Fajtori i pafajshëm

29 shtatori 2021 shënoi 50-vjetorin e pushkatimit të Dom Shtjefën Kurtit në moshën 74-vjeçare për “krimin” e madh se pagëzoi një fëmi, me kërkesë të prindit. Dom Shtjefën Kurti ka lindur në Ferizaj të Kosovës, më 25 dhjetor të vitit 1898. Ai studioi në Shkodër, Austri e Romë. Është shuguruar meshtar në Romë më 13 maj 1921, nga ku dërgohet për të shërbyer në Gjakovë

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Gjatë asaj kohe të qëndrimit të tij në Gjakovë dhe në Kosovë, ai bëhet dëshmitar i shtypjeve barbare të popullsisë shqiptare në ato troje nga ish-Jugosllavia e vjetër. Ndërkohë, me dy priftërinj të tjerë shqiptarë, dokumentojnë të gjitha faktet dhe materialet denoncuese për gjenocidin kundër shqiptarëve nga autoritetet jugosllave dhe përgatisin një dokument të veçantë për t’ia paraqitur Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, paraardhëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara sot. Ky është dokumenti përgatitur prej tre priftërinjve katolikë shqiptarë nga Kosova, shkruar origjinal prej tyre në frëngjisht, por përkthyer në anglisht nga Albanologu i njohur, i ndjeri Robert Elsie.
Sipas disa të dhënave, Lidhja e Kombeve në Gjenevë, me të marrë dokumentin e mësipërm të nënshkruar nga këta priftërinj shqiptarë të Kosovës, organizon një komision prej diplomatësh për të shkuar në Kosovë dhe për të parë nga afër situatën e shqiptarëve autoktonë atje. Mund të thuhet se ky memorandum shënoi fillimin e veprimtarisë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, por edhe fillimin e përndjekjeve kundër tij, fillimisht nga ish-Jugosllavia e më pastaj nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili më në fund edhe I mori jetën duke e masakruar në vitin 1971.
Ishte, pra, Janari i vitit 1930 dhe pas dërgimit të Memorandumit Lidhjes së Kombeve, Dom Shtjefën Kurti kërcënohej nga autoritetet e Jugosllavisë së vjetër dhe rrjedhimisht detyrohet të shkojë në Shqipëri — siç duket për të mos u kthyer më në Kosovë — bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun, bashkautorët e Memorandumit për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë.
Ndërkaq, në vitin 1938 emërohet famullitar në Tiranë, titullar i Kishës Katolike të kryeqytetit shqiptar.
Me mbarimin e Luftës së dytë Botërore në Shqipëri fillon kalvari i vërtetë për klerikët dhe fetarët në përgjithësi, por për klerikët katolikë në veçanti, përfshirë Dom Shtjefën Kurtin, i cili arrestohet për herë të parë në Tiranë më 1946 dhe dënohet me 20-vjet burg, për “agjitacion e propagandë”, i akuzuar si “bashkëpunëtorë i amerikanëve, britanikëve dhe francezëve”. Pas mbylljes së kishave nga regjimi komunist (1967), Dom Shtjefni u dërgua në Gurëz (Milot). Atje ai është arrestuar përsëri më 11 qershor 1970 dhe kësaj radhe është dënuar me vdekje “in odium fidei”, që pak a shumë mund të përkthehet “për urrejtje fetare”.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, (AIDSHSH) i vetmi ent ose institucion qeveritar ose jo qeveritar që, për sa vura re unë, e kujtoi këtë 50-vjetor të vrasjes barbare të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës- sjell në portalin e vet këtë përkujtim me informacion, bazuar në dokumentacionin arkivor që posedon ajo zyrë:
“I Lumi Dom Shtjefën Kurti është vetëm një prej klerikëve të krishterë që janë ekzekutuar në komunizëm dhe ende pa varr. I ardhur nga Kosova më 1930, në shtator 1943, ai lajmëronte Arqipeshkvinë se po pagëzonte h ebrenj, me gjasë për t’i shpëtuar nga nazistët, sepse me pagëzimin merrnin emra të rinj e pasaporta shqiptare. U arrestua për herë të parë më 28 tetor 1946 për agjitacion e propagandë dhe u dënua me 20 vjet burg. Ai kishte refuzuar të shkëputej nga Vatikani dhe e çuan në Burrel, por nuk u dorëzua as mes torturave. E çuan të hapte varrin e tij, por nuk e pranoi akuzën. E kthyen në qeli, ku natën e Krishtlindjeve dëgjohej të thoshte meshën, i përlotur. Dikur e liruan nga burgu. Kishat ishin mbyllur dhe e dërguan në Gurrëz (Milot), ku e lanë të punonte magazinier në kooperativë. U arrestua përsëri më 11 qershor 1970.
