Deputetët kosovarë përcollën mesazhin më të keq për Kosovën dhe qytetarët e saj

Ky kaos në Kuvendin e Kosovës, sikurse edhe në shumë kuvende të shteteve të ndryshme jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por edhe të shteteve tjera me demokraci më të brishta dhe më të zhvilluara, dëshmon se sa e fuqishme është lufta për pushtet

Gjekë Gjonaj

Kuvendi do të duhej të jetë vendi ku lulëzon demokracia, mirëpo realiteti shqiptar na demanton. Siç raportojnë mediat vendore dhe të huaja, Kuvendi i Kosovës të enjten e kaluar, më 13 gusht 20223 u përfshi në një kaos, në një përleshje masive të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) teksa po mbante fjalim kryeministri Albin Kurti. Sipas pamjeve të publikuara, shihet se Kurti është spërkatur me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku. Lushtaku u tentua të pengohet nga ministri i Financave, Hekuran Murati, por pa sukses. Për veprimin e ligjvënësit opozitar është nervozuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, për çka e gjuan me shishe Lushtakun.
Ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është një ngjarje e hidhur, skenë e shëmtuar primitive, lajm dhe mesazh i keq për këtë shtet në sytë e botës dhe për qytetarët e saj. Dy pyetje kryesore që shtrohen me këtë rast janë: A e meritojnë ata deputetë e anëtarë të ekzekutivit të cilët me dhunë ose provokime i zgjidhin mospajtimet ato pozita e ato mandate? Po qytetarët e Kosovës a e meritojnë këtë përbërje të Kuvendit?

Raportimi i gazetave më të njohura ndërkombëtare për përleshjet fizike në Kuvendin e Kosovës
Dhuna (rrahja dhe grushtet) në Kuvendin e Kosovës e komprometuan imazhin e saj edhe në sytë e mediave të huaja. Mediat më të njohura botërore atë ditë e kanë vendosur nëpër ballinat e tyre. BBC i ka kushtuar një artikull asaj që ka ndodhur të enjten e kaluar në Kuvendin e Kosovës, duke shpjeguar se rrahja me grushte ndodhi për shkak të hedhjes së ujit mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në artikullin e BBC shkruhet se “kjo ndodhi pas një debati të tensionuar tre-ditor rreth trazirave në veri të Kosovës”. “Kryeministri Kurti po i drejtohej sallës kur shpërthyen emocionet. Një fotografi e tij u gris dhe më pas filluan rrahjet”.

Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskursi dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, thuhet në reagimin e BE-së


Gazeta e njohur britanike “The Guardian”, po ashtu i ka kushtuar një artikull të tillë Kosovës, ku ka treguar për rrahjet në Kuvend, duke theksuar se incidenti ndodhi pasi kryeministri Albin Kurti ishte duke folur për masat për uljen e tensioneve me serbët etnikë në pjesën veriore të vendit.
Lajmin për këtë ngjarje e ka publikuar edhe agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press”, nga e cila është marrë teksti nga gazeta “The Guardian”. “Një përleshje shpërtheu në Kuvendin e Kosovës, pasi një ligjvënës i opozitës hodhi ujë kryeministrit Albin Kurti, përderisa ai ishte duke folur për masat qeveritare për uljen e tensioneve me serbët etnikë në veriun e vendit”- raporton agjencia e njohur amerikane dhe gazeta e famshme britanike. Përveç këtyre edhe media të tjera të njohura si Reuters e shumë të tjera kanë paraqitur edhe vizualisht atë çfarë ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

Reagimi i Bashkimit Evropian
Për dhunën në Kuvendin e Kosovës ka reaguar Bashkimi Evropian, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”. Është quajtur zhgënjyese krejt ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, ku deputetë të PDK-së janë përplasur me ata të VV-së, si dhe me disa ministra. ”Skena zhgënjyese dhune shihen sot në Kuvend. Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskursi dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, thuhet në reagimin e BE-së.

Ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është një ngjarje e hidhur, skenë e shëmtuar primitive, lajm dhe mesazh i keq për këtë shtet në sytë e botës dhe për qytetarët e saj

PDK-ja dhe VV-ja fajësojnë njëra-tjetrën
Partia e Albin Kurtit ka fajësuar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ngjarjen e cila ndodhi të enjten para mesditës në Kuvend. “Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht. Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK-së sulmuan me grushte, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës. Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë“, thuhet ndër të tjera në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga ana tjetër Partia Demokratike e Kosovës në reagimin e saj ia ka lënë fajin zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit se e nisi përleshjen. PDK-ja ka thënë se pushteti e provokoi duke ia hequr një fotografi nga foltorja ku e kishte vënë. Ka shtuar se ngjarja ka nisur me Bislimin që e ka goditur deputetin Mërgim Lushtaku, ndërsa ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën për mosreagim. “Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politikë shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot në Kuvendin e Kosovës zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata vendosën në foltore. Madje, ishte pikërisht zëvendëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, ka deklaruar PDK-ja.

Etja për pushtet nuk njeh mënyrë as mjet
Ky kaos në Kuvendin e Kosovës, sikurse edhe në shumë kuvende të shteteve të ndryshme jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por edhe të shteteve tjera me demokraci më të brishta dhe më të zhvilluara, dëshmon se sa e fuqishme është lufta për pushtet. Diku e kam lexuar se etja për pushtet është aq e fuqishme sa është fuqia e vdekjes mbi jetën dhe se njeriu që në lindje të tij ka në gjene etjen për pushtet e pasuri. Njohësit e mirë të politikës globale në librat e tyre kanë shkruar se “pushteti pa kufi e shkatërron shtetin dhe shoqërinë. Vdekja vjen krejt papritur nga një pushtet i çoroditur. Të duash pushtetin, të kesh etje për pushtet do të thotë të kesh etje për dashuri për engjëllin e vdekjes ”.
Nuk ka gjë më të dëmshme se lufta për pushtet me çdo kusht. Çka nuk është njeriu në gjendje të bëjë për pushtet!? Për shkak të etjes së tejshtuar për pushtet u shkatërruan shumë pushtete e shtete, u thërrmuan dhe u shndërruan në pluhurin e historisë shumë mbretëri e perandori. Lufta për pushtet nuk njeh as mënyrë as mjet. Një komb kur është në luftë për pushtet është në luftë me vetveten.

Të fundit

më të lexuarat