Tuz – Qindra qytetarë u mblodhën të dielën përpara godinës së Policisë në Tuz, për të mbështetur familjen e nëntëmbëdhjetë vjeçares së vrarë para pak ditësh, Sheilla Bakija, dhe për të kërkuar drejtësi për këtë krim makabër.
Protestuesit e shumtë mbanin në duar fotografi të të ndjerës dhe pankarta me mbishkrime të cilat në mes tjerash përcillnin mesazhe si: “Mësoni djemtë që gratë nuk janë objekte, “Drejtësia nganjëherë flenë, por nuk vdesë kurrë”, “Nuk je vetëm, nuk je fajtore”, “Hala je i lirë, ku mbeti besa e Malësisë”, etj.
Në emër të organizatorit të protestës, Mustafa Pepiq, në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, tha se dikush në këtë rast ka bërë lëshim, që siç u shpreh, do ta verifikojnë nëse ka qenë i qëllimshëm apo jo.
“Ajo çfarë ne kërkojmë nga policia dhe prokuroria është që ata ta kuptojnë me seriozitet këtë denoncim për dhunë e cila tashmë e ndjera Sheilla e kishte dorëzuar më 26 gusht të këtij viti, ku ajo është shprehur që jeta e saj është në rrezik dhe që pret ndihmë nga policia dhe prokuroria, sepse frikësohej për sigurinë e vet, dhe se në mënyrë strikte tregon se jeta e saj është në duart të tij (vrasësit)”, u shpreh Pepiq.
Ai më tutje nga kjo protestë u shpreh se Sheillën e ndjerë nuk do ta harrojnë dhe se familjen e saj nuk do ta lënë të vetëm, duke përcjellë mesazhin se askush tjetër nuk është fajtor për këtë ngjarje, përveç atij që ka kryer këtë vepër makabre.
“Shpresojmë që së shpejti do të vendosim drejtësi”, përfundoi Mustafa Pepiq gjatë këtij prononcimi.
Për këtë krim ka reaguar edhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, z. Dritan Abazoviq i cili është shprehur se “ky është alarmi i fundit i institucioneve kompetente të sistemit të cilat duhet të gjejnë mekanizmat për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje”.
I dyshuari për vrasjen e të resë, Sheilla Bakija, Ilir Gjokaj, pas disa ditësh në arrati, është vetëdorëzuar në polici.
t. u.