Gjyqi për të zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godinë e kthyer në vatër kulture pas prishjes së vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar. U dënua me vdekje “In odium fidei… ai u mor nga qelia dhe u vu para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, tha: “Më vjen keq që po ma merrni ju”. Akuza zyrtare kishte qenë sabotim. Por koha do të hidhte dritë. Në vitin 2011, nipi i tij, Nikolin Kurti, ka mundur të takojë prokurorin që kërkoi dënimin, Hajredin Fuga, dhe gjykatësin që mori vendimin, Jani Vasili. Të dy i kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorë, për çfarë ka ndodhur me meshtarin. Nikolin Kurti i ka botuar letrat në janar 2019, duke respektuar dëshirën e Fugës e Vasilit që letrat të publikoheshin pas vdekjes së tyre. Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke arritur deri në Gjykatën Kushtetuese. Në letrën e tij të ndjesës, prokurori Fuga ka thënë se çështja për Dom Shtjefnin pati nisur me pak drithë të vjedhur në kooperativë, derisa në të përfshinë edhe emrin e priftit. Në letër ai vëren se atë kohë, çështja iu hoq Krujës dhe e mori Ministria e Brendshme, por shtonte se sipas vartësit të tij që kishte qenë i pranishëm, ekzekutimi ishte bërë natën. Vetë Fuga nuk kishte dijeni për të dhëna që mund të ndihmonin në gjetjen e eshtrave”, thuhet në portalin e AIDSHSH.
Ky 50-vjetor i masakrimit të Dom Shtjefen Kurtit më kujton gjithashtu edhe reagimin e komunitetit shqiptaro-amerikan në atë kohë, kur menjëherë pasi morëm vesh nga shtypi amerikan se ishte vra Dom Shtjefen Kurti, organizohet një demonstratë para Kombeve te Bashkuara dhe përball selisë së misionit të regjimit komunist shqiptar në Kombet e Bashkuara. E mbajë mend mirë atë demonstratë, ndoshta e para e këtij lloji, ku mori pjesë mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, pa dallim, i prirë nga Monsinjor Zef Oroshi dhe Imam Isa Hoxha.
Vrasja barbare e Dom Shtjefën Kurtit dhe shumë të tjerëve si ai, është ndër ato raste kur fisnikëria triumfon mbi hakmarrjen, mbi vuajtjet dhe mundimet e një jete, nëse mund të quhet e tillë. Një jetë jashtëzakonisht e vështir, në njërën prej diktaturave më të egra komuniste – por është edhe një rast që tregon se e mira triumfon mbi të keqen, se e vërteta gjithmonë fiton, më në fund.
Por, ky 50-vjetor i vrasjes barbare të Dom Shtjefën Kurtit na ofron gjithashtu edhe një rast për reflektim – madje për reflektim të thellë, pikë së pari reflektim nga institucionet shtetërore dhe nga përfaqësuesit e lartë të qeverisë e të shtetit shqiptar, por edhe nga mbarë shoqëria shqiptare. Duhet një reflektim serioz për nevojën e një kthesë të domosdoshme që Shqipëria – si vend anëtar i NATO-s, që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian – të përballet seriozisht me të kaluarën komuniste dhe me krimet barbare të regjimit të Enver Hoxhës — krime kundër këto kundër njerëzimit, siç ishte vrasja e Dom Shtjefën Kurtit dhe mijëra të bashkatdhetarëve të tij – kundërshtarë të regjimit komunist – viktima të komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik, shumë prej të cilëve as varret nuk u dihen, as eshtrat nuk u janë gjetur, megjithëse kanë kaluar 30-vjet nga gjoja shembja zyrtare e komunizmit në Shqipëri. Nuk u gjenden varret as eshtrat e viktimave të komunizmit sepse sundimtarët aktualë të Shqipërisë dhe klasa politike në përgjithësi e këtyre 30-viteve “post-komunizëm”, refuzon të distancohet seriozisht dhe njëherë e mirë nga e kaluara kriminale komuniste dhe si rrjedhim refuzon të dënojë krimet çnjerëzore të komunizmit. (vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat