Dita Ndërkombëtare e Krimeve të Totalitarizmit, pa respektin e merituar

Përkujtimi i datave të shënuara paraqet moment të veçantë nderimi dhe respekti qytetar e institucional në çdo vend të botës. Por, kur bëhet fjalë për data në nivel ndërkombëtar siç është 23 Gushti që paraqet Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, ka peshë të veçantë nderimi e përkujtimi ndaj viktimave të këtyre regjimeve. Por, ndonëse janë bërë tri dekada nga falimentimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rend shoqëror në vendet e ish-kampit socialist, ende ka hezitim në përkujtimin e ditës së krimeve të nazizmit dhe të komunizmit, që dëshmon mungesë respekti ndaj viktimave në vendet e tyre. Një qendrim i tillë abuzues u vërejt ditë më parë, sepse më 23 gusht si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi mungoi shënimi i kësaj Dite të Kujtesës, që dëshmon mohimin e heshtur të institucioneve qeveritare ndaj viktimave të totalitarizmit

Nail Draga

Në saje të Deklaratës së Parlamentit Evropian nga data 23 shtator 2008, Dita e 23 Gushtit në Evropë është shpallur Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me një datë simbolike, sepse më 23 gusht të vitit 1939 është nënshkruar Pakti Ribentrop-Molotov, në lidhje me mos-sulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik.
Një pakt i tillë u pasua nga një traktat për tregtinë, por duhet cekur se palët në mënyrë sekrete nënshkruan shtesa të Paktit në protokoll, që ishte të ndante Evropën Qendrore sipas interesave, sferave të influencës për palët – nga Finlanda, vendet baltike Besarabia dhe Polonia Lindore të ishin në sferën e ndikimit sovjetik, ndërsa Polonia Perëndimore të ishte nën sferën gjermane, që dëshmohet nga harta.
Se kemi pasur të bëjmë me intrigat politike të këtij pakti në mes të dy vendeve të cilat kishin aspirata pushtuese ndaj vendeve tjera, dëshmon e dhëna se një javë më pas, e pikërisht më 1 shtator 1939, gjermanët sulmuan Poloninë, duke shënuar ditën e parë të hapjës së frontit në Luftën e Dytë Botërore. Po ashtu edhe Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesën lindore të Polonisë më 17 shtator 1939, duke dëshmuar në praktikë marrëveshjen sekrete në mes të dy vendeve, me pasoja të mëdha kombëtare për popullsinë polake por edhe vendet e tjera që u pushtuan në emër të ideologjisë komuniste, që u dëshmua me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Por, në rrethana të reja shoqërore pas falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit (8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish-Kampit socialist, filloi rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e persekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Dhe është kjo koha e lirisë personale e shoqërore e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të rënda për qytetarët e atyre vendeve, ku as shqiptarët nuk bënin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.

Dita e Viktimave në Mal të Zi, ende e papërcaktuar
Në lidhje me këtë çështje Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006 ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Evropës: Nr. 1096, nga viti 1996 “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të tyre viktimave deri më tash ende nuk është përcaktuar. Nga një qëndrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Evropian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për t’u ballafaquar me të kaluarën.
Po ashtu, Parlamenti Evropian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj as sot e kësaj dite nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Ditë e Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet e tjera nga ish-Kampi socialist.

Qasje të dyfishta të pushtetit
Me këtë rast, duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën se shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut (1948), si dhe të dëmshpërblejë familjet e tyre, çështje e cila ende nuk është përmbyllur nga Qeveria.
Nga një qëndrim i tillë del qartë se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm atë të Goli Otokut, a thua se krimet e komunizmit kanë filluar nga ajo kohë, e jo më parë që nga instalimi i komunistëve në nëntor të vitit 1944. Një qasje e tillë është diskriminuese, sepse do të legalizoheshin krimet e mëhershme, kurse viktimat do të mbeteshin të paevidentuara, ndërsa ekzekutorët të pandëshkuar.
Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur përmasa të mëdha varësisht rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt deri më tash nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit (1.4.1945), por edhe të shqiptarëve të tjerë nga Ulqini në Jug e Rozhaja në Veri, duke mbetur temë e pahulumtuar për opinion e gjerë në Mal të Zi.

Krimeve nuk iu skadon afati kohor
Në deklaratën e Parlamentit Evropian të miratuar në shtator të vitit 2008, në Kujtim të Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit thuhet: “Në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtashëm, sepse për tash nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim me të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.
Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet inicuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje, duhet paraparë dëmshpërblimin për familje të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm nga koha e komunizmit.
Shqipëria, vendi më përsekutues në ish-Kampin socialist
Si askush tjetër në Evropë, shqiptarët nga Shqipëria kanë arsye ta përkujtojnë këtë ditë, sepse nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra persona me ose pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike evropiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që ua ka tejkaluar nazistëve, e gjithë kjo nga pushtetarët vendas në emër të ideologjisë komuniste. Deri më tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione: 34.135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59.009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi, 7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak, 984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me ose pa gjyq gjatë diktaturës, ndërsa nga torturat dhe dënimet e kohës 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.
Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Evropë, por akoma më i rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4.500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qëllim kishte edhe zhdukjen e gjurmëve të krimit të tyre.

Mungon Memoriali i Krimeve të Komunizmit
Ndonëse janë bërë tri dekada nga falementimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror, ndaj çështjës së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë, nderimin e sakrificës për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Inicimi dhe inaugurimi i një Memoriali Përkujtimor në Tiranë, Prishtinë e Shkup, është obligim moral dhe kombëtar në nderim të sakrificës së atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe demokracinë.
Shënimi i Ditës së Kujtesës është çështje e ndërgjegjës e obligim qytetar e qeveritar ndaj viktimave të komunizmit dhe nazizmit, siç ishin burgosjet, vrasjet, deportimet, internimet, kampet e punës, izolimet etj, me pasoja të mëdha shoqërore e kombëtare, andaj duhet përkujtuar çdo vit, por patjetër të prezantohen në tekstet shkollore si dëshmi për brezat e sotëm e për ata që do të vijnë më pas.

Të fundit

më të lexuarat