Plazhet gjysmë të zbrazura tashmë kur jemi në gjysmën e korrikut janë pasqyra më e mirë e një fillimi të dobët të sezonit turistik në Ulqin. Punonjësit e turizmit vlerësojnë se ky është një ndër sezonet më të dobëta në dhjetë vitet e fundit në Ulqin. Sipas tyre, kjo situatë është pasojë e një numri faktorësh, por në të njëjtën kohë ngjall frikën e dështimit të sezonit turistik.
Kryetari i Shoqatës së Qiramarrësve të Plazheve në Ulqin, Prelë Shkreli thotë se ekziston një varg faktorësh për fillimin e dobët të sezonit, ndër të cilët ai veçon përzierjen e afaristit arab Mohamed Alabbar në tenderin për qiradhënien e plazheve, që ka ndikuar në një reklamë shumë të keqe për plazhet e Ulqinit.
“Fillimi i sezonit i ka befasuar të gjithë qiramarrësit e plazheve të Ulqinit, sepse nuk kanë shpresuar që të konkurrohet në mënyrë jotransprente për 19 plazhe. Kjo ka qenë arsyeja që qiramarrësit e plazheve, disa prej të cilëve i kanë ato që prej njëzet vitesh, nuk kanë qenë të gatshëm për përgatitjen e plazheve. Për këtë arsye janë vonuar me përgatitjen e plazheve, sepse ka ekzistuar një periudhë e gjatë e pasigurisë se çfarë do të ndodhë me disa plazhe të fituara në tender nga Alabari”, thekson ai.
Kryetari i Shoqatës së Qiramarrësve të Plazheve fajëson për këtë situatë edhe Ndërmarrjen Publike “Të Mirat Detare” për shkak të rritjes enorme të çmimeve të qiradhënies së plazheve, për 300-350 për qind.
“Kjo ka ndikuar shumë edhe në çmime, megjithëse në Ulqin nuk i kanë rritur shumë çmimet. Por kemi qenë të detyruar, sepse edhe kështu shumë plazhe nuk do të mund të punojnë me bilanc pozitiv”, shprehet ai, duke shtuar se mysafirët tradicionalë në Ulqin nuk janë me xhep të pasur dhe “nuk janë mësuar të ballafaqohen me këto çmime që janë tani”.
Pavarësisht fillimit të dobët të sezonit turistik, ai pret që 30 ditë do të ketë fluks, kur të fillojnë të vijnë turistët nga diaspora.
“Por me 30 ditë punë nuk mund të nxjerrësh fitim, nuk mund të dalësh me bilanc pozitiv”, thotë Shkreli.
Njohësi i rrjedhave turistike, Ismet Kaleziqi, ish-drejtor i NHT “Riviera e Ulqinit”, dikur bartës kryesor i turizmit të Ulqinit, sezonin e dobët turistik në Ulqin e sheh si rezultat i kombinimit të shumë faktorëve, qoftë lokalë ose globalë.
Në mesin e faktorëve kryesorë, ai rendit infrastrukturën e keqe dhe kaosin urbanistik.
“Plazhet e lëna pas dore, mirëmbajtja e dobët e hapësirave publike, rrugët e parregulluara dhe trafiku i rënduar mund t’i zbrapsin turistët. Mungesa e vendeve për parkim, trafiku i parregulluar dhe ndërtimet kaotike shpesh e prishin përjetimin e turistit”, ka shkruar ai në rrjetin shoqëror Facebook.
Krahas kësaj, Kaleziqi nënvizon edhe çmimet e larta që nuk janë në përputhje me ofertën.
“Çmimet e akomodimit, ushqimeve dhe shezlloneve shpesh janë në mospërputhje me cilësinë e shërbimit, gjë që turistët e vënë re dhe e krahasojnë me destinacionet konkurruese (p.sh. Shqipërinë, Greqinë)”, thekson ai.
Një faktor tjetër të rëndësishëm për të paraqet edhe konkurrenca në rajon.
“Shqipëria, e cila ndodhet në afërsi tonë, ofron kushte të ngjashme natyrore me çmime më të ulëta dhe me infrastrukturë më të mirë në disa segmente. Greqia dhe Turqia ofrojnë oferta all-inclusive, akomodim më cilësor dhe shërbim më të mirë”, shprehet Kaleziq.
Ndër faktorët tjerë, ai përmend edhe promovimin dhe marketingun e dobët, ofertën turistike të pazhvilluar, problemet ekologjike, situatën jostabile politike dhe ekonomike, përvojën e keqe të turistëve nga vitet e kaluara etj.
Turizmi përbën degën kryesore ekonomike në Ulqin, prej të cilit janë të varur dhe e sigurojnë ekzistencën pjesa më e madhe e qytetarëve të Ulqinit. Prandaj dështimi i sezonit turistik do të kishte ndikim negativ për banorët dhe ekonominë e këtij qyteti.
i. k.
