Mungesa e teatrit dhe bibliotekës, një zbrazëtirë e madhe

Toni Ujkaj

Vendet të cilat pretendojnë që të zhvillohen dhe emancipohen në tërësi, duhet që fillimisht të veprojnë për të venë gurthemelin që do të çonte në realizimin e këtij qëllimi. Njëra ndër synimet që një vend të destinohet drejt një zhvillimi të shoqërisë, s’do mend se është krijimi i institucioneve kulturore të cilat janë aq të rëndësishme për një shoqëri.
Kur i referohemi vendit ku edhe unë jetoj, Malësisë, nuk është hera e parë që e sjellim në kujtesë mungesën e institucioneve kryesore të artit dhe të kulturës në vend, siç është teatri dhe biblioteka e qytetit.

Jetësimi i një biblioteke të qytetit do t’i jepte vendit një imazh ndryshe. Malësia dhe Tuzi do të ngjasonin gradualisht në vende të zhvilluara përkrah qyteteve të tjera të cilat kanë një traditë në fushën e artit, të shkencës dhe të kulturës

Vite më parë në gazetën “Koha Javore” e kemi trajtuar këtë çështje, si një fakt i cili për fat të keq vazhdon të të brengos, sepse realiteti qëndron i njëjtë, dhe asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë në këtë aspekt, pra ne nuk kemi as sot një bibliotekë të qytetit dhe as një teatër.
Është më se e ditur se pa instititucionet kryesore të kulturës nuk mund të ketë zhvillim kulturor, shkencor dhe intelektual të gjeneratës së re. Pra, kjo është një dukuri e cila vazhdon të mbetet në vendnumëro. Të rinjtë dhe të rejat tona, në vend që të shikojnë ndonjë shfaqje teatrale ose të shkojnë në sallën e bibliotekës për të lexuar ndonjë libër, atyre u mbetet që kohën ta kalojnë nëpër kafenetë e qytezës të cilat i kemi me bollëk. Jo ndoshta sepse ata/ato dëshirojnë një jetë tillë, por sepse nuk kanë se ku t’i përmbushin nevojat e tyre për ngjarjet kulturore.
Personalitete të shkencës e kulturës si: shkrimtarë, publicistë, poetë, gazetarë, etj, përherë e kanë potencuar se një vendi po të duash t’ia humbasësh identitetin kulturor, gjuhësor, dhe kombëtar, lërë pa institucione të kulturës.

Mendoj se do të ishte koha që ata të cilët janë të ngarkuar për të vepruar në mënyrë institucionale për të avancuar jetën e shoqërisë së popullit që e përfaqësojnë, duhet të impenjohen dhe të veprojnë në drejtim të jetësimit të këtyre projekteve që do të ishin aq të domosdoshme për të gjithë komunitetin, e veçanërisht për gjeneratën e re e cila është dhe do të mbetet një potencial i fuqishëm në avancimin e vendit në të gjitha sferat e jetës

Edhe profesionistë të artit në të kaluarën, kanë vënë në dukje boshllëkun kulturor në Malësi si pasojë e mosekzistencës së këtyre institucioneve kulturore.
Jetësimi i një biblioteke të qytetit do t’i jepte vendit një imazh ndryshe. Malësia dhe Tuzi do të ngjasonin gradualisht në vende të zhvilluara përkrah qyteteve të tjera të cilat kanë një traditë në fushën e artit, të shkencës dhe të kulturës.
Gjithashtu, edhe teatri do të ishte më tepër se i domosdoshëm dhe i mirëseardhur në këtë trevë. Të gjithë do të prisnim me padurim që të shkojmë dhe të shijojmë ndonjë shfaqje teatrale të cilat i kemi aq shumë të nevojshme që t’i frekuentojmë.
Në këtë këndvështrim, mendoj se do të ishte koha që ata të cilët janë të ngarkuar për të vepruar në mënyrë institucionale për të avancuar jetën e shoqërisë së popullit që e përfaqësojnë, duhet të impenjohen dhe të veprojnë në drejtim të jetësimit të këtyre projekteve që do të ishin aq të domosdoshme për të gjithë komunitetin, e veçanërisht për gjeneratën e re e cila është dhe do të mbetet një potencial i fuqishëm në avancimin e vendit në të gjitha sferat e jetës.
Në fund të këtij vështrimi po veçoj një thënie të regjisorit të Teatrit Nacional të Milanos, Xhorxhio Strekler i cili thoshte: “Më thuaj çfarë teatri ke se të them në çfarë shoqërie jeton”.

Të fundit

më të lexuarat