
Shpesh në realitetin tonë social shfaqen sjellje që më shumë se çdo gjë tjetër zbulojnë një krizë të thellë vlerash.
Në një klimë të tillë, krijohet një model i deformuar ku ngjitja në hierarki shpesh nuk vjen si rezultat i përgatitjes profesionale dhe përkushtimit, por si pasojë e sjelljeve që promovojnë një qëndrim përçmues, prepotent dhe mospërfillës ndaj atyre që punojnë me ndershmëri, dije dhe etikë dhe që janë më të përkushtuar, më të përkrahur dhe më të respektuar nga rrethi dhe shoqëria. Ata që vërtet kontribuojnë me seriozitet dhe devotshmëri, me dije dhe etikë, pa bërë asnjë kompromis në respektimin e etikës, ligjit dhe moralit, shpesh përballen me rezistencë pikërisht sepse ekzistenca e tyre ekspozon mungesën e vlerave tek të tjerët.
Kur një profesionist i vërtetë jeton dhe vepron në përputhje me rregullat, kjo shpesh shihet si kërcënim për ata që nuk e kanë ndërtuar veten mbi të njëjtat parime. Fillon një gërryerje e brendshme, një xhelozi që lind nga mungesa e aftësisë për të qenë ndryshe. Sepse ekzistenca e një personi që e meriton respektin, jo përmes servilizmit apo shfaqjes, por përmes punës dhe integritetit, është pasqyrë e një të vërtete që ata nuk e përballojnë dot.
Kështu lind një përplasje: mes atyre që ecin drejt dhe atyre që shmangin përkushtimin dhe përgatitjen e nevojshme. Dhe fatkeqësisht, në shumë raste, të parët nuk janë të përkrahur, por të shtypur, të injoruar, të diskriminuar – qoftë në art, në kulturë, në sport apo në fusha të tjera – vetëm sepse nuk u nënshtrohen pseudointelektualëve dhe atyre që “udhëheqin” pa përgatitjen dhe besueshmërinë e duhur në shumë sektorë të jetës.
Edhe pse janë të pajisur me vlera, me dije dhe etikë, ata nuk përkrahen, sepse për të tjerët përfaqësojnë një rrezik: një mendje e lirë dhe e panënshtruar nuk mund të bashkëjetojë me dikë që mund të ketë ndërtuar pozicionin e vet, jo mbi vlera dhe përgatitje profesionale, por mbi injorancën e përgjithshme, interesin personal dhe servilizmin ndaj atyre që i hapën rrugën.
Janë shpesh pikërisht ata që kanë përgatitje në fusha krejt të tjera, por mbajnë poste që nuk u përkasin realisht, e që përfitojnë paga të majme vetëm për shkak të pozitës që mbulojnë – pa u ndalur asnjëherë për të reflektuar nëse e meritojnë vërtet atë vend, apo nëse i kanë zënë vendin dikujt që do ta ushtronte atë detyrë me më shumë përgatitje, ndershmëri dhe kompetencë profesionale.
Përjashtime ekzistojnë dhe ka individë që e meritojnë plotësisht vendin që mbajnë, por për fat të keq, pjesa më e madhe e realitetit shoqëror na tregon se profesionet ushtrohen nga ata që nuk janë formuar për to.
Për më tepër, shumë prej këtyre pseudoelitave e shohin një mendim ndryshe si kërcënim që duhet zbehur dhe mbajtur nën kontroll – jo pse janë të aftë të përballen me të, por sepse janë të ndërgjegjshëm për boshësinë e tyre të brendshme. Dhe jo rrallë, të tillët emërohen në pozita të rëndësishme jo përmes meritës, por falë bindjes së verbër ndaj atyre që mund t’i kenë emëruar. Prandaj shpesh ndodh që profesionin ta ushtrojë dikush që nuk ka as formim, as kapacitet për të qenë aty. E megjithatë, ata përpiqen të shfaqen si “ekspertë”, duke mos kuptuar as vetë pozicionin në të cilin ndodhen.
Dhe ç’ është më shqetësuese, jo pak prej tyre kapen pas posteve për t’u ndjerë të sigurt dhe për të “sunduar” nga lart me një urrejtje për çdokë që nuk u përngjan. Njerëz që nuk njohin profesionalizëm, etikë apo norma, që nuk janë të lirë në mendime e as në vendimmarrje, sepse u shërbejnë interesave vetjake dhe jo shoqërisë. Ky realitet nuk prodhon progres, por krizë – jo zhvillim, por stagnim – jo shpresë, por dëshpërim.
Derisa në shoqërinë tonë të kenë ndikim figura të tilla që nuk e kanë integritetin dhe dijen për të qenë aty ku janë, s’mund të presim as përparim e as emancipim. Sepse një shoqëri nuk përmirësohet duke shpërblyer mediokritetin dhe duke heshtur ndaj profesionistëve, por kur i jep vendin e merituar secilit sipas vlerës së tij të vërtetë.
Në fund të ditës, nuk është numri i titujve, posteve apo duartrokitjeve që përcakton vlerën e njeriut, por qëndrueshmëria e tij përballë presionit dhe ruajtja e virtytit edhe kur ai nuk shpërblehet.
Shoqëria ka nevojë urgjente për njerëz që nuk mashtrohen nga pushteti dhe nuk përkulen nga mediokriteti. Për sa kohë të ketë individë që qëndrojnë drejt në profesion, në mendim dhe në karakter, do të mbijetojë edhe shpresa për një shoqëri që ecën përpara jo duke shtypur, por duke u ngritur. Sepse ndryshimi fillon aty ku dikush refuzon të bëjë kompromis me të keqen – dhe vendos të jetë profesionist, çdo ditë, pavarësisht gjithçkaje.