Kërkohet ndriçimi i shkakut të vdekjes

Organizatoret e protestës kanë porositur se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre nga ky tubim, ato nuk do të dorëzohen dhe kjo nuk do të jetë protesta e tyre e parë, por as e fundit!

Ulqin – Me mijëra qytetarë nga Ulqini dhe qytete të tjera të Malit të Zi kanë marrë pjesë të enjten e kaluar (7 nëntor 2024) në tubimin dhe marshin protestues me moton “Duam të vërtetën për Dritën”.
Protesta është organizuar nga organizatat joqeveritare të grave të Ulqinit, në shenjë reagimi dhe solidarizimi me familjet e lehonës Drita (Zati) Tafa, e cila vdiq pas lindjes së fëmijës, si pasojë e një gabimi mjekësor gjatë procesit të lindjes të mjekes gjinekologe që kishte përcjellë shtatzëninë e saj në Spitalin e Tivarit, por edhe të solidarizimit me familjen e Asmira Aloshit, e cila është në gjendje kritike dhe vazhdon trajtimin mjekësor në Qendrën Klinike Spitalore në Podgoricë për shkak të trajtimit joprofesional nga e njëjta mjeke në Spitalin e Tivarit.
Protesta ka filluar me një minutë heshtjeje.
Në emër të organizatorit, pjesëmarrësve u është drejtuar koordinatorja e protestës Hatixhe Nelaj.
Ajo ka thënë se është jashtëzakonisht e trishtuar, sepse kjo është një nga ngjarjet më të trishta me organizimin e së cilës është marrë.
“Megjithatë, sa jam e pikëlluar, po aq jam dhe krenare, sepse Ulqini është i bashkuar. Atë e bashkoi fati i Dritës sonë, vuajtja dhe dhimbja e saj, tre engjëjt e saj që na i la amanet të gjithëve”, është shprehur Nelaj.
Ajo ka treguar se të gjitha OJQ-të që tubojnë femrat, kolegët nga sektori civil, aktivistë, përfaqësues të institucioneve lokale dhe shtetërore, sipërmarrës, qytetarë, individë etj. e kanë mbështetur pa rezervë këtë tubim duke iu ofruar gjithë mbështetjen logjistike për ta bërë këtë tubim sa më të suksesshëm.
“Ne u jemi atyre jashtëzakonisht mirënjohëse për ndihmën e ofruar!”, ka thënë Nelaj.
Ajo ka thënë se jo pa arsye e kanë titulluar protestën “E vërteta për Dritën”, sepse e dinë se është e vërteta ajo që duhet të hedhë dritë mbi të gjitha rrethanat e këtij rasti tragjik e që sot është vështirë të arrihet.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka thënë se janë tubuar për të shprehur protestën kundër mënyrës së shërimit tonë në institucionet e sistemit shëndetësor në Mal të Zi.
“Gabimet njerëzore ndodhin, por të gjithë ne jemi dëshmitarë sa herë është dashur të japim 50, 100, 200 euro nëpër spitale. Kjo s’është e tolerueshme. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se në sistemin shëndetësor duhet të kemi lidhje që të shërohemi”, ka theksuar ai, duke nënvizuar se dëshiron “që ky tubim të jetë vërejtje për të gjithë ne, për të gjitha devijimet që ndodhin në shoqërinë tonë, në shtet”.
Nimanbegu ka thënë se me vite kërkojnë ngritjen e nivelit të maternitetit të Ulqinit në maternitet spitalor dhe që sistemi shëndetësor në komunën e Ulqinit të ngritet në nivel të spitalit.
“A duhet një rast tragjik që shteti të dëgjojë?!”, ka pyetur ai, duke shtuar se është shumë i pakënaqur me reagimin e drejtorit të Spitalit të Tivarit, Dr. Igor Karishik, i cili ka deklaruar se komisioni i ngritur nga ky spital për hetimin e shkakut të vdekjes së Drita Tafës ka konstatuar se në trajtimin e saj gjatë procesit të lindjes është zbatuar protokolli shëndetësor, që do të thotë se nuk ka pasur gabime mjekësore.

