Ndihmojnë shkollën në Krajë

Ervin dhe Lumnije (Subashi) – Kantor me banim në SHBA, në fillim të vitit shkollor 2021/2022 ndihmuan Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros me 1 200 dollarë amerikanë, të dedikuara për blerjen e mjeteve të domosdoshme për nevojat e shkollës.
Sipas drejtorit të Shkollës, Beqir Berjashi, këto mjete të cilat erdhën në kohën e duhur do të shfrytëzohen kryekëput për nevojat e domosdoshme të shkollës.
Ai falënderon çiftin bashkëshortor Kantor. Përndryshe Lumnije Subashi – Kantor është me origjinë nga Boboshti i Krajës.
Krahas këtij donacioni duhet cekur se edhe Shoqata “Të ndihmojmë Krajën në kohë Covidi”, organizuar nga dr. Selatin Kraja nga Njujorku, i ndau shkollës mjete dezinfektuese anti covid të mjaftueshme për tërë vitin shkollor.
Edhe “Porto of Adria” për të gjithë nxënësit e klasës së parë dhuroi çanta, mjete tjera mësimore dhe një telefon celular për nevojat e shkollës, i cili iu dha mësuesit të klasës së parë Sami Dodiq.
Drejtori i Shkollës shton se edhe KKSH me kohë i shpërndau Abetaren gjithëkombëtare dhe fletoret e punës. Me këtë rast, shton ai, “pata rastin dhe kënaqësinë e veçantë që krahas kryetarit të KKSH-së, Faik Nika, të pres edhe z. Agim Bërdyna, zyrtar i lartë në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, i cili ka pasur dëshirë që të vizitojë shkollën në Krajë”.
Drejtori Berjashi shton, ndër të tjera, se në këtë vit shkollor mësimin në shkollën e Krajës e ndjekin 83 nxënës, të shpërndarë në dhjetë paralele, shtatë në shkollën amë dhe tri paralele të ndara në Arbnesh, Bobosht dhe Skje.

Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat