Kërkesa për përfaqësim të garantuar të shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi ka qenë pjesë e ligjërimeve politike ndër vite, e artikuluar nga shumica e subjekteve shqiptare që prej pluralizmit politik.
Mirëpo, nisma e fundit e koalicionit “Forumi Shqiptar” për të garantuar në të ardhmen katër mandate dhe të drejtën e vetos për ligjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat e pakicave, e ka rikthyer këtë temë në fokus, duke nxjerrë në pah nevojën për harmonizim të standardeve me praktikat evropiane dhe modele të vendeve të rajonit.
Zëvendëskryetari i Alternativës Shqiptare dhe deputeti i Forumit Shqiptar, Artan Çobi, në prononcimin për gazetën “Koha javore” shprehet se nisma synon të vendosë një mekanizëm të qartë ligjor që garanton përfaqësimin real të shqiptarëve në institucionet shtetërore, në përputhje me standardet evropiane për të drejtat e pakicave.
“Ne propozojmë që përfaqësimi i garantuar të realizohet përmes ndryshimeve në Ligjin zgjedhor, që do të përcaktojnë një minimum prej katër mandateve për komunitetin shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi”, thotë ai.
Ndërkohë, duke folur për të drejtën e vetos që gjithashtu përfshihet në kërkesën e kësaj nisme, Çobi thotë se e drejta e vetos do të aplikohet vetëm për ligjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat, gjuhën, arsimin, kulturën dhe zhvillimin rajonal të zonave me shumicë shqiptare.
“Mekanizmi është i ngjashëm me praktikat që ekzistojnë tashmë në disa vende të BE-së, si Sllovenia apo Kroacia, ku pakicat kombëtare kanë garanci të qarta institucionale. Synimi nuk është bllokimi i proceseve politike, por sigurimi që asnjë vendim të mos merret pa u dëgjuar zëri i shqiptarëve”, shprehet ai.
I pyetur nëse ka pasur një reagim nga institucionet evropiane dhe partnerët ndërkombëtarë për këtë propozim, Çobi thotë se reagime s’ka pasur ende në mënyrë institucionale, por shpreh bindjen se ato do të jenë pozitive dhe inkurajuese.
“Ne do të zhvillojmë kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të BE-së dhe të misioneve diplomatike në Podgoricë, të cilëve do t’ua prezantojmë iniciativën tonë të plotë me argumentimin juridik dhe politik të kësaj kërkese. Po ashtu, në të ardhmen Forumi Shqiptar do të inicojë takime në Bruksel dhe në Uashington, për ta prezantuar këtë platformë si pjesë të agjendës evropiane të reformave në Mal të Zi. Synimi është që çështja e përfaqësimit të shqiptarëve të mos shihet si kërkesë lokale apo etnike, por si pjesë e procesit të demokratizimit dhe integrimit të vendit në BE”, thotë ai.
Në përgjigje të pyetjes se në ç’mënyrë mund të sigurohet që kjo nismë të shihet si një projekt gjithëpërfshirës i shqiptarëve në Mal të Zi, përtej dallimeve partiake, Çobi sqaron se ata po kërkojnë mbështetjen e të gjitha forcave politike shqiptare, të shoqërisë civile, të intelektualëve dhe të diasporës, dhe se, siç thotë ai, kjo nuk është nismë e një partie, por kërkesë e drejtë e një komuniteti që për dekada ka kontribuar në shtetin e përbashkët dhe që sot kërkon trajtim të barabartë.
“Ne besojmë se vetëm me një qasje gjithëpërfshirëse, me dialog dhe koordinim mes të gjitha subjekteve shqiptare, kjo nismë mund të marrë legjitimitetin e plotë dhe të prodhojë rezultate konkrete. Qëllimi ynë është të krijojmë një konsensus të gjerë kombëtar për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në institucionet e Malit të Zi”, përfundon deputeti i Forumit Shqiptar, Artan Çobi.
Gazetari i njohur dhe analisti Ali Salaj vlerëson për gazetën “Koha javore” se mandatet e garantuara dhe e drejta e vetos për ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave është një zgjidhje demokratike që garanton përfaqësimin autentik të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Kjo e drejtë përcaktohet edhe me standardet ndërkombëtare, ku parashihet korniza ligjore për sistemin zgjedhor që siguron pjesëmarrje efektive të pakicave në parlamentin e vendit. Rekomandimet ndërkombëtare për zgjedhjet parashikojnë mishërimin dhe përfshirjen e kësaj të drejte edhe në Kushtetutë”, thotë ai.
