Me optimizëm dhe shpresa të reja

Uroj që viti 2024 për secilin nga ju, të jetë një vit i optimizmit dhe shpresave të reja, një vit i cili do të përmbushë në masë më të madhe planet të cilat i keni filluar dhe synoni t’i realizoni në një të ardhme të afërt. Uroj që ky vit do të jetë vit i fatit më të mirë për secilin nga ne, në çdo aspekt dhe fushë jetësore. Qoftë një vit më i lehtë, edhe në aspektin ekonomik. Një vit të cilin do ta shoqërojë mirëqenia ekonomike, me reduktim papunësie dhe krizave të ndryshme me të cilat përballemi të gjithë. Gjithashtu, uroj për më shumë siguri në botë gjatë këtij viti, që të ndalojnë luftërat e përgjakshme të cilat çdo ditë po marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Uroj të kemi një botë me më pak trazira, vuajtje e probleme. Të kemi një stabilitet paqeje dhe sigurie!

Toni Ujkaj

Euforia e festave të fundvitit mbaroi! Viti i Ri 2024 filloi, dhe bashkë me të edhe rutina e përditshme, punët dhe angazhimet përkatëse.
Në mbarë botën festat e fundvitit vijuan në një atmosferë të ngrohtë e festive, ashtu siç e do vërtetë entuziazmi i këtyre festave, e veçanërisht muaji dhjetor i cili karakterizohet nga ndriçime të shesheve dhe qyteteve, aktiviteteve kulturore e argëtuese nga çdo komunë.
Edhe në vendin tonë, në të gjitha komunat si në Tuz, Podgoricë, Ulqin e gjetiu, por edhe nëpër qytete të rajonit, dhjetori ishte muaji i festave dhe i manifestimeve të ndryshme. Ngado që shkoje, ushtonte muzikë live, ndriçonte e vezullonte vendi, pra ishte një imazh që e krijojnë vetëm festat e fundvitit.
Referuar vitit 2023, për shumë nga ne mund të ketë qenë i suksesshëm, më pak i suksesshëm, apo edhe i keq, për të mos thënë vit tersi apo vit ku kanë dominuar dukuri të cilat ndoshta nuk kanë përmbushur ato aspiratat tona personale apo profesionale. Sepse, ne si individë jemi të prirë që në fund të çdo viti të bëjmë njëfarë bilanci, ku reflektojmë, duke rikthyer në kujtesë ndodhi që i kemi përjetuar përgjatë dymbëdhjetë muajve të vitit. Në këtë drejtim, teksa u rikthehemi momenteve dhe veprimtarisë që kemi kryer me javë dhe muaj të tërë, atëherë sigurisht se kjo shërben edhe si njëfarë testimi vetjak, në kuptimin që, nëse kemi vepruar ashtu siç duhet, atëherë kjo na kënaq dhe na bën të ndjehemi më të plotësuar dhe na inkurajon për të vazhduar si të tillë, ndërsa kur konsiderojmë se s’kemi vepruar në mënyrën e duhur karshi një situate apo disa situatave të caktuara, atëherë kjo tek ne krijon pakënaqësi, e cila më pas na jep shkas për t’u përmirësuar në të ardhmen, me synim që të bëhemi më racionalë dhe më të mirë si individë brenda komunitetit ku veprojmë.
Kështu, shpeshherë në fund të çdo viti i themi vetes, eh- po si nuk e realizova atë që kisha synim këtë vit, si nuk e mbarova atë që kisha filluar më parë, si nuk veprova ndryshe?! Mirëpo, duket se asgjë dhe asnjë proces që fillojmë në jetë, nuk finalizohet brenda një viti, por kërkon përkushtim më të shtuar, durim dhe kohë në vitet pasardhëse.
Megjithatë, ajo që duhet të na gëzojë përherë në mbyllje të një viti, është fakti kur, viti i ri që e presim, na gjen në jetë, me familje të shëndetshme, dhe pa ndonjë telash që do të zbehte atë gëzimin dhe optimizmin e ardhjes së vitit të ri, sepse për fat të keq, për dikë (apo shumëkë) përcjellja e një viti të vjetër dhe ardhja e një viti të ri, pasohet nga momente dëshpërimi dhe pikëllimi, pasi shumë familje, edhe këtë vit që lamë pas, pikërisht në natën e ndërrimit të viteve, humbën të afërmit e tyre si pasojë e fatkeqësive të ndryshme. Dhe kjo është më tragjikja që mund t’i ndodh dikujt në periudhën kur e gjithë bota gëzohet dhe feston, ndërsa për ta, festat e fundvitit shndërrohen në dhimbje e pikëllim i cili jo vetëm që zgjatë gjithë vitit, por përgjatë ndërrimit të shumë motmoteve.
Prandaj, cilido nga ne që nata e ndërrimit të viteve e gjeti pa humbje dhe vuajtje të tilla, duhet t’i gëzohet Vitit të Ri që sapo kemi hyrë në të. Sepse, kjo është më kryesorja, kur ne, edhe një vit tjetër e jetojmë, pastaj hallet dhe problemet e tjera që janë të pakapërcyeshme, mbeten dytësore.
Në këtë kuadër, uroj që viti 2024 për secilin nga ju, të jetë një vit i optimizmit dhe shpresave të reja, një vit i cili do të përmbush në masë më të madhe planet të cilat i keni filluar dhe synoni t’i realizoni në një të ardhme të afërt. Uroj që ky vit do të jetë vit i fatit më të mirë për secilin nga ne, në çdo aspekt dhe fushë jetësore. Qoftë një vit më i lehtë, edhe në aspektin ekonomik. Një vit të cilin do ta shoqërojë mirëqenia ekonomike, me reduktim papunësie dhe krizave të ndryshme me të cilat përballemi të gjithë.
Gjithashtu, uroj për më shumë siguri në botë gjatë këtij viti, që të ndalojnë luftërat e përgjakshme të cilat çdo ditë po marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Uroj të kemi një botë me më pak trazira, vuajtje e probleme. Të kemi një stabilitet paqeje dhe sigurie!

Të fundit

më të lexuarat