Kohabitacioni dhe qeverisja

Dukuria e kohabitacionit, në praktikë është paraqitur në vendet e ish-kampit socialist pas miratimit të pluralizmit politik, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me model të ri të qeverisjes, i cili duhet të përshtatet si kudo në vendet me traditë demokratike

Nail Draga

Vetëm në pluralizëm qytetarët në vendet e ish-kampit socialist kanë pasur mundësi të njihen me dukurinë e kohabitacionit. Kemi të bëjmë me përfaqësuesit e pushtetit të cilët nuk i takojnë partisë së njëjtë në institucionet kryesore të vendit siç janë presidenti dhe kryeministri. Në këtë aspekt një dukuri e tillë është e pranishme në Mal të Zi nga viti 2020, duke vazhduar edhe tash si një model i qeverisjes. Nga ai vit, në Mal të Zi në pozita të tilla kemi të bëjmë me dy presidentë dhe tre kryeministra, të cilët janë përpjekur për “kompromise” të cilat dëshmojnë se kohabitacioni është realitet shoqëror në pluralizëm.

Ndryshime jo vetëm programore
Opinioni i gjerë është i informuar se kohabitacioni aktual në Mal të Zi është pasojë e ndarjeve të brendshme të partive, duke u trajtuar si papajtueshmëri personale. Por, me kalimin e kohës del qartë se kemi të bëjmë me ndryshime në aspektin ideologjik e programor, nga del se kemi diferencim në dy pozitat me të rëndësishme shtetërore. Nga aspekti i demokracisë një qëndrim i tillë nuk paraqet dobësi, por e kundërta, sepse me reagime nga ana e presidentit kemi të bëjmë me kontroll të pushtetit ekzekutiv, dukuri e cila më parë ka qenë shumë e rrallë.

E kaluara nuk mund të harrohet
Nga 30 gushti 2020, kur u bë rotacioni i pushtetit në Mal të Zi, kur pas tri dekadave kaloi në opozitë DPS-ja, në skenën politike janë të pranishme kalkulimet e ndryshme të subjekteve politike të cilët nuk zgjedhin mjete për të qenë pjesë e qeverisjes si në nivelin lokal, edhe atë qendror. Ish-opozita e cila tash është në pushtet në ketë aspekt përveç përvojës së tyre kanë mësuar shumë nga partia e cila ka udhëhequr për tridhjetë vjet (DPS), madje në disa çështje edhe duke iu tejkaluar.
Por, duke marrë parasysh se e kaluara nuk harrohet, pas datës 30 gusht 2020 pothuaj të gjitha subjektet politike në nivel lokal e atë qendror refuzojnë që në koalicion të ftojnë DPS-në, sepse ata janë përgjegjës për qeverisjen e vendit në të kaluarën.

Demokracia e pakonsoliduar
Jo rrallë në skenën politike në Mal të Zi, nuk respektohen parimet demokratike ku subjekti politik me numër më të madh mandatesh duhet të propozojë kryetarin e të tjerët pozitat tjera sipas mandateve të fituara. Por, ndodhë e kundërta, partitë e vogla, kushtëzojnë për të qenë pjesë e koalicioneve, madje edhe duke kërkuar më shumë se realisht iu takojnë. Një veprim i tillë nuk ka të bëjë fare me parimet demokratike, por me interesin e subjekteve të ndryshme politike, duke kushtëzuar subjektin më të votuar. Mosarritja e koalicionit për formimin e pushtetit lokal si në Podgoricë dhe Budva, është dëshmi transparente e një konstatimi të tillë.

Numrat si kushtëzim
Askush nuk mund të mohojë rëndësinë e numrave, sidomos kur është në pyetje formimi i koalicionit qeverisës, por kushtëzimi për pozita të veçanta, paraqet kërcënim politik ndaj partisë politike më të madhe. Dhe nga një veprim i tillë arrihen kompromise të dhimbshme, vetëm për hir të qeverisjes në mjedisin përkatës. Ne raste të tilla, parimet demokratike humbin vlerat e veta, nga del se ambiciet për pushtet nuk kanë masë reale, e raste të tilla ka kudo, ku as Ulqini nuk është përjashtim.

