Në fillim të javës (20 janar 2025) Donald Trump u inaugurua si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nisur mandatin e tij të dytë katërvjeçar që mund të quhet edhe si epoka e dytë e Trumpit. Ai tashmë ka hyrë në historinë e SHBA-së si presidenti më i vjetër (79 vjeç) për nga mosha dhe presidenti i dytë që zgjidhet dy herë në mandate jo të njëpasnjëshme.
Trumpi rikthehet në krye të Amerikës në një kohë kur bota po përballet me sfidat më të mëdha në fushën e sigurisë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai pritet të thyejë akullin pasi ka deklaruar se do ta takojë Putinin për t’i dhënë fund luftës ruso-ukrainase. Kjo do të përbënte një kthesë të madhe në politikën amerikane, që deri tani ka shmangur çdo takim me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, të cilin e ka akuzuar për agresion ndaj Ukrainës.
Para inaugurimit të tij si president, ai ka bërë disa deklarata që kanë shkaktuar jo pak tensione me partnerët tradicionalë të Amerikës, duke shfaqur pretendime ekspansioniste ndaj Kanadasë dhe Grenlandës, e cila administrohet nga Danimarka, që të dy vende aleate të SHBA-së, si dhe për të vendosur nën kontrollin amerikan Kanalin e Panamasë. Edhe në të kaluarën, Trumpi i ka kërcënuar hapur vetë anëtarët e Aleancës Veriatlantike NATO se SHBA nuk do të paguajë për sigurinë e tyre.
Donald Trump nuk është një president normal (i zakonshëm) si presidentët e tjerë amerikanë pasi që është i paparashikueshëm dhe kontrovers. Gjatë mandatit të tij të parë qeverisës ai ka treguar se është një president kryeneç dhe me prirje autokrate. Shumë që kanë bashkëpunuar me të në mandatin e parë si President, janë larguar prej tij e disa prej tyre janë shndërruar madje në armiq të përbetuar. Kjo tregon se me Trumpin është vështirë të punosh (bashkëpunosh).
Trumpi ka treguar se ai don të jetë mbi ligjin. Ai është akuzuar dhe gjobitur për mashtrime tatimore nga kompanitë e tij. Por rasti më i rëndë është mospranimi i rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, kur simpatizuesit e tij sulmuan Capitol Hillin, skena të papara ndonjëherë më parë në historinë e demokracisë amerikane, gjë që e ka luhatur besimin e opinionit ndërkombëtar në vlerat demokratike të SHBA-së
Në mandatin e tij të dytë si president, ai ka zgjedhur në krye të administratës amerikane njerëzit që e kanë mbështetur dhe i kanë qëndruar besnikë. Ndër emërimet më të bujshme sigurisht që është ai i Elon Muskut, pronarit të kompanisë për prodhimin e makinave elektrike Tesla, platformës sociale X dhe kompanisë së raketave Space X, i cili do të bashkëdrejtojë Departamentin e ri për Efikasitetin e Qeverisë. Kjo mund të kuptohet edhe si kthim borxhi për mbështetjen politike dhe financiare që Musk i ka dhënë Trumpit gjatë fushatës presidenciale, por ka ngjallur frikën e ligjërimit të oligarkisë mbi shtetin.
Trumpi ka treguar se ai don të jetë mbi ligjin. Ai është akuzuar dhe gjobitur për mashtrime tatimore nga kompanitë e tij. Por rasti më i rëndë është mospranimi i rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, kur simpatizuesit e tij sulmuan Capitol Hillin, skena të papara ndonjëherë më parë në historinë e demokracisë amerikane, gjë që e ka luhatur besimin e opinionit ndërkombëtar në vlerat demokratike të SHBA-së.
