
Kur qeveria aktuale e Malit të Zi po e plotëson një të katërtën e mandatit të saj për të qeverisur vendin, është e natyrshme që të analizohen arritjet e saj. Kjo edhe për faktin se qeveria aktuale erdhi në pushtet pas (keq)qeverisjes së PDS-së për 30 vitet e kaluara dhe si rrjedhojë edhe pritshmëria e qytetarëve ishte e madhe. Natyrisht, edhe pritshmëritë e shqiptarëve në Malin e Zi ishin të mëdha, si në aspektin ekonomik ashtu edhe politik.
Afati njëvjeçar nuk është i mjaftueshëm për realizimin e premtimeve parazgjedhore e sidomos realizimin e planeve dhe programeve zhvillimore ekonomike, por së paku është e arsyeshme që qytetarët të ndiejnë fillimin e transformimit ekonomik dhe nisjen e projekteve investuese të premtuara, të cilat do shpiejnë në rrugën e përmirësimit të standardit jetësor dhe mirëqenies së qytetarëve. Ndonëse qeveria aktuale ka bërë ndonjë përpjekje për të treguar qeverisjen ndryshe nga ajo e kaluara, ka tentuar që të jetë më afër halleve të qytetarëve, por jo mjaftueshëm për t’u hetuar ndryshimet pozitive me ndikim në përmirësimin e kushteve jetësore të qytetarëve në përgjithësi.
Me rastin e konstituimit të qeverisë së Malit të Zi, ajo u mbështet nga një shumicë numerike e grupeve parlamentare të cilat, përveç interesit të përbashkët për të mos lejuar më kthimin e PDS-së së Gjukanoviqit në pushtet, në pikëpamje ideologjike nuk kanë asgjë të përbashkët. Ndërsa Fronti Demokratik, që ka numrin më të madh të deputetëve, është i frymëzuar nga politika serbomadhe dhe bashkëpunimi i ngushtë me Rusinë, Demokratët e veçanërisht grupimi URA kanë orientime diametralisht të kundërta, sepse me të madhe preferojnë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Këto dallime ideologjike krijojnë mosmarrëveshje të herëpashershme dhe bëhen pengesë serioze për punë normale të një qeverie si kjo e Malit të Zi. Miratimi i buxhetit shtetëror me pothuajse gjashtë muaj vonesë, ishte vetëm një sinjal i mosmarrëveshjeve të shumicës parlamentare. Miratimi i buxhetit me vonesë pati ndikim negativ në realizimin e projekteve zhvillimore sidomos në bujqësi dhe turizëm.
Si pasojë e ndryshimeve ideologjike dhe mosmarrëveshjeve që vijnë si pasojë e tyre, sot kemi një qeveri e cila nuk ka përkrahjen parlamentare, as të shumicës dhe as të opozitës, kemi akuza të përditshme të anëtarëve të koalicionit në drejtim të kryeministrit dhe zëvëndëskryeministrit. Fronti Demokratik kërkon me ngulm pjesëmarrjen e lidershipit të tyre në qeveri, bojkotojnë seancat plenare dhe paralajmërojnë protesta kundër qeverisë. Në anën tjetër kemi një kryeministër i cili ndihet shumë i sigurt dhe bën sikur të mos kishte ndodhur gjë, dhe i akuzon ata për hipokrizi politike. Në këtë situatë politike, Qeveria mbijeton dhe mbahet në pushtet nga Gjukanoviqi, gjegjësisht nga frika e kthimit të tij në pushtet, përndryshe kjo qeveri do të kishte rënë qëmoti.
S’ka dyshim se i gjithë ky komplikim në sferën politike malazeze ka ndikim në realizimin e programeve zhvillimore ekonomike të proklamuara nga qeveria, e veçanërisht këtë ndikim e vuajnë më së shumti qytetarët në përgjithësi. Në mungesë të investimeve kapitale dhe përmbushjes së premtimeve parazgjedhore qeveria, kohën e fundit, po luan me letrën e madhe të të ashtaquajturit Plani “Marshall”. Natyrisht, ky plan, nëse në fundamentin e tij ka zhvillimin afatgjatë të infrastrukturës dhe ekonomisë në përgjithësi, e natyrisht punësimin e punëtorëve të rinj që do të mundësonin rritjen e të ardhurave shoqërore me ndikim direkt në mirëqenien e qytetarëve, është i mirëseardhur dhe duhet të përkrahet nga të gjithë, pa dallime partiake. Ç’është e vërteta, njohuritë e qytetarëve për konceptin e këtij plani që mendohet të jetësohet në Mal të Zi janë akoma të pakëta, por nëse Plani “Marshall” bazohet vetëm në ndërhyrjen administrative të shtetit për rritjen e të hyrave buxhetore e jo në rritjen e tyre përmes investimeve dhe prodhimtarisë, efekti i këtyre masave do të jetë i përkohshëm dhe vështirë se mund të konceptohet si Plani “Marshall”.
Në të vërtetë, Plani “Marshall” i vitit 1947, i njohur gjerësisht si një koncept ekonomiko-politik apo program i ndihmës për rindërtimin dhe ringjalljen ekonomike të kontinentit evropian, ka pasur për bazë investimet kapitale në infrasrukturë, industri e në degët tjera ekonomike që mundësojnë punësimin e mijëra punëtorëve dhe rritjen e prodhimtarisë dhe të ardhurave shoqërore të cilat do të mundësojnë përmirësimin e mirëqenies popullore në përgjithësi. Nisur nga ky koncept, nisma e qeverisë së Malit të Zi për aplikimin e një plani të tillë gjithsesi është e mirëseardhur. Mirëpo, duke rikujtuar ndryshimet ideologjike të partnerëve të koalicionit qeveritar dhe mospajtimet e vazhdueshme të tyre, qytetari e ka të vështirë të jetë optimist për realizimin e këtij projekti me përmasa sociale.
Në aspektin politik, shumica parlamentare ka paralajmëruar ndryshimin e disa ligjeve që kanë të bëjnë më mbajtjen e njëkohshme të zgjedhjeve lokale, edhe pse Presidenti i shtetit i ka shpallur tashmë zgjedhjet në disa komuna. Nëse ligji aprovohet nga shumica parlamentare, atëherë Presidenti duhet të anulojë aktin individual për shpalljen e zgjedhjeve lokale në ato komuna. Duke iu referuar normave të qarta kushtetuese vendore, sipas të cilave mandati i këshilltarit zgjat katër vjet, e sidomos praktikës juridike të Komisionit të Venecias dhe së fundmi vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, bazuar në rekomandimet e po atij Komisioni, është vështirë të mendohet se një veprim i tillë mund të gjejë përkrahje te ndërkombëtarët. Nga ana tjetër, propozimet e shumicës parlamentare për ndryshimet në fjalë e bëjnë punën e Komisionit parlamentar për ndryshimin e infrastrukturës zgjedhore të paqenë. Kjo do të ishte e papranueshme për shqiptarët, sepse pozita e tyre në sferën e përfaqësimit politik është e papranueshme. Përfaqësuesit shqiptarë duhet të kërkojnë me ngulm ndryshimin e ligjit diskriminues zgjedhor. Në të vërtetë, shqiptarët duhet të kërkojnë në mënyrë analoge përfaqësimin politik të tyre në Kuvendin e Malit të Zi në mënyrë të njëjtë si në Kroaci, Slloveni dhe Kosovë, ku pakicave kombëtare u sigurohet një numër i caktuar i deputetëve pa marrë parasysh normat e përgjithshme të Ligjit zgjedhor.
Partitë politike shqiptare nuk arritën të bëhen pjesë e kësaj qeverie – nuk u ftuan apo i qëndruan besnik qeverisë së kaluar, ku për 12 vite ishin pjesë e saj?! Sidoqoftë, partitë shqiptare e kanë vendin në qeveri. Se kush do të jetë në pushtet nuk ka fare rëndësi për shqiptarët. Shqiptarët nuk duhet të pretendojnë të rregullojnë çështjet madhore të Malit të Zi. Përkundrazi, ata së pari duhet të rregullojnë çështjet e tyre politike dhe ekonomike dhe kur të arrihet një nivel i barabartë i zhvillimit ekonomik të trojeve shqiptare me trojet e tjera të Malit të Zi, atëherë do të kenë mundësi të angazhohen edhe për çështjet madhore të shtetit ku jetojnë. Për këtë arsye pjesëmarrja e shqiptarëve në qeveri duhet të jetë e domosdoshme dhe kjo duhet të rregullohet me Kushtetutë si edhe çështja e përfaqësimit politik.
Megjithatë, duhet theksuar se qeveria aktuale mundësoi korrigjimin e një padrejtësie të madhe ndaj qytetarëve ulqinakë, sidomos ndaj shqiptarëve vendas, të bërë këtu më shumë se 40 vite më parë nga shteti komunist jugosllav. U bënë përpjekje edhe me qeverinë që shkoi për kthimin e Ullishtës së Valdanosit pronarëve të vërtetë, por mungoi vullneti politik. Kjo qeveri, në veçanti zëvendëskryeministri Abazoviq, u tregua pragmatik, e guximshme, e pse jo edhe e ditur, kështu që gëzimi i të drejtës pronësore të humbur po jetësohet dhe ky sukses pa mëdyshje i atribuohet qeverisë aktuale.
Përkundër ndonjë arritjeje të kësaj qeverie për vitin e parë të ushtrimit të pushtetit e duke analizuar marrëdhëniet në mes të forcave përbërëse të qeverisë aktuale, është vështirë të mendohet se kjo qeveri në përbërjen e së cilës është Fronti Demokratik ka një të ardhme të ndritshme. Përkundrazi, si e tillë ajo është e gjykuar të jetë e pasuksesshme. Prandaj energjia e Demokratëve dhe URA-s duhet të fokusohet tek arritja e marrëveshjeve që çojnë në zgjidhjen e krizës politike në vend, pa Frontin Demokratik. Në të kundërtën, zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme.
