Koha javore: Profesor Shkurtaj, më 12 janar 2026 Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka publikuar zyrtarisht online Fjalorin e madh të gjuhës shqip. Sa i plotëson ai nevojat dhe kërkesat e folësve të sotëm të gjuhës shqipe?
Gj. Shkurtaj: Fjalorët janë punë e mundimshme, por besojmë se kësaj here, në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe pasuria e leksikut dhe e frazeologjisë së gjuhës shqipe është paraqitur me plotëri e më gjerë se kurrë më parë.
Gjuha shqipe, fjalët dhe frazeologjia e saj, të jetësuara e të ruajtura, madje të mbrojtura edhe me gjakun e dëshmorëve të shqiptarisë, janë pasuria kombëtare më me vlerë dhe më e shquar që ka prodhuar kombi shqiptar.
Mund të thuhet se, qysh nga vepra e parë në leksikografinë shqiptare “Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis”, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht me disa shprehje të përditshme) dhe në gjithë atë mori fjalorësh të botuar në hapësirat shqiptare e në diasporë, qëllimi kryesor i tyre ka qenë patriotik dhe shqiptaripohues. Siç e thoshte Frang Bardhi: “Pasi vrava mendjen për ca kohë (të dashurit e mij, pasi hyra në kolegj) se me ç’lloj libri do të mundja, nga njëra anë, të ndihmoja gjuhën tonë që përherë e më tepër po bdaret e po bastardhohet dhe, nga ana tjetër, të ndihmoja të gjithë ata që janë në shërbim të Zotit
e të Kishës së Shenjtë Katolike e që nuk e dijnë gjuhën latine, pa të cilën askush nuk
mund t’u shërbejë ideve, zakoneve dhe ceremonive të Kishës së Shenjtë të Romës ashtu
sikundër duhet, pa bërë gabime të mëdha, mendova se do të ishte ide e mirë të hartoja e
të përktheja një fjalor nga gjuha latine në gjuhën shqipe, që nuk është tjetër veçse një
libër me fjalë dhe emra të ndeshur në këtë pjesë të botës. Pra, emra njerëzish, kafshësh,
ujrash, malesh, fushash dhe gjëra të tjera që gjenden në qiell e në tokë, si dhe zoti,
engjëjt dhe shenjtorët etj. Ky libër më pëlqen mua dhe shpresoj se do t’u ndihmojë
sadopak të tjerëve.” Pra, dy synimet e atij Fjalori ishin të shpëtonin gjuhën shqipe nga ‘bastardhimi’ e të ndihmonin klerin shqiptar të mësonte latinishten.
Fjalori i Frang Bardhit, ashtu si përgjithësisht veprat e shkrimtarëve tanë të traditës, janë shkruar të nxitura nga dashuria për vlerat kombëtare – identitetin e gjuhën; nga vetëdija për rrezikun që i kanosej gjuhës në rrethanat e krijuara pas pushtimit osman; nga përgjegjësia intelektuale dhe, natyrisht, nga nxitja për të ruajtur identitetin fetar.
Shpreh vlerësimin dhe gëzimin tim për realizimin e detyrës sonë të madhe: mbarimin e punës hartuese, redaktuese dhe teknikaliteteve për dorëzimin e botimit on-line të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.
Koha javore: Sa është përmbledhur në këtë fjalor e gjithë pasuria leksikore e shqipes?
Gj. Shkurtaj: Fjalori ynë (si çdo fjalor) është si magazinat e mallrave. Magazinieri e hap kur i duhet ndonjë mall. Lexuesi e hap fjalorin kur i duhet të dijë kuptimin e ndonjë fjale a termi. Fjalori ka nisur duke pasur si bazë Fjalorin e 1980-ës, por duke bërë jo vetëm ripunimin e pasurimin e tij, por në radhë të parë duke e zgjeruar përfshirjen e fjalëve e frazelogjizmave që kanë qenë përdorur në shkrime e në të folmet popullore për të cilat shumëkujt i del pyetja: Çfarë do të thotë? Në mënyrë të veçantë vlen kjo për fjalë e shprehje që dalin jo vetëm në gjuhën e folur e dialektet, po që, prej andej kanë hyrë dhe në letërsinë e shkruar.
