Kontribut i vyer në nderim të veprës së humanistes botërore

Triesh – Në nderim të jetës dhe të veprës së humanistes dhe nobelistes së parë shqiptare të paqes, të diel në fshatin Delaj të Trieshit u bë zbulimi i trupores së Shenjtores Nënë Tereza, një vepër e ideuar dhe e realizuar nga familja e Lekë Pjetrit Lucaj nga Delajt e Trieshit, me banim në Shtete të Bashkuara të Amerikës.
Kjo ceremoni u mbajt në prani të një numri të madh të publikut të ardhur nga të gjitha viset e Malësisë, Ulqinit, por edhe të mysafirëve nga Shqipëria, Kosova dhe të bashkatdhetarëve nga diaspora.

Lartësimi dhe nderimi i figurave kombëtare dhe fetare që kanë lënë gjurmë për veprimtarinë dhe kontributin e tyre ndër vite, qofshin ato iniciativa të individëve, të grupeve shoqërore apo të institucioneve, janë akte të cilat duhen përgëzuar

Zbulimit të trupores së Nënë Terezes i parapriu mesha shenjte e udhëhequr nga Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkëv i Tivarit dhe nga meshtarë të tjerë.
Meshtari, Patër Pashko Gojçaj, pas celebrimit të meshës, u shpreh se këtë vepër skulpturore, Lekë Lucaj e realizoi duke qenë i motivuar nga dashuria që ka ndaj vendlindjes dhe ndaj Nënë Terezës.
“Nuk besoj se në një vend kaq të vogël të ketë më shumë trupore të Nënë Terezës sesa në Malësi, çfarë dëshmon jo vetëm dashurinë e një familje për Nënë Terezën por dashurinë e të gjithë malësorëve kudo që ndodhen nëpër botë”, u shpeh Gojçaj.
Ai shtoi se Malësia kohëve të fundit, pothuajse çdo vit, po përuron trupore e buste të ndryshme, personave kombëtar, fetar, etj.
Ndërkohë, të pranishmit i ka përshëndetur donatori i kësaj vepre, z. Lekë Lucaj, duke i falënderuar të gjithë pjesmarrësit në këtë ceremoni.
Në të njëjtën kohë, nga familja Lucaj ka përshëndetur dhe falënderuar për pjesëmarrje të pranishmit, Kolë Lucaj, i cili ndër të tjera tha se ky popull me veprat e tij deri në flijim, ka dëshmuar ndër shekuj se di ta ruaj identitetin kombëtar dhe fetar.
Në fund të këtij manifestimi është shtruar një koktej për të gjithë, ndërsa publiku u argëtua nga rapsodët e njohur Ndue Shytani dhe Fran Kodra.

Kujtojmë se të Shenjtes Nënë Tereza për veprimtarinë shumëdimensionale dhe kontributin e saj të pamohueshëm në përmasa botërore, edhe qytetet dhe vendet më të emancipuara i kanë ngritur trupore, për humanizmin që ajo u dha të gjjthë njerëzve, pa dallim përkatësie kombëtare, fetare, gjuhësore, etj.

Lartësimi dhe nderimi i figurave kombëtare dhe fetare që kanë lënë gjurmë për veprimtarinë dhe kontributin e tyre ndër vite, qofshin ato iniciativa të individëve, të grupeve shoqërore apo të institucioneve, janë akte të cilat duhen përgëzuar.
Kujtojmë se të Shenjtes Nënë Tereza për veprimtarinë shumëdimensionale dhe kontributin e saj të pamohueshëm në përmasa botërore, edhe qytetet dhe vendet më të emancipuara i kanë ngritur trupore, për humanizmin që ajo u dha të gjjthë njerëzve, pa dallim përkatësie kombëtare, fetare, gjuhësore, etj.
Kjo është shtatorja e katërt e Shenjtores Nënë Tereza e vendosur në Malësi, pas asaj në oborrin e Kishës së Tuzit, pranë Funeralit të Malësisë dhe tek Kisha e Kojës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat