Gjuha shqipe – non grata në Malin e Zi

Pavarësisht faktit se Mali i Zi si shoqëri dhe shtet shumetnik, shumëgjuhësor dhe shumëfetar përmendet shpesh si shembull i harmonisë dhe i bashkëjetesës, ky nuk është rasti i parë i sulmeve ndaj gjuhës shqipe, e cila në bazë të Kushtetutës së Malit të Zi është përcaktuar si gjuhë në përdorim zyrtar. Kjo tregon se gjuha shqipe është e padëshirueshme, po të përdorim gjuhën diplomatike “non grata” në Malin e Zi, veçmas në ato mjedise ku dominon populli shumicë

Incidenti i ndodhur para disa ditësh (3 shtator 2025) në një festival filmi në Podgoricë, kur organizatorët e Festivalit të Filmit Xhada u detyruan të ndërpresin shfaqjen e filmit “Lejleku” në gjuhën shqipe, të regjisorit Isa Qosja, për shkak të veprimeve të një grupi personash që reaguan dhunshëm për shkak se filmi po shfaqej në gjuhën shqipe, tregon problemet e theksuara në përdorimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi, por edhe të marrëdhënieve ndëretnike në këtë vend.
Pavarësisht faktit se Mali i Zi si shoqëri dhe shtet shumetnik, shumëgjuhësor dhe shumëfetar përmendet shpesh si shembull i harmonisë dhe i bashkëjetesës, ky nuk është rasti i parë i sulmeve ndaj gjuhës shqipe, e cila në bazë të Kushtetutës së Malit të Zi është përcaktuar si gjuhë në përdorim zyrtar. Kjo tregon se gjuha shqipe është e padëshirueshme, po të përdorim gjuhën diplomatike “non grata” në Malin e Zi, veçmas në ato mjedise ku dominon populli shumicë. Këtu nuk është fjala vetëm për institucionet zyrtare, por edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, siç është Festivali i Filmit Xhada.

Reagimet
Ndërprerja e shfaqjes së filmit “Lejleku” ka ngjallur reagime të shumta te një pjesë e institucioneve shtetëtore, partitë politike shqiptare dhe përfaqësuesit politikë shqiptarë, organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e njeriut etj., të cilët kanë kërkuar reagimin e organeve përgjegjëse dhe dënimin e akterëve të këtij akti të shëmtuar.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë se ndërprerja e dhunshme e shfaqjes së filmit paraqet diskriminim të rëndë dhe jotolerancë të hapur, “vetëm sepse filmi është xhiruar në gjuhën shqipe”.
“Ky është një alarm se vlerat themelore shoqërore po pësojnë një goditje serioze”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentit të Malit të Zi.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka thënë se pret një reagim vendimtar nga institucionet dhe njoftoi se “do të sigurohet personalisht që autoritetet t’i gjejnë organizatorët dhe autorët e kësaj ngjarjeje të neveritshme”.
“Shteti i Malit të Zi do të jetë i fortë vetëm aq sa do të mbrojë çdo gjuhë dhe çdo kulturë që jeton në të. Prandaj pres që institucionet të reagojnë sa më shpejt dhe vendosmërisht, në mënyrë që të dërgohet një mesazh i qartë se në Mal të Zi nuk ka vend për veprime të këtilla. Komuniteti shqiptar është pjesë e kësaj shoqërie dhe si i tillë duhet të ketë të drejtë të barabartë për të kontribuar në kulturën dhe të ardhmen e tij”, ka thënë ai.

Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, ndërprerja e dhunshme e shfaqjes së filmit në gjuhën shqipe nuk është vetëm çështje e komunitetit shqiptar, por çështje e Malit të Zi.
“Ata që janë më përgjegjës për reagimin dhe sigurimin e shfaqjes së filmit, janë: Presidenti i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. Fatkeqësisht, reagimi i tyre mungon”, ka thënë Gjeloshaj.
Në reagimin e vet, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka thënë se veprime të tilla përbëjnë një shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe të drejtave kulturore, si dhe të drejtave të pakicave.
“Gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë në Malin e Zi, duhet të respektohet dhe trajtohet me nderim nga të gjithë qytetarët dhe institucionet, si pjesë e së drejtës së pakicave për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kulturor”, theksohet në reagim.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Kulturës dhe e Medias, Kinoteka Malazeze dhe Qendra e Filmit kanë thënë se janë të befasuar dhe të shqetësuar për ngjarjen e pakëndshme në Zabjello të Podgoricës.
Ata kanë thënë se arti, por sidomos ai filmik, gjithmonë ka qenë dhe duhet të mbesë hapësirë e dialogut, lirisë së shprehjes dhe e ballafaqimit me çështjet dhe sfidat e shoqërisë në të cilën jetojmë, duke shtuar se janë posaçërisht krenarë për faktin se filmi “Lejleku” është produksion malazez.
Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e ka dënuar incidentin duke nënvizuar se veprimet e tilla përbëjnë shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe janë në kundërshtim të hapur me karakterin multinacional dhe multikulturor të Malit të Zi.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, e ka cilësuar incidentin si një sulm ndaj demokracisë dhe diversitetit kulturor në Mal të Zi. Ai ka theksuar rëndësinë e respektimit të gjuhës shqipe, si një nga gjuhët zyrtare të vendit, dhe mbrojtjes së lirisë artistike.
“Disa lejlekë sollën (jo)kulturë në xhadën e Podgoricës. Gjuha shqipe është pasuria e kulturës sonë”, ka shkruar në një postim Reisi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat ef. Fejziq.
Lidhur me incidentin kanë reaguar edhe partitë politike shqiptare, deputetët Ilir Çapuni e Artan Çobi, organizatat joqeveritare malazeze që merren me të drejtat e njeriut, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Malin e Zi, i cili e ka financuar filmin, etj.
Producenti i filmit “Lejleku”, Bajrush Kajtazi, ka shprehur krenarinë që kanë realizuar filmin e parë të metrazhit të gjatë në gjuhën shqipe, të financuar nga Qendra e Filmit në Mal të Zi, një moment historik për kulturën dhe kinematografinë shqiptare në këtë vend.
Ai e ka cilësuar ndërprerjen e shfaqjes së filmit si një akt të turpshëm dhe të papranueshëm, por sipas tij, “fakti që ‘Lejleku’ ngjalli reagime kaq të forta tregon fuqinë e tij: ky film hap dialog, sfidon tabutë dhe prek plagë që disa përpiqen t’i fshehin”.

Epilogu
Si pasojë e reagimeve të shumta dhe kërkesës që filmi “Lejleku” të rishfaqet, ai është transmetuar të premten mbrëma (5 shtator 2025) në programin e parë të Radio Televizionit të Malit të Zi, si dhe të dielën mbrëma (7 shtator 2025) në Kinotekën e Malit të Zi, në mbyllje të edicionit të dhjetë të Festivalit të Filmit Xhada.
Megjithatë, shfaqja e tij në një mjedis të mbyllur është konsideruar nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile si dobësi e institucioneve përgjegjëse, përkatësisht e policisë për të garantuar siguri që filmi të shfaqet në një ambient të hapur.
Ndërkohë, nga Policia e Malit të Zi dhe Prokuroria Themelore e Podgoricës janë mjafuar me njoftimin se është formuar lënda lidhur me incidentin e ndodhur me shfaqjen e filmit në gjuhën shqipe “Lejleku”, pa dhënë asnjë informacion lidhur me identifikimin dhe eventualisht arrestimin e autorëve të kësaj vepre penale.

I. Kallaba

Të fundit

më të lexuarat