
Tuz – Njëzetë vjetori i tragjedisë kombëtare të 11 shtatorit në SHBA, u përkujtua nga Komuna e Tuzit e cila organizoi orë komemorative në nderim dhe përkujtim të viktimave të këtyre sulmeve, mes të cilëve humbën jetën edhe tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Rrok Camaj dhe Simon Dedvukaj.
Kjo orë komemorative e cila filloi me një minut heshtje në nderim të viktimave, u mbajt në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, në prani të familjarëve të viktimave, të nëpunësve të administratës lokale, të zv/ambasadorit të SHBA-së në Mal të Zi, Mr. Kris Karber, dhe të zv/ambasadores së Shqipërisë në Mal të Zi, Ermira Braho.
Me këtë rast, ka përshëndetur shefi i Zyrës për Diasporën në Komunën e Tuzit, z. Mark Lucgjonaj, i cili ndër të tjera tha se, përkujtimi i tre bijve të Malësisë, është një detyrë morale që tashmë për herë të parë po organizohet në mënyrë institucionale nga Komuna e Tuzit.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj njoftoi se kanë filluar procedurat për vendosjen e gurit memorial në nderim të tre të rënëve, në mënyrë që Malësia të dëshmojë se nuk i harron bijtë e vet.
Ndërkaq, zv/ambasadori i SHBA-së në Mal të Zi, Mr. Kris Karber ka thënë se bamirësia dhe bashkimi, triumfojnë gjithmonë kundër urrejtjes, dhunës dhe përçarjes.
“Sot po kujtojmë këtë ngjarje të ndodhur para 20-vitesh dhe jemi mirenjohës për lidhjen e ngushtë të komunitetit të Tuzit me SHBA-në. Përveçëse qytetarë nga 61 shtete, sot kujtojmë në veçanti, tre anëtarë të komunitetit tuaj që i humbëm në atë ditë të tmerrshme. Kjo është një mënyrë amerikane e të kujtuarit të atyre që humbëm me 11 shtator 2001,” theksoi Karber.
Ndërsa në murin e godinës së Komunës së Tuzit përmes videoprojektorit u shfaq flamuri i SHBA-së, si dhe fotografitë dhe emrat e viktimave nga Malësia.
t. u.