Protesta ka filluar me një minutë heshtjeje, ndërsa në fund të saj pjesëmarrësit kanë marshuar nga rrethrrotullimi përpara shtatores së Nënë Terezës, ku është mbajtur tubimi protestues, i cili për nga masiviteti ishte ndër më të mëdhenjtë që ka njohur Ulqini viteve të fundit, deri te rrethrrotullimi te tre ullinjtë në krye të pazarit dhe mbrapa


Të gjithë pjesëmarrësit e protestës i ka prekur dhe nuk kanë mundur t’i përmbajnë lotët nga fjalët e bashkëshortit të Dritës, Arben Tafa, i cili ka ndarë me ta kujtime nga jeta bashkëshortore dhe disa prej momenteve më të vështira të përballimit me vajzat e tij pas vdekjes së bashkëshortes.
“Kam pasur fatin të jetoj me një bashkëshorte, e cila gjithmonë ka menduar për të tjerët e kurrë nuk ka menduar për veten”, ka thënë ai.
Ai e ka përshkruar momentin e vështirë kur i ka telefonuar vajza dhe e ka pyetur se “pse qajnë të gjithë në shtëpi?”
“S’kam mundur ta mbledhë veten dhe i them: Nëna ka shkuar në një vend më të mirë.
Ajo më tha: Ule telefonin se nuk dua të flas më me ty. E njëjta vajzë është tani shumë më e fortë se unë. Dhe në mëngjesin e ditës së nesërme, më thotë me zë, duke qarë: Babë, si i ke punët? Domethënë, në çdo moment ajo e ka ndier veten se duhet të rritet, edhe pse është vetëm 11-vjeçare. E ka marrë motrën e saj dhe i ka thënë: Nëna ka shkuar në një vend më të bukur dhe nuk do të vijë më, dhe ka thënë baba: mos qaj”, ka rrëfyer Tafa përmes emocioneve.
Ai ka treguar edhe se ndër fjalët e fundit të bashkëshortes së tij, Dritës, përpara se të vdiste, ka qenë mesazhi: “Kujdesu për fëmijët tonë!”.
Tafa ka thënë se fëmijët janë duke i dhënë forcë për të ecur përpara dhe se do të vazhdojnë betejën ligjore për ndriçimin e së vërtetës dhe të fajtorit të vdekjes së bashkëshortes së tij.
Dhembjen e tyre e kanë ndarë me pjesëmarrësit e protestës edhe vëllai i Dritës, Ejub Zati, nëna e Asmira Aloshit – Bukurije Lukoliq, Zllatan Hot – bashkëshorti i Ajla Hot nga Tivari, e cila ka humbur jetën në rrethana të ngjashme para tri viteve, koleget e Dritës nga Kopshti “Solidariteti”, edukatoret Lumnije Bisha dhe Tamara Miniq, njëra prej organizatoreve të protestës, Hadixha Gjoni, ndërsa është lexuar edhe mesazhi i deputetit Ilir Çapuni.
Kërkesat e protestës i ka lexuar aktivistja e shoqërisë civile dhe njëra prej organizatoreve të protestës, Allmedina Doda, e cila ka thënë se kërkojnë që: publiku të mësojë të vërtetën për këto raste; duan përfshirjen e të gjitha autoriteteve përkatëse shtetërore për të përcaktuar shkakun e vdekjes së bashkëqytetares sonë Dritës; kërkojnë që për këtë rast të mbahet seancë e veçantë ne Kuvendin e Komunës së Ulqinit; kërkojnë që materniteti në Ulqin të kompletohet për të punuar me të gjitha rregullat; dhe që raste te tilla tragjike të jenë të fundit dhe që gratë ulqinake të kenë kujdes shëndetësor dhe ndihmë të vërtetë dhe të përgjegjshme.
Ajo ka porositur se “nëse nuk plotësohen kërkesat tona nga ky tubim, ne nuk do të dorëzohemi dhe kjo nuk do të jetë protesta jonë e parë, por as e fundit!”
Në fund të protestës, e cila për nga masiviteti ishte ndër më të mëdhatë që ka njohur Ulqini viteve të fundit, pjesëmarrësit kanë marshuar nga rrethrrotullimi përpara shtatores së Nënë Terezës, ku është mbajtur tubimi protestues, deri te rrethrrotullimi te tre ullinjtë në krye të pazarit dhe mbrapa.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat