Çka po ndodhë me shqiptarët në shekullin XXI

Hajrullah Hajdari

Thuhet e komentohet se shekulli XXI është (do të jetë) shekulli i shqiptarëve! Pritshmëria është joshëse dhe e madhe, është apo do të jetë shekulli ynë nuk varët nga të gjithë ne, por gjithsesi varët nga disa nga ne!?
Shqiptarët kanë kaluar nëpër etapa të ndryshme zhvillimore, janë sunduar nga të tjerët më shumë se nga vet ata. Kjo padyshim ka ndikuar shumë në ndërtimin e personalitetit, të kulturës e të vetëdijes kombëtare në përgjithësi. Megjithatë, shqiptarët sot jetojnë në një demokraci, sado e brishtë që është, e cila le hapësirë dhe mundësi për zhvillim ekonomik dhe etnokulturor të qëndrueshëm.
Shpresat e shqiptarëve se shekulli XXI do të jetë shekulli i tyre nisi me përmbysjen e sistemit komunist në fundvitet e shekullit të kaluar. Instalimi isistemit demokratik në Shqipëri ishte një sihariq i mirë edhe për të gjithë shqiptarët të mbetur jashtë kufirit të shtetit amë, sepse mendonin se demokratizimi i Shqipërisë do të ndihmonte zgjidhjen e çështjes se Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe atyre nën Malin e Zi! Ndodhi e sa ndodhi vështirë të thuhet, por një gjë është e sigurt: demokracia dhe demokratizimi në shtetin amë mbetet për të dëshiruar akoma! Aristoteli mendonte se duhet një demokraci e matur e duhet të ndalojmë (shoqëria) që një udhëheqës, apo një grup i vogël, të bëhet shumë i fuqishëm. Mbase kjo ka ndikuar në demokratizimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