Dhe, në fakt, në çdo gjuhë, edhe në shqipen, kur lexojmë a dëgjojmë ndonjë fjalë të re a term të ri, apo qoftë edhe ndonjë fjalë të vjetër a dialektore, bëjmë pyetjen: “Çka do të thotë?” Apo: “Çka don me thanë?”
Nga kjo pikëpamje, edhe sasia e madhe e fjalëve të Fjalorit si dhe vëllimi prej 9.900 faqesh, janë fryt i synimit të ideuesve dhe realizuesve të tij për të mos lënë jashtë fjalë që janë përdorur me shkrim apo që janë në përdorim me gojë nga shqiptarët. Madje, kjo ka qenë dhe arsyeja që, ndërsa në fillesë të projektit, ideja ishte për një fjalor me rreth 80 mijë fjalë, sa dyfishi i Fjalorit të 1980-ës, kur iu shtruam punës, do të shihej se kishim më shumë grurë në magazinë dhe “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” (FMGJSH) po del me mbi 125.000 njësi leksikografike (rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë, rreth 3.500 fjalë “të fshehura” në kuptime si emra, mbiemra a ndajfolje, rreth 12.500 njësi frazeologjike, rreth 5.000 togfjalësha terminologjikë, rreth 1.200 emërtime shkurtesore, rreth 250 terma të rinj të paasimiluar fonetikisht, rreth 1.650 shprehje të huaja të paasimiluara e rreth 250.000 kuptime leksikore).
Pra, mund të pohohet se ky Fjalor vjen si vepra leksikografike e atillë që ka munguar dhe është mjaft e kërkuar nga shumë përdorues të gjuhës shqipe. Kjo vepër do të mirëpritet nga studiues albanologë, nga leksikologë e leksikografë, nga hartues të fjalorëve dygjuhësh, nga pedagogë e mësues dhe nga studentë në shkollat e larta, nga përkthyes, nga shkrimtarë, nga publicistë, nga tekst-hartues etj. Ky fjalor, duke pasqyruar në një masë e cilësi të re këtë pasuri leksikore të shqipes bashkëkohore, më shumë se dyfishi i vëllimit të të gjithë fjalorëve të mëparshëm shpjegues, në aspektin kombëtar bëhet edhe treguesi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së fjalës shqipe; ai nden gjerësisht vlerat shënuese e shprehëse të shqipes, krijon kështu mundësi të pakufishme për t’i kryer me saktësinë e nevojshme e me hijeshi, funksionet komunikuese në të gjitha fushat e ligjërimit e stilet e përdorimit. Fjalori, duke qenë normativ, përveçqë ndihmon për ruajtjen e pastërtisë së shqipes e për njësimin gjuhësor sipas standardit, u shërben gjithashtu edhe të huajve që mësojnë e studiojnë shqipen thellësisht.
Hartimi i një fjalori të përgjithshëm shpjegues të tipit të madh ka qenë jo vetëm dëshirë e synim i leksikografisë shqiptare, por edhe nxitje për përgatitje të shumanshme:
FMGJSH mbështetet në parimet leksikografike të traditës e ato bashkëkohore, vendëse e ndërkombëtare, për fjalorët e tipit të madh, shpjegues, të përgjithshëm e normativ, me rritje të ndjeshme të funksionit informues. Këta fjalorë janë vepra që plotësojnë, sipas vëllimit të tyre, kërkesën e parimit të përgjithshëm leksikografik: Të regjistrojnë, të ruajnë e të hedhin në përdorim pasuri leksikore, frazeologjike e semantike të gjuhës, si një “arkivë” përherë e hapur për shfrytëzim, pa kufizime sociale, krahinore, profesionale etj., si burim lënde e informacioni gjuhësor e konceptologjik për shumë të interesuar, si për funksionet e komunikimit gjuhësor të kësaj lënde, ashtu edhe për qartësi konceptore, stilistike etj.
