Demokracia dhe demokratura

Demokratura nënkupton diktaturën në demokraci, që manifestohet në pluralizëm, duke dëshmuar mungesën e demokracisë së brendshme, me pasoja për subjektet politike, ku përjashtim nuk bën as hapësira etnogjeografike shqiptare. Madje, përvoja e deritashme dëshmon se në skenën politike pluraliste është i pranishëm egozmi, autokracia e atavizmi duke i trajtuar subjektet politike si pronë private apo pronë e një grupi të caktuar individësh, veprim që krijon pakënaqësi, sepse janë mënanjuar individët me vlera profesionale, meritokraci e autoritet shoqëror, që ka ndikuar në dekompozimin e skenës politike dhe të kohezionit të elektoratit shqiptar, gjë që nuk është në favor të realizimit të drejtave qytetare e kombëtare sipas standardeve ndërkombëtare

Nail Draga

Për demokracinë vazhdimisht është shkruar duke e vlerësuar atë si nivelin më të lartë të të drejtave qytetare e lirive të njeriut, që ka të bëjë me shtetet demokratike, ndërsa e kundërta ka të bëjë me shtetet në ish-Kampin socialist, që për qytetarët ishte koncept i imagjinuar, sepse aty në vepër ishte diktatura e proletariatit e cila pati pasoja të rënda për qytetarët e vendeve përkatëse. Por, me falimentimin e socializmit si rënd shoqëror dhe komunizmit si idelogji, edhe në këto vende me aplikimin e pluralizmit politik, demokracia e munguar u bë realitet, me formimin e subjekteve të ndryshme politike, duke demontuar dhe demaskuar sistemin monist.

Demokracia e pakonsoliduar
Në saje të mungesës së përvojës politike, si dhe të ambicieve lideriste, egoizmit dhe interesave personale e klanëve të ndryshme, demokracia filloi të humbas vlerat e saj,duke qenë një farsë demagogjike, sepse në praktikë filloi të jetë e pranishme demokratura që nënkupton diktaturën në demokraci. Ky koncept dhe kjo qasje në rrethana të reja shoqërore, paraqet pengesën kryesore për demokracinë funksionale, sepse vazhdojmë të jetojmë në periudhën e tranzicionit, përkatësisht të demokracisë së pakonsoliduar, e cila është e pranishme jo vetëm në hapësirën etnogjeografike shqiptare, por në të gjitha vendet e ish-Kampit socialist në Evropën Juglindore, me pasoja për qytetarët e vendeve përkatëse.

Nga monizmi në pluralizëm
Përreth pesë dekada në monizëm cekej me të madhe se pushteti buron nga populli dhe i takon atij të qeverisë. Madje kanë ekzituar edhe parulla të ndryshme që më ndryshime të vogla, ato ishin identike në të gjitha vendet e ish-Kampit socialist. Por, të gjithë jemi dëshmitarë për mungesën e të drejtave dhe lirive të njëriut, për të shprehur mendimin e lirë, sepse pasojat ishin skandaloze, nga dënimi e deri të internimi si armik i popullit. Dhe një epitet i tillë ka pasur pasoja për familjarët dhe të afërmit e tyre dekada me radhë, sepse ideologjia komuniste si bazament kishte diktaturën e proletariatit. Ndërsa me rastin e dështimit të komunizmit-monizmit si teori dhe ideologji praktike me shëmbjen e Murit të Berlinit më 8 nëntor 1989, për qytetarët e vendeve të ish-Kampit socialist filloi një frymarrje e re e cila kishte munguar rreth pesë dekada. Informacionet për vujatjet e qytetarëve në ato vende në emër të ideologjisë komuniste, janë tragjike dhe të paimagjinueshme për botën normale. Fakti se vetëm gjatë periudhës së diktaturave komuniste janë eliminuar rreth 100 milionë qytetarë të popujve e shtresave të ndryshme sociale, është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar falsitetin e sistemit të tillë. Praktika e shëmtuar e “gulagëve” në ish-Bashkimin Sovjetik, u trashëgua përmes kampeve të internimit në Shqipëri, duke qenë modeli me monstrum i diskriminimit të qytetarëve në emër të ideologjisë së kohës, dhe luftërave të klasave, pasojat e të cilës janë prezente edhe në ditët tona.
Për ne shqiptarët që kemi jetuar jashtë shtetit amë-Shqipërisë, në mungesë të informacionit nuk kemi pasur të dhëna të drejtpërdrejta, andaj nuk e kemi kuptuar realitetin e periudhës së diktaturës në Shqipëri (1944-1991). Ishte kjo koha e ndryshimit të sistemit shoqëror, me bazamentin ideologjik që në praktikë ishte ndër me të egrit në Kampin socialist në Evropën Juglindore. Dhe nuk ka pasur si të ishte ndryshe, kur në emër të konceptit ideologjik u eliminuan vlerat intelektuale, shoqërore dhe ato kombëtare, në emër të luftës klasore që ishte në kundërshtim me interesin kombëtar të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore.

Demokratura dhe shqiptarët
Demokratura nënkupton diktaturën në demokraci, që manifestohet në pluralizëm, duke dëshmuar mungesën e demokracisë së brendshme, me pasoja për skenën politike. Në këtë aspekt përjashtim nuk bën as hapësira etnogjeografike shqiptare sepse në saje të mungesës së përvojës politike pluralizmi u keqkuptua, duke menduar se do të eliminoheshin mënjëherë defektet e monizmit. Ishte ky një iluzion, sepse në kuadër të partive të reja në skenën politike pluraliste u zgjodhën individë të cilët keqpërdorën pozitat e tyre udhëheqëse, duke shpalosur vlerat autokratike, me favore personale dhe klaneve të ndryshme. Një qendrim i tillë, me kalimin e kohës ndikoi në formimin e fraksioneve brenda partive, që më pas ndikoi në ndarje definitive duke formuar subjektin tjetër politik.