Dështimi i rotacionit
Në skenën politike në nivelin lokal subjekte të ndryshme politike në sajë të arritjes së koalicionit janë dakorduar që kryetarin e komunës ta ndajnë mes tyre secila nga dy vjet. Një dukuri e tillë ka ndodhur në Ulqin me rastin e zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur me 27 mars të vitit 2022, ku dy vitet e para kryetarin ta ketë URA, ndërsa dy vjetët tjera FORCA. Kryetari nga URA u verifikua në kuvendin lokal me 3.6.2022, por, me rastin e rotacionit të pozitës së kryetarit (2024), nga URA nuk respektuan marrëveshjen sepse tentuan të vazhdojnë më tutje me atë pozicion. Por, nga ana tjetër duke kuptuar intrigat e tilla FORCA arriti të dekompozojë koalicionin ekzistues, ku URA mbeti jashtë dhe në vend të saj afruan DPS-në, duke qenë shumica e re në parlamentin lokal, e cila ka mbështetur kandidatin e FORCËS për kryetar, i cili u verifikua nga Kuvendi i Ulqinit me 30.5.2024.

URA pësoi dy autogola
Një veprim i tillë nga URA ishte befasi për opinionin, sepse koalicioni këto dy vite ka funksionuar mirë, duke arritur suksese në aspektin financiar, por edhe në disa projekte zhvillimore. Por, ambiciet për pushtet dhe animoziteti ndaj disa individëve ndikuan që të mos respektohet marrëveshja, ku vendimtarë ishte rotacioni në lidhje me kryetarin e komunës. Me këtë veprim politik URA pësoi dy autogola, duke u vetëpërjashtuar nga qeverisja lokale si dhe riktheu DPS-në në pushtetin lokal në Ulqin.
Në mënyrë identike një dukuri e tillë ka ndodhur edhe në Komunën e Beranes, sepse duke mosrespektuar rotacionin e kryetarit dhe të pamundësisë të formojnë një koalicion të ri, është bërë shpërndarja e parlamentit lokal dhe është shkuar në zgjedhje të parakohshme lokale që janë mbajtur me 8 dhjetor 2024.

Interesat jo vetëm individuale
Janë pikërisht veprimet e tilla të subjekteve të ndryshme politike me numër të vogël këshilltarësh apo deputetësh të cilët kanë kërkesa të palogjikshme, por shfrytëzojnë momentin për t’u treguar gjoja të rëndësishëm, edhe e pse e dinë se pesha e tyre reale në skenën politike është e ulët. Deri sa të kemi pjesëmarrës të tillë, pluralizmi demokratik do të humbasë vlerat e tij reale, sepse parimet demokratike do të eliminohen dhe do të mbizotërojnë interesat e grupeve dhe individëve të ndryshëm.

Nga qeverisja qytetare tek ajo partiake
Pikërisht nga një situatë e tillë në qeverisjet lokale, por edhe atë qendrore janë punësuar individë të ndryshëm, që me përjashtim të rasteve, pjesa dërmuese tyre janë militantë apo individë të tjerë që iu përkasin ekskluzivisht partive politike. Në raste të tilla nuk respektohet kriteri i profesionalizmit dhe meritokracisë, por përshtatshmëria dhe nepotizmi, nga del se shumica e kuadrove partiake, janë për të dëshiruar.
Nëse me herët koncepti i qeverisjes trajtohej qoftë edhe formalisht si i qytetarëve, tani e ka humbur tërësisht atë kuptim, sepse kemi të bëjmë me qeverisje partiake, e cila ka marrë përmasa të virusit të përgjithshëm shoqëror, me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen.

Konkurset pa peshën e duhur
Fakti që individët nga subjektet partiake të koalicionit janë caktuar më parë se sa është shpallur konkursi publik tregon një konstatim të tillë në mënyrë transparente. Kjo situatë dëshpëruese ka bërë që kuadrot e verifikuara dhe të dëshmuara të mbesin jashtë mundësive për t’u punësuar, sepse është më e rëndësishme përkatësia dhe përshtatshmëria partiake sesa profesionalizmi dhe meritokracia.

Të fundit

më të lexuarat