e elektoratit votues të partive politike. Kemi të bëjmë me dukurinë e politizimit, ku në veçanti dallohet fusha e arsimit. Madje disa shkolla partitë politike i trajtojnë si bastione të tyre, që dëshmohet përmes emërimit të drejtorëve sipas marrëveshjeve të pjesëtarëve të koalicionit në nivel qeveritar.
Duket paradoksale, por as në vendin e punëtorit shëndetësor nuk mund të punësohej personi që nuk i përket partisë politike, nga del se është politizuar çdo veprimtari publike shoqërore. Një veprim i tillë dëshmon se nuk vlerësohen vlerat profesionale apo shoqërore, por përkatësia partiake, dukuri me pasoja shoqërore tash dhe në të ardhmen.
Përfaqësimi dhe prezantimi
Në vendet e ish kampit socialist, ku ekzistonte kulti i individit pa kufizime të mandatit, në pluralizëm, në saje të zgjedhjeve mandati i pushtetit është i kufizuar, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, që paraqet vlerë të demokracisë pluraliste. Në rrethana të reja, kemi të bëjmë me mundësinë që qytetarët përmes procesit të zgjedhjeve të mbështetur subjektet politike sipas preferencës së tyre të ofrojnë ndryshime shoqërore.
Nëse e trajtojmë në këtë aspekt Ulqinin, përkatësisht qeverisjen lokale, me keqardhje mund të themi se ndonëse janë mbajtur zgjedhjet lokale me pjesëmarrje të partive të ndryshme mbretëron përshtypja e përgjithshme se qeverisja lokale ka pasur pengesa subjektive, si nga kuadrat përgjegjëse, korrupsioni,, nepotizmi, shpërdorimi i pozitës zyrtare si dhe nga mosfunksionimi i pushtetit vendor. Dhe një situatë e tillë është mbështetur nga pushteti qendror, të cilët këtu kanë realizuar objektivat e tyre, që dëshmohet me dështimin e privatizimit, papunësinë dhe emigrimin e popullsisë në botën e jashtme. Kemi të bëjmë me dështimin e përgjithshëm për tre dekada, që dëshmon dështimin e individëve në përfaqësim dhe prezantim në strukturat e qeverisjes lokale e asaj qendrore.
Qytetarët e Ulqinit presin ndryshime
Ulqini ka nevojë për ndryshime me një pushtet lokal të përgjegjshëm e profesional, që punojnë në favor të qytetarëve, e jo të individëve apo klaneve të ndryshme. Pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 28 mars 2022 dhe formimit të shumicës parlamentare(Koalicioni “Fillimi i ri” dhe Forca) me 19 këshilltarë qytetarët, presin ndryshime në nivelin lokal sidomos kur nga Ulqini është edhe kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi (D.Abazoviqi). Është ky një moment që duhet të shfrytëzohet, sidomos në investimet e munguara vite me radhë në Ulqin nga pushteti qendror. Andaj, të gjithë qytetarët me kureshtje presin të fillojnë të realizohen në praktikë premtimet parazgjedhore. që do të jetë në favor të qytetarëve të këtij mjedisi.
Duhen profesionistë e jo oportunistë
Nuk ka dilemë se për ndryshime pozitive duhet angazhim konkret i individëve të përgatitur dhe të guximshëm pa hipoteka për t’u ballafaquar me realitetin, i cili për tre dekada ka qenë degradues për Ulqinin. Por, duhet të jemi realistë se Ulqini vite me radhë ka pasur pushtet të pakonsoliduar në saje të raporteve joparimore me pushtetin qendror. Ndërsa tash ekzistojnë gjasat të eliminohen këto divergjenca duke u konsoliduar jo vetëm në aspektin financiar, sepse nuk mund të arsyetohet e dhëna se qyteti i Ulqinit është me i varfëri në regjionin bregdetar, kur dihet se këtu janë resurse të mëdha për zhvillim ekonomik.
Andaj, ka ardhur koha për një qasje tjetër me strategji zhvillimore dhe përgjegjësi personale e institucionale e kuadrove udhëheqëse, e jo si deri më tash që pushteti lokal është trajtuar sipas interesit të individëve lokal dhe oligarkëve në nivel shtetëror.

Të fundit

më të lexuarat