Një vit për t’u harruar

Ky vit do të mbahet mend si një vit i keq, ters, i zi për mbarë njerëzimin, që duhet harruarsa më parë. As parashikuesit më të mirë dhe parashikimet më ogurzeza nuk e kishin imagjinuar këtë. Jeta u përmbys menjëherë, duke u shndërruar si në një film fantastiko-shkencor, me personazhe reale, ku edhe vetë bëhesh padashur pjesë e tij. Dhe ashtu siç ndodh zakonisht, pas frikës dhe ballafaqimit të parë, vjen periudha e përshtatjes, kur duhet të bashkëjetosh me të keqen (pandeminë)

Ismet Kallaba

Çdo njeri në jetë kalon sfida dhe vështirësi të ndryshme. Pothuajse çdo brez është përballur me fatkeqësi të tilla, si luftra, tërmete, epidemi etj., që kanë goditur një apo më shumë pjesë të botës. Por janë disa ngjarje që përcaktojnë rrënjësisht rrjedhën e jetës sonë dhe shërbejnë si pikë orientimi për të ardhmen. E tillë është pandemia e COVID-19, nën hijen e së cilës u zhvillua çdo gjë në vitin 2020.
Ky vit do të mbahet mend si një vit i keq, ters, i zi për mbarë njerëzimin, që duhet harruar sa më parë. As parashikuesit më të mirë dhe parashikimet më ogurzeza nuk e kishin imagjinuar këtë. Shoqëria njerëzore ka pësuar shumë humbje nga COVID-19 e bashkë me të edhe ne si shqiptarë dhe si komunitet. Jeta u përmbys menjëherë, duke u shndërruar si në një film fantastiko-shkencor, me personazhe reale, ku edhe vetë bëhesh padashur pjesë e tij. Dhe ashtu siç ndodh zakonisht, pas frikës dhe ballafaqimit të parë, vjen periudha e përshtatjes, kur duhet të bashkëjetosh me të keqen (pandeminë).
Pas Luftës së Dytë Botërore, pandemia e COVID-19 konsiderohet si kriza më e madhe njerëzore në kohën e sotme, pasojat e së cilës do të ndjehen për një kohë të gjatë në të gjitha fushat. Pandemia do ta ndryshojë përgjithmonë njerëzimin dhe asgjë nuk do të jetë si më parë. Bota do të ndahet në para dhe pas pandemisë. Pas viktimave njerëzore, pandemia do të ketë pasoja për shëndetin mendor. Pandemia do t’i ndryshojë edhe marrëdhëniet, zakonet dhe traditat njerëzore. Jeta jonë do të bëhet gjithnjë e më tepër individuale. Në anën tjetër, pandemia na ka bërë që të reflektojmë më tepër për mënyrën e jetës sonë.
Në Malin e Zi, përjashto pandeminë, ngjarja që ka shënuar vitin 2020 kanë qenë zgjedhjet parlamentare që sollën në pushtet partitë opozitare, duke bërë që për herë të parë pas 30 vitesh të pluralizmit politik të ndërrojë pushteti.
Secili individ ka dëshirat e veta, që ndryshojnë nga njëri-tjetri. Por dëshira e përbashkët e të gjithë njerëzve për vitin 2021 është që sa më parë të dalim nga kjo situatë dhe që jeta sado kudo t’i kthehet normalitetit.

Të fundit

më të lexuarat