Ai nuk ka ngurruar që të hyjë në luftë të hapur me të gjithë që e kanë kundërshtuar. Trump iu ka shpallur luftë edhe mediave që kanë qenë kritike ndaj tij dhe mënyrës së qeverisjes së tij, ose që kanë hulumtuar dhe shkruar për shkeljet e tij dhe të kompanive të tij. Ai i ka quajtur këto media “armiq të njerëzve” (amerikanëve).
Slogani i mandatit të tij të parë “Amerika e para” ka pësuar deformime përgjatë rrugës. Trumpi insistonte që Amerika duhet t’i rikthehet vetvetes. Megjithatë, shumë veprime të tij gjatë mandatit të parë qeverisës shënojnë shkëputje nga kjo politikë, sigurisht edhe nën ndikimin e rrethanave të ndryshme politike, ekonomike dhe shoqërore në botë.
Askush si Trumpi nuk e ka ndarë më shumë komunitetin shqiptar në SHBA, në mbështetës dhe kundërshtarë të tij. Derisa për njërën palë ai është Presidenti i duhur, në radhë të parë për shkak të rritjes së ekonomisë amerikane gjatë qeverisjes së tij, për palën tjetër ai paraqet një president gati-gati të urryer, i cili me veprimet e tij ka dëmtuar rëndë besimin në vlerat demokratike amerikane.
Askush si Trumpi nuk e ka ndarë më shumë komunitetin shqiptar në SHBA, në mbështetës dhe kundërshtarë të tij. Derisa për njërën palë ai është Presidenti i duhur, në radhë të parë për shkak të rritjes së ekonomisë amerikane gjatë qeverisjes së tij, për palën tjetër ai paraqet një president gati-gati të urryer, i cili me veprimet e tij ka dëmtuar rëndë besimin në vlerat demokratike amerikane
Për shqiptarët, interesimi më i madh ka të bëjë me çështjen se cili do të jetë qëndrimi i administratës së re amerikane ndaj Kosovës. Trumpi njihet si ithtar i përdorimit të mjeteve jokonvencionale për arritjen e qëllimeve të tij. Gjatë qeverisjes së tij është arritur Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e vetë presidentit Trump, një marrëveshje që nuk është jetësuar. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në kanë pësuar ftohje edhe gjatë administratës së ish-Presidentit Bajden, për ç’gjë opozita në Kosovë dhe kritikët kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti. Rizgjedhja e Trumpit ka ngjallur frikën se Amerika mund të kërkojë nga Kosova të bëjë lëshime ndaj Serbisë përmes propozimit të formës “merre ose lëre”.
Ndërsa Shqipëria ka ndjekur pothuajse symbullur çdo veprim amerikan në arenën ndërkombëtare, duke qenë madje edhe bashkësponsorizues të nismave të ndryshme të politikës globale në organizatat ndërkombëtare. Krahas kësaj, Qeveria e Shqipërisë i ka paraprirë afrimit me Presidentin Trump duke përdorur modelin e krijimit të favoreve ekonomike për njerëzit e afërm të tij. Në fund të vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, i ka dhënë kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC së Jared Kushnerit, dhëndrit të Presidentit Donald Trump, statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.
Si përfundim, mund të thuhet se me Trumpin si një president polarizues, bota do të hyjë në një periudhë edhe më të pasigurt në aspektin e sigurisë. Sepse përpos autokratit Putin, tani do të kemi edhe një President tjetër me prirje autokrate, të cilët do të përpiqen të vendosin për të ardhmen e botës. Nga ana tjetër, edhe pse mund të duket pak kundërthënëse, por ndoshta Trumpi është ai që i duhet në këtë moment, mbase jo aq shumë Amerikës sesa botës për të shuar konfliktin e Rusisë me Ukrainën dhe konfliktet e tjera anembanë botës, nga të cilat ka pasoja i gjithë njerëzimi. Dhe pavarësisht kritikëve të politikës së tij, duhet të kemi parasysh faktin se ai ka fituar mbështetjen e shumicës së amerikanëve për t’i qeverisur në katër vitet e ardhshme.