Egoizmi, virus i demokracisë
Një dukuri e tillë legjitimoi formimin e subjekteve të veçanta politike, duke dëshmuar dekompozimin e skenës politike, dukuri që është e pranishme kudo në vendet e ish-Kampit socialist ku përjashtim nuk bën as Mali i Zi.
Në vend që dallimet e ndryshme brenda partive të eliminoheshin duke debatuar dhe gjetur konsenzus, liderët partiakë nuk ishin të shqetësuar për përçarjet e brendshme partiake, përkundrazi ishin të gëzuar se po iu largoheshin të padëgjueshmit, përkatësisht konkurrentët brenda partisë. Madje, ka pasur raste kur konkurrentët i “këshillonin” se nëse nuk iu pelqen formoni partinë tuaj, sepse pluralizmi ofron një mundësi të tillë. Kemi të bëjmë pikërisht me individët të cilët vuajnë nga virusi i egoizmit, që me sjelljet e tyre autokratike, janë bërë të dëmshëm për subjektin politik dhe elektoratin të cilin e përfaqësojnë.

Pluralizmi brenda shqiptarëve
Nëse analizojmë këtë dukuri të shqiptaret në Mal të Zi, kjo paraqet çështje për hulumtim të veçantë, sepse kemi të bëjmë me një popullatë numerikisht të pakët dhe në hapësirë të vogël, por numër relativisht të lartë të partive politike. Nga themelimi i partisë së parë politike LDnëMZ (1990), më pas janë themeluar parti të tjera: UDSH (1993), PPD (2001), FORCA (2005), BDSH (2006), ASH (2006), PD (2011), LDSH (2016) etj., që janë shumë për një popullsi e elektorat të vogël.
Shkaku kryesor i paraqitjes së ndarjeve apo frakcioneve brendapartiake, ka qenë në mungesë të funksionimit të demokracisë së brendshme partiake, sepse udhëheqësit e tyre kanë pasur qëndrime egoiste, autokratike dhe ambicie të sëmura lideriste. Veprimi i tillë ishte nihilist, sepse nuk janë vlerësuar kuadrot e brendshme, ndërsa nga ana tjetër nuk janë përpjekur për të ofruar kuadro me integritet personal e profesional, e sidomos intelektual, por ishte e kundërta duke i injoruar e larguar ata të cilët i kanë vlerësuar si konkurrent të tyre në të ardhmën.

LD në MZ- model i veprimit autokratik
Rasti i LDnëMZ, paraqet rast për hulumtim, sepse nga Lëvizje Kombëtare që cilësohej në vitin 1990, u degradua aq shumë duke u tkurrur vazhdimisht, duke mbetur pas tridhjetë viteve në nivelin e një OJQ-je. E dhëna se kryetari i saj ishte në krye të kësaj partie për 29 vjet, mbetet rast i veçantë në pluralizëm, sepse kudo janë mbajtur zgjedhje dhe ndryshuar udhëheqësit që është në favor të subjekteve por edhe të pluralizmit politik, por këtu një dukuri e tillë ishte e panjohur. Ky qe shkak i zhgënjimit të elektoratit shqiptar. Kemi të bëjmë me rastin tipik të demokraturës e cila është e dëmshme dhe me pasoja për çdo subjekt politik dhe qytetarët në mjedisin përkatës, që nuk është në favor të demokracisë pluraliste.

Vlerësimi në prezantim e përfaqësim
Haoja e subjektit politik nuk duhet të trajtohet si çështje formale, por obligim ndaj antarësisë dhe elektoratit. Nëse në fillim të pluralizmit janë bërë gabime në saje të papërvojës politike, më pas përgjegjësia bie mbi forumet partiake, duke respektuar profesionalizmin e dëshmuar, meritokracinë dhe autoritetin shoqëror.
Në këtë aspekt çështja e kandidimit të individëve në listat zgjedhore për këshilltarë apo deputetë duhet të jetë e hapur duke mundësuar të kandidojnë edhe individë të tjerë, e jo kandiditem të jenë të rezervuara vetëm për disa persona, sipas preferencave së kryetarit të partisë. Në këtë aspekt duhet të respektohet rotacioni duke iu dhënë shans edhe të tjerëve. Vetëm në ketë formë do të respektohej parimi i vlerësimit partiak edhe për të tjerët në procesin e përfaqësimit dhe të prezantimit, sipas parimeve të demokracisë pluraliste.

Autokracia si demokratura
Përfundimisht, për të gjithë duhet të jetë e qartë se për jetëgjatësinë e subjekteve politike duhet të ekzistojë demokracia e brendshme, si rezultat i shprehjes së vullnetit në zgjedhjen e organeve partiake përmes procesit të votimit, në mes disa kandidatëve, e jo përmes aklamacionit, që paraqet demokraturën, përkatësisht autokracinë. Po ashtu duhet të percaktohet mandati i limituar (një plus një mandat), duke qenë parim demokratik.
Duhet të eliminohet koncepti autokratik, një herë kryetar – gjithmonë kryetar, duke krijuar kultin e individit, si personin e vetëm dhe të pazëvendësueshëm. Përvoja e deritashme dëshmon se një logjikë e tillë është disfatiste me pasoja në kohezionin e eletoratit të subjektit politik që është dëshmuar në zgjedhjet lokale apo qendrore.

Të fundit

më të lexuarat