Fjalorët janë vetë gjuha. Quhen “fjalorë”, siç dihet, sipas renditjes alfabetike të fjalëve nga të gjitha fushat e jetës, të veprimtarive, të botës së gjallë e të natyrës. Por vlerat më të mëdha i mbart përmbajtja leksiko-semantike dhe e mbishtresuar, si edhe përdorimi në praktikën e komunikimit të këtyre fjalëve. Fjalorët mësojnë jo vetëm si është gjuha, por edhe si ta përdorësh pasurinë, forcën e bukurinë e saj. Në aspektin kombëtar ata bëhen shprehësit më të plotë të pasurisë, të larmisë, të forcës e të bukurisë së gjuhës, të mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë së gjallë gjuhësore.
Koha javore: A është pasqyruar në masën e duhur pasuria leksikore e shqipes nga të gjitha trojet shqiptare? A janë përfshirë në të fjalët, kuptimet dhe frazelogjizmat shqipe të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, shqiptarëve në Malin e Zi dhe të diasporës shqiptare?
Gj. Shkurtaj: Pas hartimit e botimit të disa fjalorëve shpjegues të përgjithshëm, të tipit të vogël e të mesëm, si“Fjalor i gjuhës shqipe”, 1954, “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, 1980, “Fjalor i shqipes së sotme”, 1984/2002, “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2006, “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2020, “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, “Fjalor i antonimeve në gjuhën shqipe”, 1998, “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe”, 2020, “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, 1999/2010, 2004, dhjetëra fjalorë terminologjikë shpjegues e shumëgjuhësh, mbi 40 fjalorë krahinorë, shumë fjalorë dygjuhësh, fjalorë specialë etj. (bibliografia e leksikografisë shqipe, që nga fjalori i parë i Frang Bardhit, “Dictionnarium latino-epiroticum”, 1635, e deri më sot, përmban mbi 600 tituj), hartimi i një fjalori të madh të gjuhës shqipe ishte bërë domosdoshmëri e kohës dhe sipërmarrje e mundshme për t’u përmbushur.
Ndërmarrja për hartimin e tij lidhet me përgatitjen e një ekipi të madh leksikografësh, me afate të gjata hartimi e redaktimi (10-15 vjet) e sidomos me ngritjen më parë të Kartotekës kombëtare të digjitalizuar të leksikut të shqipes, me disa milionë njësi leksiko-semantike të nxjerra me vjelje integrale të mijëra faqesh teksti.
FMGJSH është ideuar e realizuar si vepër mbarëkombëtare. Dihet që çdo fjalor i madh është afatgjatë jo vetëm në procesin e hartimit, por edhe në jetën e vet të qarkullimit e të përdorimit: me thesarin e vlerat e tij ai duhet të qëndrojë një kohë të gjatë derisa të ndihet e nevojshme të rimerret hartimi i një fjalori tjetër të madh ose të ripunohet fjalori i botuar. Prandaj edhe cilësia e tij duhet t’i qëndrojë kësaj kohe dhe ripunimet e fjalorit a vëllimet shtesë të mos ndihen aq shpejt të mungueshme.
FMGJSH është vepër e re, me dallime të rëndësishme në vëllimin e lëndës dhe në trajtimin leksikografik nga Fjalori i vitit 1980 dhe nga fjalorë të tjerë të botuar në këta dyzet vitet e fundit. Ai nuk ka dalë nga një rritje mekanike e numrit të fjalëve, por nga hartimi tërësor si një vepër e re, natyrisht duke u mbështetur në gjithë trashëgiminë tonë leksikografike. Çdo vit ka pasur vjelje të reja fjalësh, kuptimesh, njësish frazeologjike, në mënyrë që vëllimi i Fjalorit të përditësohej me lëndë të re deri në çastin e botimit.
