“Koha javore”, tradita dhe sfidat pas gati një çerekshekulli

Që nga fillimi, rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë, duke u përballur me sfida dhe probleme të natyrave të ndryshme, që kanë rrezikuar disa herë madje edhe daljen e saj. Prandaj edhe vetë fakti që “Koha javore” ka mbijetuar dhe vazhdon të botohet në kohën e krizës së shtypit të shkruar paraqet në vetvete një sukses. Për më tepër, nuk është lehtë të dalësh në një rreth ku mungon kultura mediatike, sidomos ajo e leximit të shtypit, dhe të luftosh me forma të ndryshme të akulturimit, që janë më tërheqëse për lexuesin

Ismet Kallaba

Më 21 shkurt, 23 vjet më parë, lindi “Koha javore”, një medie e re e cila pasuroi peizazhin mediatik të mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi dhe në përgjithësi të medias në Mal të Zi në kohën e lulëzimit dhe një klime më të favorshme për median shqip.

Çdo përpjekje për politizimin e saj, qoftë e drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë, përmes punësimit e aq më tepër zgjedhjes në organet drejtuese dhe në krye të saj të njerëzve joprofesionistë e jokompetentë, i bën dëm imazhit të kësaj medieje që tashmë njihet edhe në rrafshin kombëtar


Që nga fillimi, rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë, duke u përballur me sfida dhe probleme të natyrave të ndryshme, që kanë rrezikuar disa herë madje edhe daljen e saj. Prandaj edhe vetë fakti që “Koha javore” ka mbijetuar dhe vazhdon të botohet në kohën e krizës së shtypit të shkruar paraqet në vetvete një sukses. Për më tepër, nuk është lehtë të dalësh në një rreth ku mungon kultura mediatike, sidomos ajo e leximit të shtypit, dhe të luftosh me forma të ndryshme të akulturimit, që janë më tërheqëse për lexuesin.
“Koha javore” përbën një të drejtë të arritur të shqiptarëve në Malin e Zi, në fushën e informimit në gjuhën amtare dhe të drejtave kombëtare. Ajo është memorja dhe mbamendja e shqiptarëve në Malin e Zi. Si media e pakicës, ajo nuk mund dhe as që duhet të bëjë përpjekje të sigurojë ekzistencën në rrugë komerciale, por të ruajë profilin dhe misionin e saj.
Në anën tjetër, çdo përpjekje për politizimin e saj, qoftë e drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë, përmes punësimit e aq më tepër zgjedhjes në organet drejtuese dhe në krye të saj të njerëzve joprofesionistë e jokompetentë, i bën dëm imazhit të kësaj medieje që tashmë njihet edhe në rrafshin kombëtar.
“Koha javore” nuk është dhe as nuk duhet të jetë pronë e askujt! As e punonjësve të saj, të cilët nuk janë aty thjesht (vetëm) për një pagë, por për një mision. Aq më pak e asaj pjese të demagogëve të cilëve u është lejuar dhe në njëfarë forme e kanë “privatizuar” hapësirën publike të kësaj gazete. Ajo është pronë vetëm e lexuesit.

“Koha javore” pas gati një çerekshekulli gjendet në fazën e pjekurisë së saj si medie dhe ka krijuar traditën e vet. Prandaj nga ajo me të drejtë kërkohet të mos jetë thjesht përcjellëse e ngjarjeve dhe e proceseve shoqërore e politike, por do të synojë të hapë debate për çështje me interes dhe me rëndësi për shqiptarët në Malin e Zi dhe më gjerë


Duke mos pasur pretendime joreale, pra të vetëdijshëm se nuk mund të bëjmë shumë, sepse edhe mundësitë, para së gjithash ato të burimeve njerëzore janë të kufizuara, “Koha javore” pas gati një çerekshekulli gjendet në fazën e pjekurisë së saj si medie dhe ka krijuar traditën e vet. Prandaj nga ajo me të drejtë kërkohet të mos jetë thjesht përcjellëse e ngjarjeve dhe e proceseve shoqërore e politike, por do të synojë të hapë debate për çështje me interes dhe me rëndësi për shqiptarët në Malin e Zi dhe më gjerë. Në realizimin e këtij synimi, krahas rikthimit të disa penave të njohura për lexuesin, në të ardhmen do të përpiqemi të zgjerojmë rrjetin e bashkëpunëtorëve duke i kontribuar kësisoj pluralizmit të ideve dhe mendimeve.
Si edhe deri tani, ajo do të vijojë politikën editoriale që ka pasur prej fillimit në ndërtimin e hapësirës së përbashkët kulturore, arsimore, gjuhësore, informative etj. kombëtare.

Të fundit

më të lexuarat