
Pikërisht në ditën e konstituimit të parlamentit të ri (27 korrik), presidenti Jakov Millatoviq, deklaroi se nga dita e hënë (31 korrik) do t’i fillojë konsultimet me partitë parlamentare për propozimin e kryetarit të Qeverisë së 44-të të Malit të Zi. Në sajë të praktikës së njohur, kandidati për kryeministër i takon subjektit politik i cili ka fituar më shumë vota, përkatësisht mandate të deputetëve, që në rastin konkret i takon Lëvizjes Evropa Tani (LET).
Konsultime me presidentin
Pikërisht duke marrë parasysh këtë pozitë, LET ka zhvilluar konsultime me partitë parlamentare, me përjashtim të DPS-it dhe URA-s, të cilat në parim kanë mbështetur parimet për formimin e qeverisë, ndërsa disa kanë pasur vërejtje, duke kërkuar që ata të shtohen për ta kompletuar strukturën qeveritare.
Në sajë të konsultimeve të realizuara me përfaqësuesit e partive parlamentare, presidenti Jakov Millatoviq ia besoi z. Millojko Spajiq, mandatin për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, i cili për formimin e kabinetit qeveritar ka afat kohor prej 90-të ditësh.
Dilemë paraqet numri i deputetëve të cilët do ta mbështesin me 41 apo 43, ndërsa më mirë do të ishte që ai numër të jetë 49 apo më tepër. Mbështetja e tillë do të varet nga kompromisi ne mes të mandatarit dhe partive politike parlamentare, të cilat do të jenë pjesë e shumicës qeverisëse.
Kujtojmë se në zgjedhjet e mbajtura me 11 qershor të këtij viti, sipas mandateve të fituara Lëvizja Evropa Tani ka fituar 24 mandate të deputetëve, Koalicioni i DPS-it 21, Për të Ardhmen e Malit të Zi 13, Koalicioni Demokratët-URA 11, PB 6, Koalicioni SNP-Demos 2, Forumi Shqiptar 2, Aleanca Shqiptare 1 dhe HGI 1 mandat.
Qeveri stabile dhe me orientim evropian
Të martën (me 15 gusht) mandatari për formimin e qeverisë Millojko Spajiq ka filluar konsultimet me partitë politike parlamentare të cilat e kanë mbështetur për kryeministër.
Në këtë grup bëjnë pjesë të gjitha partitë, me përjashtim të DPS-it dhe Lëvizjes URA. Deri më tani është biseduar në lidhje mbi parimet që duhet të ketë qeveria e re e cila sipas deklaratave, do të jetë stabile dhe me orientim evropian. Për të siguruar mbështetje më të madhe, askush nuk mund të përjashtohet, duke përfshirë edhe ish-Frontin Demokratik, të cilët së bashku kanë 13 mandate të deputetëve. Por, pjesëmarrja e tyre në qeveri nuk është pritur mirë nga partitë tjera, në veçanti të popujve pakicë, ku refuzues kategorikë janë nga partia e kroatëve (HGI). Por, në sajë të rrethanave aktuale, formimi i qeverisë së shumicës nuk duhet të ketë probleme, edhe pse do të nevojiten kompromise për të kënaqur ambiciet e konstituentëve të qeverisë.
Popujt pakicë duhet të jenë pjesë e qeverisë
Çështja e pjesëmarrjes së popujve pakicë në kuadër të Qeverisë së Malit të Zi deri më tash nuk ka qenë e definuar me asnjë akt normativ apo ligjor, por është varur nga vullneti i partisë – shtet e cila për tridhjetë vjet ka qenë DPS. Ndryshimi në këtë aspekt në skenën politike ndodhi nga viti 1998, ku pjesëtarët e popujve pakicë u bënë pjesë e qeverisë, dukuri e cila zgjati deri në vitin 2020.
Por, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30.8.2020, nga shumica e re parlamentare ndryshoi qasja ndaj partive politike të popujve pakicë, duke mos treguar bashkëpunim të sinqertë për pjesëmarrje të tyre në pushtetin ekzekutiv. Ndërsa me rastin e formimit të Qeverisë së Pakicës(28 prill 2022), kryeministër i së cilës u zgjodh Dritan Abazoviq, qasja ndaj pakicave ndryshoi, ku pjesë e saj u bënë edhe shqiptarët me dy ministra si dhe me sekretarë e drejtorë të ndryshëm në resorët qeverisës, si asnjëherë deri më tash. Ndonëse kjo qeveri humbi votëbesimin në parlament (19 gusht 2022), ajo është duke vazhduar mandatin në detyrë, deri sa të zgjidhet qeveria e re me mandatar Millojko Spajiqin. Por, deri në formimin e qeverisë së re mbetet të presim ofertën nga mandatari i qeverisë për pjesëtarët e popujve pakicë, ndërsa çështje të veçantë paraqet përfaqësimi i tyre.
Përfaqësimi dhe prezantimi
Para se të diskutohet për ofertën e mundshme nga mandatari i qeverisë, dy koalicionet e partive shqiptare, pavarësisht dallimeve mes tyre, duhet të ulen dhe të bisedojnë shtruar mes vete për pjesëmarrje në qeveri. Në mungesë të një platforme politike shqiptare në nivel lokal e shtetëror, strukturat udhëheqëse të partive politike të shqiptarëve duhet ta trajtojnë ofertën e mundshme dhe pozitat optimale. Në rend të parë duhet të jetë pozita dhe statusi i shqiptarëve, e jo funksionet për individë të ndryshëm.
Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me çështje me rëndësi të veçantë në prezantim dhe përfaqësim, sepse për ne shqiptarët mundësia e tashme duhet të shfrytëzohet me tërë kapacitetin e mundshëm. Në këtë aspekt duhet të bëhet zgjidhje me kuadro të dëshmuara në profesionin e tyre, e jo me militantë partiakë. Andaj, është koha e fundit të prezantojmë vlera dhe profesionistë të dëshmuar, sepse kemi të bëjmë me përfaqësuesit autentikë të shqiptarëve në këtë mjedis.
Por, me të drejtë bëhet pyetja se a duhet shqiptarët të jenë pjesë e qeverisë, pavarësisht se çka iu ofrohet atyre?
Partnerë në koalicion
Pikërisht me një qasje të tillë, shqiptarët duhet të insistojnë të jenë partnerë në koalicion, ndërsa përfaqësuesit e tyre duhet t’i paraqesin kërkesat e tyre në formë të shkruar, që do të jenë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Vetëm në këtë formë do të ishin seriozë ndaj elektoratit të tyre votues dhe partnerë në kuadër të koalicionit të qeverisë se re.
Orientimi qytetar, sekular e antifashist
Të gjithë përfaqësuesit e partive politike të cilët pretendojnë të jenë pjesë e qeverisë se re janë shprehur, se vendit i duhet një qeveri stabile, e cila nuk do të mbështetej vetëm nga 41deputetë, por më shumë.
Nga ana tjetër del qartë se shumica parlamentare e cila do të mbështesë mandatarin e qeverisë, duhet të jetë proevropiane, pro NATO-s dhe me orientim qytetar, sekular dhe antifashist.
Ndërsa, pjesë e saj nuk mund të jenë ato subjekte politike të cilat janë në dilemë se a është Rusia në Ukrainë agresore apo çlirimtare, ndërsa të gjykuarit në Hagë a janë kriminelë të luftës apo heronj?
Mbetet të presim se cilat subjekte politike do ta kenë një qëndrim të tillë dhe do të jenë pjesë e qeverisë së re në Mal të Zi.