Koha javore: Cilat janë problemet me të cilat jeni ballafaquar gjatë përpilimit të FMGJSH-së?
Gj. Shkurtaj: Mbas më se pesë vjetësh, ashtu siç ishte ideuar e parashtruar në Projektin e miratuar nga Akademia jonë e Shkencave, më datën 29 dhjetor, në prag të festave të fundvitit 2025, vepra është dorëzuar si punë e kryer dhe mund të kalohet në proceset teknike e elektronike të botimit on-line dhe, natyrisht, pa bjerrë mot, të vijojmë edhe ndonjë plotësim a përmirësim që do të duhet ta kryejmë para se të bëhet edhe botimi në letër.
Uroj dhe besoj që, duke punuar me kujdesin dhe akribinë që lypet për vepra të mëdha si ky Fjalor, paçim jetë e shëndet për ta shpënë deri në fund edhe gatitjen për shtyp në letër, duke qenë edhe ai një proces pune jo i lehtë, por që do t’ia shtojë dekorin e poninë veprës sonë madhore e, do të thosha, madhështore në llojin e vet. Shpreh kënaqësinë time që, ndonëse në moshë pensioni, pata nderin e privilegjin të isha pjesë e këtij ekipi gjuhëtarësh me emër të mirë e me përvoja të mirënjohura si studiues e njohës të leksikut të gjuhës shqipe, sidomos me leksikologët e mirënjohur akad. Jani Thomain, prof. Miço Samarën, akademik Valter Memishën, prof. Shezai Rrokajn, prof. Ali Jasharin, Petrit Zenelin, autorë të njohur fjalorësh leksikorë, frazeologjikë, sinonimikë e terminologjikë, si dhe me koleget prof. Shefkije Islamaj, prof. Anila Omari dhe prof. Anila Kananaj, si dhe me anëtarë të grupeve të punës nga Shqipëria, nga Kosova e nga Maqedonia e Veriut.
Ndonëse në vite të vështira të pandemisë dhe të punës kryesisht on-line, me një organizim të lëvdueshëm e ku shquan sidomos vullneti i pathyeshëm e ndjenja e lartë e detyrës dhe, duke punuar si një organizëm i vetëm e i unifikuar, ia dolëm t’u japim shqiptarëve një vepër jo vetëm të shumëpritur po edhe me nivelin e duhur të përpunimit shkencor.
Vlerësoj se Fjalori është tashmë në atë nivel që duhet quajtur vepër e realizuar, e punuar me kujdes dhe që mund të dorëzohet për të kaluar në gatitjen për publikim on-line dhe për të vazhduar edhe me ndonjë përmirësim a plotësim para se të botohet në letër.
Në këtë vepër kemi vënë emrin, faqen dhe nderin tonë, prandaj urojmë që ajo të ketë pëlqimin e lexuesve, vlerësimin e studiuesve dhe, mbi të gjitha, të shërbejë edhe si një përvojë e vlerë e shtuar në studimet leksikologjike e në leksikografinë shqiptare.
Së mbrami, por jo për nga rëndësia, dëshiroj të theksoj se puna për këtë Fjalor na tregoi se, krahas më të vjetërve që e ideuan dhe e drejtuan punën, dhanë ndihmesë shumë të rëndësishme dhe forca të reja, hartuese e redaktore, të cilat na japin mundësi të jemi optimistë e të sigurt për vazhdimin e veprave të tilla në të ardhshmen.
Koha javore: FMGJSH është publikuar tashmë online. Cili është qëllimi?
