Interesat personale para atyre publike

Refuzimi i propozimit të Presidentit për shpërbërjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve nga ana e shumicës aktuale parlamentare, dëshmon qartë defektet e Kushtetutës së vendit e cila duhet të ndryshohet, për të qenë në favor të funksionimit të qeverisjes dhe të interesit publik, e jo të interesave personale e të klaneve të ndryshme, duke injoruar qytetarët të cilët aty janë në saje të votave të tyre

Nail Draga

Nga miratimi i pluralizmit në Mal të Zi (1990) në skenën politike, pas tridhjetëvitesh, në zgjedhjet parlamentare të mbajtuara më 30 gusht 2020, PDS kaloi në opozitë, të cilën e kanë përjetuar si goditje të rëndë politike. Nga ato zgjedhje u formuan dy qeveri, e para e njohur si e ekspertëve dhe e dyta e pakicës, por nuk paten jetëgjatësi, duke dëshmuar se ende nuk janë në nivelin e duhur për të qeverisur, sepse ka ekzistuar animoziteti personal dhe sidomos dallimet programore e ideologjike në mes konstituentëve të koalicionit qeverisës. Një veprim i tillë i dha mundësi PDS-së të gjallërohet, të cilët për interesat e tyre e mbeshtetën qeverinë e pakicës, duke përjashtuar idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Partitokracia si parim i qeverisjes
Në ato mjedise ku në rend të parë janë interesat personale apo partiake, mungon qasja parimore për qeverisje, andaj edhe marrëveshjet e arritura janë formale, duke marrë parasysh se shoqëria malazeze është tipike partitokratike, edhe për marrëveshjet mbi çështjet elementare është vështirë të arrihet konsenzuesi.
Arritja e marrëveshjes nga ana e shumicës se re, përkatësisht të vjetër parlamentare që për kryeminstër të propozohet Miodrag Lekiqi, nuk u mbeshtet nga presidenti Millo Gjukanoviq, u hapen dilema të cilat nuk kanë qenë të pranishme deri më tash në relacionin President – Parlament.
Shteti si pronë private
Dhe nuk si të jetë ndryshe, sepse përvoja e deritashme dëshmon se shumë individë të angazhuar në politikë, sidomos atA në nivel shtetëror, Malin e Zi e trajtojnë si pronë të tyre, madje disa prej tyre politikën e kanë si profesion të vetëm.Një perceptim i tillë nuk vlen vetëm për partitë e mëdha por edhe të ato të voglat, sepse një dukuri e tillë ndodh te shoqëritë me demokraci të pakonsoliduar, ku është e pranishme autokracia, ku Mali i Zi është rast tipik në rajon.
Privilegjet nga politika
Jemi dëshmitarë se individë të ndryshëm përmes angazhimit në politikë kanë siguruar privilegje, andaj bëjnë çmos që ato mos t’i humbin, me veprime të ndryshme që varësisht prej rastit sillen sikurse akrobatët e cirkut. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse vendi i punës së politikanit në Mal të Zi paguhet mirë, andaj edhe angazhimi në këtë drejtim shpërblehet. Por, të gjithë jemi dëshmitarë se politikanët në vend që të punojnë për interesin publik, në rend të parë kanë interesin personal.
Duhet të ndryshohet Kushtetuta
Ndër pëngesat e mosfunksionimit të pushtetit aktual në Mal të Zi, paraqet edhe Kushtetuta e cila është miratuar në vitin 2007. Por, nga ajo kohë e deri më tash ka kaluar kohë e mjaftueshme, duke dëshmuar defekte në funksionimin e pushtetit, në raportin me Qeverinë dhe Presidentin e vendit.
Janë pikërisht defektet në Kushtetutë që ekzekutivit dhe Parlamentit i mundësojnë të veprojnë sipas momentit të përshtatshëm, sepse nuk ekzistojnë pëngesa të definura në Kushtetutë. Për një veprim të tillë të shumicës aktuale parlamentare nga 30 gushti i vitit 2020, këtë komoditet ua ofron kjo kushtetutë e cila nuk ka pësuar ndryshime. Por, pse nuk ka pësuar ndryshime, përgjegjës është vet presidenti aktual M.Gjukanovii, sepse ai me partinë e tij (PDS) e ka hartuar e miratuar atë, duke mos menduar se një ditë do të jenë në opozitë.
Pra një veprim i tillë duke menduar se do të jenë në pushtet në mënyrë të përhershme, si duket tash u ka sjellë kokëçarje atyre dhe qytetarëve të cilët nuk janë mësuar me veprime të tilla destruktive në skenën politike në Mal të Zi.
Në pritje të shpërbërjes së Parlamentit
Ndryshimet në Kushtetutë janë të nevojshme duke i cekur në mënyrë taksative obligimet e Presidentit, Kryeministrit dhe të Parlamentit, se si duhet të veprohet kur Qeveria humb votëbesimin, e jo duke krijuar akrobacione politike nga partitë parlamentare, të cilat herë janë pjesë e shumicës, e herë e pakicës parlamentare. Në raste të tilla, duhet të definohet se kur Qeveria humb votëbesimin, shpërbëhet Parlamenti dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sikurse veprohet në vendet demokratike evropiane.
Ndërsa në rastin konkret në Mal të Zi, edhe pse Presidenti i vendit ka dhënë propozimin që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamanetare, ai mund të jetë vetëm propozim, sepse çdo gjë varët nga disponimi dhe interesi i partive parlamentare të cilat përbëjnë shumicën për të miratuar një kërkesë të tillë. Në rastin konkret, propozimi i Presidentit u refuzua, sepse i munguan votat e mjaftueshme (41) për të realizuar në praktikë një veprim të tillë, andaj çdo gjë do varet nga shumica aktuale parlamentare.
Por po të ishin definuar qartë në Kushtetutë ingerencat e Presidentit në lidhje me këtë çështje, ai nuk do të varej nga disponimi dhe interesat e deputetëve të shumicë të cilët mbrojnë interesat e tyre dhe të subjekteve politike, por me dekret do të shpërndante Parlamentin dhe do t’i shpallte zgjedhjet parlamentare, si kudo në botën demokratike.
Kaosi politik në dëm të qytetarëve
Duke marrë parasysh se një dukuri e tillë është e panjohur deri më tash në pluralizëm, skena politike në Mal të Zi ka kohë që është në një kaos politik i cili për momentin nuk ka zgjidhje, sepse derisa Presidenti i shtetit refuzon të mandatojë për kryeministër M.Lekiqin, nga shumica e re (e vjetër) parlamentare, ndërsa shkarkimet e ndryshme në institucionet shetërore ditëve të fundit, si rezultat i aferës së korrupcionit të duhanit, dëshmojnë se nuk kemi stabilitet të Qeverisë, e cila si e tillë siç duket do të vazhdojë deri në formimin e qeverisjes së re, apo të zgjedhjeve parlamentare.Pasi në ndërkohë do të mbahen edhe zgedhjet lokale më 23 tetor në 14 komuna, ku më e rëndësishmja është ajo e Podgoricës, rezultati i zgjedhjeve do të jetë barometër tregues dhe orientim për ditët në vijim në skenën politike.
Partitë politike si grupe të interesit
Përfundimisht, del qartë se në skenën politike në Mal të Zi, partitë politike më tepër iu ngjajnë grupeve të interesit, sepse përmes tyre individë dhe klane të ndryshme janë përfituesit më të mëdhenjë, që dëshmohet me mosshpërbërjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si mundësi reale për daljen nga kriza aktuale në këtë mjedis.

Të fundit

më të lexuarat