Lidhje më e shpejtë dhe më e sigurt për banorët lokalë dhe të tjerët

Punimet për rikonstruksionin e rrugës rajonale Tivar – Krythë, me gjatësi 14 kilometra, kanë filluar zyrtarisht të mërkurën e kaluar (4 shtator 2024).
Në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë marrë pjesë kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ministrja e Transportit, Maja Vukiqeviq, kryetarët e komunave të Ulqinit dhe Tivarit, Genci Nimanbegu dhe Dushan Raiçeviq, drejtori i Drejtorisë për Transport, Radomir Vuksanoviq dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë dhe të pushteteve vendore.
Kryeministri i Malit të Zi ka përkujtuar se për këtë projekt është folur që prej më shumë se një dekade, por për të cilin nuk është treguar vëmendje nga niveli qendror.
“Përveshëm mëngët, filluam punën dhe ky është treguesi më i mirë për të gjithë ata që nuk besuan se ka ardhur koha për të ndërtuar infrastrukturën në Mal të Zi dhe se historitë për pamundësinë e ndërtimit të rrugëve, autostradave, autostradave të shpejta, aeroporteve janë pas nesh”, ka thënë Spajiq.
Sipas tij, rikonstruksioni i kësaj rruge do të mundësojë lidhje më të shpejtë dhe më të sigurt deri në vendkalimin kufitar Sukubinë – Muriqan, por edhe lidhje më të mirë të vendbanimeve në pjesën e brendshme të Tivarit dhe Ulqinit.
Duke folur për rëndësinë e kësaj rruge, kryeministri Spajiq ka përmendur faktin se përmes vendkalimit kufitar Sukubinë – Muriqan kalojnë afër tre milionë njerëz në vit.
“Nëse e kemi parasysh këtë, pa folur për interesat e komunitetit lokal, i cili ka nevojë për një mënyrë më të mirë dhe më efikase për t’u lidhur me Tivarin dhe Ulqinin, natyrisht edhe me Podgoricën, është e qartë se po flasim për përfitimin e këtij projekti. Banorët vendas kanë mbi një dekadë që presin që kjo të ndodhë – rrugët janë jetë, pa to nuk do të ketë ekonomi, nuk ka jetë komode për qytetarët tanë, qytetarët nuk do të qëndrojnë në vatrat e tyre dhe ky është problemi i të gjitha problemeve. Dhe për këtë duhet të ketë një konsensus kombëtar rreth ndërtimit të rrugëve”, ka theksuar Spajiq.
Ministrja e Transportit, Maja Vukiqeviq ka thënë se “kjo rrugë do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në aksin rrugor Tivar-Ulqin, ndërsa ne tregojmë se jemi të përkushtuar për ndërtimin e infrastrukturës, si në veri të vendit ashtu edhe në jug” dhe se bashkëpunimi me komunat e Ulqinit dhe Tivarit është i shkëlqyer.
Për kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, nisja e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Tivar – Ura e Mërkotit – Krythë përbën një hap të madh përpara në përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjes së kësaj zone me pjesët e tjera të Malit të Zi.
Sipas tij, “ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e qasjes dhe zhvillimit ekonomik të zonës, duke sjellë përfitime afatgjata për banorët e saj”.
Kryetari i komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq ka thënë se kjo rrugë meriton epitetin e rrugës së miqësisë dhe bashkimit.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar për fillimin e punimeve, veçanërisht komunitetin lokal dhe diasporën, të cilët, siç theksoi, shumë herë kanë paralajmëruar që punimet të fillojnë.
“Kjo rrugë do të thotë patjetër jetë, por edhe qëndrim dhe mbijetesë, si dhe kthim. Hapat e parë konkretë u hodhën në vitin 2019, kur u bë rikategorizimi i kësaj rruge nga lokale në rajonale. Komunat e Tivarit dhe Ulqinit morën përsipër të sigurojnë mjete për shpronësim, gjë që ne e bëmë. Rindërtimi i kësaj rruge do të mundësojë kushte më të mira jetese për popullatën vendase, për diasporën që të kthehet në vendlindje, por edhe më pak sfida për turistët e shumtë”, ka thënë ai.
Drejtori i Drejtorisë për Transport, Radomir Vuksanoviq ka sqaruar se bëhet fjalë për aksin rrugor me gjatësi 14 kilometra dhe se vlera e punimeve është 12.2 milionë euro me TVSH. Punimet do të kryhen nga ndërmarrja ndërtimore “Putevi Bar”, ndërkohë që afati për kryerjen e punimeve është tetori 2026. Ai ka shprehur besimin se punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge do të përfundojnë brenda afatit kohor.
Kjo rrugë ka një rëndësi vitale për banorët e zonës së Anës së Malit, Mërkotit dhe Peçuricës, por edhe për të tjerët, sepse shërben për lidhjen e banorëve të Ulqinit dhe Tivarit, por edhe me pikën kufitare Sukubinë-Muriqan.
Për shkak të amortizimit të saj dhe faktit se është jashtë standardit, ajo është bërë shpeshherë shkak i aksidenteve me pasojë edhe në njerëz. Për këtë arsye, banorët lokalë janë çuar në protesta disa herë gjatë viteve të kaluara duke kërkuar nga qeveria e Malit të Zi që të fillojë sa më parë rikonstruksionin e saj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat