Ulqin – Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, është zgjedhur kryetar i ri i Komunës së Ulqinit në seancën e Kuvendit të kësaj komune, e cila ka filluar të mërkurën pasdreke (29 maj 2024) dhe ka vazhduar deri pas mesnate.
Për zgjedhjen e tij kanë votuar 19 këshilltarë të shumicës së re qeverisëse, e cila përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Partia Boshnjake. Me 20 vota për, shumica qeverisëse ka shkarkuar më herët në këtë seancë kryetarin e Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari nga Lëvizja Qytetare “Ura”.
Në fjalën e tij pas dhënies së betimit, kryetari i ri i Komunës së Ulqinit ka thënë se kjo do të jetë udhëheqje e vazhdimësisë, e pajtimit dhe e marrëdhënieve të mira.
Ai ka thënë se qytetarëve ua kemi borxh kthimin e besimit se politika bëhet për të mirën e tyre.
“Qytetarëve u kemi borxh punë dhe rezultate. Dhe për këtë unë zotohem që do të punojmë sa të kemi fuqi”, ka thënë Nimanbegu, duke premtuar se do t’ua shtrijnë të gjithëve dorën e bashkëpunimit.
Kryetari Nimanbegu ka thënë se edhe pse nuk është një mandat i plotë, por i kufizuar në kohë (dyvjeçar), kjo qeverisje do të jetë e qëndrueshme.
Ai ka thënë se do të vijojë realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në çdo pjesë të Komunës së Ulqinit.
“Duam që së bashku me të gjithë këta miq e shokë e dashamirë të ruajmë identitetin e Ulqinit dhe të çojmë përpara vizionin për zhvillimin e komunës sonë. I gjithë përkushtimi im gjatë këtij mandati do të jetë për zhvillimin dhe prosperitetin e Komunës së Ulqinit”, është shprehur Nimanbegu.
Zgjedhja e kryetarit të ri të Komunës së Ulqinit është zhvilluar nën hijen e incidentit të ndodhur para votimit për shkarkimin e kryetarit të deritashëm Omer Bajraktari, me ç’rast është ndërprerë rryma dhe është hedhur gaz në mjediset e Komunës së Ulqinit, gjë që ka çuar në ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Pas kësaj, pjesëtarë të policisë kanë mbërritur në godinën e Komunës së Ulqinit për të hetuar rastin, ndërsa mjekët e shërbimit të urgjencës kanë ofruar ndihmë për të pranishmit në Kuvend të cilët kanë shfaqur probleme në sistemin e frymëmarrjes.
Shumica e re qeverisëse përbëhet nga 21 këshilltarë nga 33 sa ka gjithsej Kuvendi i Komunës së Ulqinit, kurse në opozitë përpos Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Demokratëve, tani do të jenë edhe këshilltarët e Lëvizjes Qytetare “Ura” dhe Alternativës Shqiptare.
i. k.