Në kujtim të një dite historike – Ditës së Flamurit Kombëtar

Hajrullah Hajdari

Historia e çdo populli ka datat e saj të shënuara që mbeten të pandryshuara. Ato i rezistojnë kohës dhe nderohen e përkujtohen nga brezat e popullit në vazhdimësi e përjetësi. Edhe populli ynë ka datat e shënuara që janë monumente të palëkundura në historinë e tij mijëravjeçare. Për shqiptarët, pa mëdyshje muaji nëntor është muaji më përcaktues i simbolikës sonë historike. Shqiptarët kudo që janë e shënojnë dhe e festojnë me krenari dhe emocione ditën më të madhe të kombit 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar. Kjo ditë i referohet Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, i cili përputhet me të njëjtën
ditë kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e ngriti flamurin e njëjtë në Krujë, më 28 nëntor 1443.
E kemi obligim nga të parët që këtë ditë ta ndërojmë të gjithë, duke kujtuar kështu sakrificën sublime të të rënëve të popullit shqiptar, të qindra e mijëra të rinjve e të moshuarve, grave e burrave ndër shekuj, që flijuan jetën e tyre për atdhe e për flamur. Falë sakrificës së tyre, shqiptarët kudo që gjenden, ku jetojnë e ku veprojnë, sot festojnë, martohen e gëzohen me flamurin tonë kombëtar. Ai është letërnjoftimi i shqiptarëve, me të identifikohemi kudo se jemi shqiptar. Dita e Flamurit është festa e krenarisë sonë, është festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare.
Gjatë të kaluarës së vështirë historike, kjo datë e rëndësishme është shënuar e festuar në kushte dhe mënyra të ndryshme. Kjo veçanërisht vlen për shqiptarët të mbetur jashtë kufijve të shtetit amë – Shqipërisë, të cilët jetojnë të grimcuar rreth e përqark shtetit amë që nga Ulqini, Kraja, Malësia, Rozhaja, Plava e Gucia, Kosova, Maqedonia e Veriut e më në jug Çamëria.
Shqiptarët në Mal të Zi që u detyruan të jetonin në një shtet sllav, me të cilin nuk i lidhte asgjë e përbashkët, as historia, as gjuha, kultura, etnografia e shumë çka tjetër për arsye të shovinizmit të theksuar malazez apo ideologjisë së tepruar komuniste, u privuan nga e drejta e shënimit dhe festimit të kësaj date historike kombëtare. Kushdo nga shqiptarët që guxonte të përmendte këtë datë, e jo më të festonte, denohej rëndë e njollosej si nacionalist, irredentist e armik i shtetit ku jetonte (Mal i Zi, Serbi)!

Më 28 nëntor 1944 në Ulqin u festua Dita e Flamurit Kombëtar
Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave, tokat shqiptare nën okupimin e saj u ndanë në tri zona pushtuese. Ulqini fillimisht i takoi zonës pushtuese italiane, ndërsa pas kapitullimit të Italisë zonës pushtuese gjermane. Organizimi i pushtetit civil në tokat e çliruara filloi në gusht të vitit 1941. Bashkimi i tokave shqiptare të mbetura jashtë kufirit shtetëror me Shqipërinë, u prit me entuziazëm të lartë të popullsisë shqiptare. Pritshmëria e tyre së shpejti u bë realitet. Pothuajse në mbarë territorin e tokave të çliruara u hapën shkollat e para në gjuhën amtare shqipe, administrata publike po ashtu mbahej në gjuhën shqipe dhe kudo valvitej flamuri kombëtar. Natyrisht, edhe në Ulqinin shqiptar këto të mira kombëtare u realizuan dhe u përjetuan me entuziazëm të madh!
Kështu sipas një akti zyrtar të Gjindarmarisë Shqiptare, më 28 nëntor të vitit 1943 në Ulqin u festua Dita e Flamurit Kombëtar. Më poshtë këtë dokument po e japim në tërësi: (Burimi:AQSH, fq. 154)

Shteti shqiptar
Arma e Gjindarmarisë Shqiptare
Nr.164-44/1, Ulqin, më 29 – 11- 1943.
Shkurtimi. Mbi festimin e 28 Nantorit
Komandes Qarkut Gjindarmerisë
Sh k o d ë r
Parashtrojm se dita 28 – Nantor u festue me entuzjazem si mbas programit të perpiluem prej Sekretarit të Nënprefektures si vijon:
Në ora -10- nji shumicë e popullit nga qyteti dhe t’ardhun nga krahinat u grumbullue para Bashkis e s’andejmi t’udhequn prej autoriteteve lokale u shkue në xhamij e kish ku u zhvilluen lutjet fetare.
Në ora -11- Kryetari i Bashkis z.Hajdar Daka në ballkonin e Bashkis mbajti fjalimin e rastit dhe mbandej priti vizitat në sallen e Bashkis, mbasi mbaruen vizitat në Bashki populli u shpernda tue kendue kangë Kombëtare neper rruget e qytetit, e keshtu të tan dita mbaroi me qëtsin ma të madhe me gëzime e brohoritje e zbrazje armesh prej Vullnetarve.
Shtojmë se në ceremonin e zhvillueme prej nënpunsave kan marr pjes vetem Sekretari i Nenprefektures Z.Qamil Vasia, Protokolisti Sadik Kruja, Ahmet Bushati e Shaban Zaganjori dy të fundit N/Punes të Finances me dy Tagrambledhsa, prej Malazezve kan marrë pjes vetem – 4 – veta.


Z.V. Komandat’i Gjind.
Aspirant
(Mustafa Duka)
Nënshkrimi

Sa do i thjeshtë që ishte festimi i Ditës së Flamurit Kombëtar, në atë nëntor të vitit 1943 ai do të mbetet ëndërr e shqiptarëve të ripushtuar nga Jugosllavia deri në shpërbërjen e saj.
Shpresojmë se shqiptarët në Mal të Zi, të përçarë e të coptuar në shumë parti politike, pa bashkërendim e bashkëveprim, pa platformë politike, së paku në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë të jenë të bashkuar, të festojnë e të gëzojnë me dinjitet së bashku e më një gojë të këndojmë: “Rreth Flamurit të bashkuar….”. Me këtë rast po përkujtoj vetëm një thënje të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut: “Shtini duart në brez shoqi-shoqit që të mbani njëri-tjetrin, mos t’u hyj dikush në mes e të mos u çajë bota”. Ah, sa domëthënëse është kjo porosi, sot e përgjithmonë!

Të fundit

më të lexuarat