Salaj më tej thekson se që nga pluralizmi politik në vend, të gjitha partitë politike shqiptare kanë bërë në vazhdimësi kërkesa për mandatet e garantuara, si: LD në MZ, UDSH, PPD, Forca e Re Demokratike e deri tek Alternativa Shqiptare, ku e kërkuan këtë të drejtë bazuar në modelin zgjedhor të Kroacisë apo të Kosovës.
“Kroacia si anëtare e BE-së, me Ligjin zgjedhor ka të garantuar tre mandate për serbët dhe për pakicat tjera së bashku pesë mandate. Ndërkohë shqiptarët në Parlamentin e Kroacisë janë të përfaqësuar me një deputet, edhe pse ata marrin pjesë me 0.5% në popullsinë e përgjithshme. Nga ana tjetër, në Kosovë, Ligji zgjedhor i avancon pakicat, ku serbët kanë 10 vende të rezervuara, ndërsa pakicat tjera po ashtu kanë 10 mandate”, shprehet Salaj.
Ai shton se fillimisht partitë politike shqiptare kishin mbështetjen e lobit shqiptar dhe se gjatë këtij harku kohor kërkesat e shqiptarëve i mbështetën dhe lobuan fuqishëm, prej Tom Lantos, Joe Dioguardi, Eliot Engel, Dana Rorabaker etj, “por për shkak të mosmarrëveshjeve, inateve dhe bajraktarizmit, partitë shqiptare i humbën momentet jetike për ta realizuar këtë kërkesë. Po ashtu ata nuk ditën t’i shfrytëzojnë situatat kritike për Malin e Zi, siç ishin pavarësia, përbërjen e shumicës në koalicionet qeverisëse, mbështetjen për anëtarësimin në NATO etj.”, thotë gazetari dhe analisti Ali Salaj.
Sipas tij, pa asnjë kushtëzim, por vetëm për interesa personale, përfaqësuesit shqiptarë e pranuan ligjin aktual zgjedhor duke propaganduar me vetëkënaqësi se “më mirë dy mercedesa se katër golfa”, duke aluduar në cilësinë e tyre si politikanë.
“Prandaj vlerësoj se nisma e ‘Forumit Shqiptar’ nuk do të ketë sukses nga fakti se forcat politike shqiptare janë defaktorizuar dhe do ta kenë vështirë ta animojnë faktorin ndërkombëtar. Po ashtu Mali i Zi i ka mbyllur kapitujt e negociatave me BE-në, që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave, ndërkohë që forcat politike shqiptare janë pjesëmarrëse në një qeveri të koordinuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila si objektiv ka formimin e ‘Botës Serbe’. Në anën tjetër, Qeveria aktuale e Malit të Zi i ka numrat edhe pa pjesëmarrjen e partive politike shqiptare”, përfundon Salaj.
Juristi i njohur Anton Lulgjuraj, për gazetën tonë gjithashtu thekson se kërkesa për mandate të garantuara në Parlamentin e Malit të Zi është bërë dekada me radhë, por siç thotë, deri tani ka rënë në vesh të shurdhër.
Nga këndvështrimi i tij juridik, Lulgjuraj thotë se për të ardhur deri te realizimi i kësaj të drejte, nuk mjafton vetëm ndryshimi në Ligjin zgjedhor, por duhet të vihet deri te një tryezë e rrumbullakët me të gjithë aktorët kryesorë politikë në Mal të Zi, të cilët, siç thotë, duhet të mishërojnë parimin e barazisë së pakicave kombëtare në aktin më të lartë juridik brenda këtij shteti, që është Kushtetuta.
“Nga ky akt juridik, që qëndron në majë të piramidës, hartohen në pajtueshmëri të plotë ligjet dhe aktet tjera juridike që do garantojnë të drejtat e pakicave kombëtare. Këto të drejta, Perëndimi i ka garantuar me akte të ndryshme juridiko-ndërkombëtare, të cilat duhet të merren si bazë për të drejtat e pakicave kombëtare në Mal të Zi”, thekson Lulgjuraj.
Parimi i barazisë juridike, thotë ai, ka kuptim të gjerë dhe se pa garantimin e këtij parimi themelor, nuk shohim që do ketë zgjidhje në themel për harmoninë dhe bashkëjetesën e qytetarëve brenda shtetit të Malit të Zi.
Në lidhje me këtë nismë, për të marrë qëndrimin e tij, kemi komunikuar edhe me kryetarin e Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, por deri në momentin e publikimit të gazetës, nuk ka dhënë asnjë prononcim.
Në kuadër të kësaj nisme, “Forumi Shqiptar” iu ka dërguar një letër të gjithë ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke kërkuar sigurimin e përfaqësimit të duhur dhe të qëndrueshëm politik për komunitetet pakicë, veçanërisht për komunitetin shqiptar.
T. Ujkaj