Gj. Shkurtaj: Qysh më datën 24, kur u mor vesh se Fjalori u dorëzua te kryetari i Akademisë, si punë e përfunduar dhe e shtypur në letër në dy a tri kopje prej 9.900 faqesh, kanë filluar të vijnë edhe përgëzimet e vlerësimet e para. Dhe, qysh nga data 12 janar kur Fjalori është publikuar on-line, kanë filluar të na vijnë edhe vërejtjet e sugjerimet e para, nga afër e nga larg.
Dhe, ka aty, shfrime të gëzueshme e mirëpritjeje duke e cilësuar Fjalorin si “tregues të pasurisë kombëtare më me vlerë dhe më të shquar që ka prodhuar kombi shqiptar.”
Po lejohem të përmend ndonjë prej tyre: avokati G. Shoshi: “E vetmja vepër madhore dhe cilësore për gjuhë shqipe, për kombin shqiptar, kudo ndodhet. Nder, nderim e vlerësim të çmuar për autorët, emri i të cilëve do të mbetet siç është ai i Webster-it në Fjalorin e anglishtes. Urime në përgjithësi, urime të veçanta për ty.
Gjuha shqipe bëri një hap të madh. I lumtë popullit që e ka krijuar, ju lumtë, ju, gjuhëtarëve atdhedashës, që e ruani si sytë e ballit dhe e studjoni. Ju jeni nderi i kombit. E ndjej, që sot, jam edhe më shumë krenar, që jam shqiptar. Zëri i shqiptarit sot shprehet me mbi 100 mijë zëra.”
Koha javore: A pritni të ketë sugjerime të përdoruesve të gjuhës shqipe dhe sa do të merren parasysh ato?
Gj. Shkurtaj: Po, presim dhe mirëpresim të ketë edhe vërejtje e sugjerime nga gjuhëtarë, arsimtarë, gazetarë dhe nga dashamirë të shqipes e të shqiptarisë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe nga diaspora. Nga diaspora arbëreshe, si dhe nga diaspora e re e ‘shprishur” në të gjithë rruzulllin e me prani të pohueshme e të dukshme sidomos në SHBA, në gati të gjitha shtetet e Evropës, e sidomos në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, në Norvegji e deri në Australi. Ashtu si ju, që më pyetët një ditë për fjalën ‘gjitholog’, kushdo mund të pyesë a të shkruajë në adresën e e-mailit: sugjerime@online.
Dhe, sikundër e përmenda dhe më lart, menjëherë, bashkë me përgëzimet për njoftimin për daljen e Fjalorit on-line, kanë filluar të vijnë edhe reagimet e para.
Po përmend, ndër të tjera, profesor Gjekë Marinajn (SHBA), poet e kandidat për çmimin Nobel:
“Gjovo, të lutem, kur të pyesësh nëse është përfshirë termi ‘protonizëm’ në Fjalor, pyet edhe për termin tjetër: ‘protonizmiatikë’ apo ‘protonizmiatika’. Të dy janë terma të rinj në gjuhën shqipe.
Sa më vjen keq që nuk arritëm ta fusnim te Fjalori i Malësisë së Madhe. Ashtu do kishte mbetë term nga Malësia e Madhe – tani nëse futet mbetet term shqiptar.”
Po ashtu, një student shqiptar Riad Kryeziu (shqiptar nga Kosova në SHBA):
“Përshëndetje, profesor. Sapo e pashë të gjithë intervistën dhe më la shumë mbresa. Entuziazmi dhe dashuria që përcillni përmes ekranit janë të qarta dhe të kthjellëta. Ndihem shumë i nderuar dhe i respektuar që më keni përmendur dhe që e lexuat mesazhin fjalë për fjalë. Këtë fundjavë do ta hap dhe do ta shikoj fjalorin në internet, dhe do t’ju përcjell mbresat e mia personale. Faleminderit edhe një herë për dashurinë që na përcillni gjithmonë. Ju duam shumë, unë dhe Tereza. Të fala të gjithëve në Shqipëri”…
Intervistoi: Ismet Kallaba