  • Shqiptarët jashtë shtetit amë vazhdojnë të mbajnë mbi supet e tyre barrën serbomadhe
    Kosova pas shumë sakrificave, vuajtjeve, luftërave e gjenocidit të kryer nga Serbia mbi popullin shqiptarë u çlirua nga prangat serbo-sllave dhe krijoi shtetin e pavarur. Një ngjarje e madhe për popullin shqiptarë në përgjithësi e në veçanti për shqiptarët në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës, të cilët Kosovën e konsideronin “djep i kulturës dhe identitetit kombëtar”. Ndërkaq, shqiptarët në Maqedoni zgjodhën rrugën e ngjashme me Kosovën, duke iu kundërvu me forcën që kishin regjimit prosllav të Maqedonisë, për të arritur të marrëveshja e Ohrit që premtonte shumë. Shqiptarët e Luginës, përkundër Referendumit, të organizuar në vitin 1992, për Autonomi Politike dhe Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën sikurse edhe shqiptarët në Mal të Zi që kishin aprovuar Memorandumin për Statusin Special të Shqiptarëve në Mal të Zi, mbeten në kërkim të kërkesave të tyre për rregullimin ose së paku për përmirësimin e pozitës së tyre juridike dhe politike. Ndërkohë, numri i partive politike në krahasim me numrin e popullsisë në këto troje është abnormal, linden si thotë populli si “këpurdhat pas shiut”.
    Situata politike në Kosovë është e trazuar dhe e paqëndrueshme. Faktori politik atje është në “qorrsokak” nuk ka ndonjë strategji politike për arritjen e marrëveshjes për njohjen nga Serbia. Jetojmë në demokraci dhe çdo kush mund të krijoi rrugën e vet për arritjen e qëllimit të caktuar. Por, kur bëhëmi pjesë e parlamentit atëherë marrim edhe përgjegjësi qoftë, si pozitë apo opozitë. Është e kuptueshme që një ndër detyrat e opozitës është të kritikoj pozitën, pra qeverinë, por jo me çdo kusht dhe gjithmonë. Në rastin e Kosovës e në rastin konkret përgjegjësia e opozitës është më e madhe. Pa dashur të përcaktohem për qëndrimin që po mbanë kryetari i qeverisë së Kosovës, zoti Albin Kurti, në lidhje me çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia, mendoi se është shumë më rëndësi qëndrimi i faktorit politik në Kosovë dhe së paku unifikimi i qëndrimeve për këtë çështje jetike për Kosovën. Partitë politike në opozitë në Kosovë, shikuar nga jashtë, si duket më shumë po angazhohen për rrëzimin e qeverisë aktuale me qëllim të ardhjes së tyre në pushtet me çdo kusht ndërsa çështja me Serbinë sikur nuk u intereson aq shumë, mbase mendojnë se rruga e tyre e ndjekur për 20 vjet do të shpije diku dhe dikur, qoftë edhe me copëtimin territorial apo në një zgjidhje e cila do qoftë ajo. Kjo më ngjason si me një të verbër që mban pishtarin e dritës për t’ju treguar të tjerëve rrugën e drejtë, por ai nuk e shihte dritën as rrugën, ai shihte vehten! Por populli shqiptarë në përgjithësi e në veçanti ai i Kosovës dëshiron të shoh dritën varësisht asaj se kush e mban pishtarin. Pra dëshirojnë që kjo “barrë” e rëndë që po rëndon mbi supet e çdo shqiptari shekuj me radhë, të hiqet një herë e përgjithmonë. Të kritikohet Kurti e qeveria sa here që të duhet, por kur është puna për politiken karshi Serbisë dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, duhet veprua bashkë, duhet lënë anash hasmëritë me njëri-tjetrin, interesat partiake apo personale, duhet krijuar një strategji të përbashkët, mos t’na qeshin të tjerët. Kjo është çështje jetësore për shqiptarët kudo që janë, jo vetëm për Kosovën, sepse me zgjidhjen e kësaj çështjeje vjen edhe zhvillimi më i hovshëm zhvillimor në të gjitha sverat e jetës në Kosovë.
  • Deputetet shqiptarë në parlament, shembull si nuk duhet të na përfaqësojnë
    Ndërkaq, situata politike në Mal të Zi është e paqëndrueshme, luhatëse dhe karakterizohet me rritjen e nacionalizmit serb. Partitë politike shqiptare pjesëmarrëse në parlamentin dhe qeverinë e Malit të Zi po i bëjnë fresk qeverisë e më pak po merren me vetveten dhe popullin e tyre. Angazhimi i deputetëve shqiptarë në parlament është për të ardhur keq, më shumë zënë karrigen se marrin pjesë në shqyrtim e materialit punues, se për iniciativa as që mund të flitet. Të jesh përfaqësues i një populli në parlament është krenari, port ë jesh figurë dekorative e tij është ngecnim për popullin që e përfaqëson! E kanë për çka të diskutojnë, sepse vendet e banuara me shqiptarë në Mal të Zi jo vetëm që janë vende më pak të zhvilluara por kjo pabarazi sa vjen e thellohet. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me diskriminim ekonomiko-politik të shtetit ndaj shqiptarëve. Është mirë e njohur se çdo pushtet që bazohet në diskriminimin ekonomiko-politik nuk është efektiv dhe nuk ka të ardhme. Prandaj zgjohuni njerëz të politikës aktuale, ndërgjegjësohuni sepse keni përgjegjësi për ndjenjën vetike e përgjegjësi morale për sjelljet e veprimet përpara të tjerëve dhe shoqërisë që e përfaqësoni. Keni pse të ngreni zërin në parlament e qeveri. Komunat dhe vendet me shumicë shqiptare vuajnë nga centralizimi i fuqishëm i pushtetit (ekonomikisht e politikisht), shkatërrimit të ekonomisë, mungojnë investimet kapitale si askund tjetër. Shekuj me radhë vuajnë nga mosfunksionimi i të drejtës dhe shtetit ligjor kundrejt shqiptarëve me ndikim direkt në vetëdijen kombëtare dhe standardin jetësor të tyre. Si rrjedhojë sot e kësaj dite nuk funksionon infrastruktura ligjore në gjyqësi e administratë (s’ka vendime gjyqësore e administrative në gjuhën shqipe), përdorimi i flamurit kombëtar në institucionet shtetorore në vendbanimet shqiptare nuk funksionon, plan-programet e gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë dhe lëndëve të shkathtësisë janë më keq se sa para vitit 1990. Kjo gjendje duhet të përmirësohet aq më tepër kur dihet se shqiptarët në Mal të Zi kurrë nuk kanë qenë shovinistë, përkundrazi kanë ndihmuar arritjen e pavarësisë shtetërore dhe demokratizimit të shoqërisë malazeze. Për këtë arsye shqiptarët meritojnë mirënjohjen e shtetit të Malit të Zi. Mirënjohja më e madhe do të ishte përmirësimi i pozitës juridiko-politike dhe mundësimi i zhvillimit ekonomik së paku në përputhje në resurset natyrore që Zoti iu ka dhënë shqiptarëve.
  • “Për të qenë zotëri i dijes, duhet të jesh sllavë i punës”.
    Ka ardhur koha që politika shqiptare duhet të lëvizë nga vendi. Puna dhe dituria nuk mund të ndahen nga njëra tjetra, ata funksionojnë vetëm së bashku. “Për të qenë zotëri i dijes, duhet të jesh sllavë i punës”, kishte thënë Balzaku.
    Nuk mund ta shuajmë etjen duke menduar për ujin siç nuk mund të ngrohemi duke menduar vetëm për dru, por për të pasur ujë e për t’u ngrohur mirë duhet që qëllimi dhe puna të bëhen bashkë. A thua ne shqiptarët kemi qëllim të përbashkët, a kemi objektiva të caktuara apo strategji për jetësimin e tyre? Politika përfshinë të gjitha përpjekjet për të ndikuar vendimet e shtetit dhe realizimin e tyre. Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për arritjen e këtij parimi? Përgjigja, për momentin, i takon atyre që na përfaqësojnë por edhe qytetari duhet të ndërgjegjësohet duke kërkuar zbatim e llogaridhënies, rrugë tjetër s’ka.
    Në kushtet kur situata politike në Shqipëri është jostabile, kur Kosova, pas ati lum gjaku të derdhur nga bijtë tanë për pavarësinë e saj, gati një gjysmë shekulli po vuan hiret e Serbisë, kur marrëveshja e Ohrit nuk po realizohet sipas dinamikave të përcaktuara, kur statusi juridiko-politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi nuk po gjen zgjidhje të merituar, shtrohet pyetja e thjeshtë: Çka po ndodhë me shqiptarët? Kështu si po vepron politika shqiptare në përgjithësi a tha në këtë shekull mund të zgjidhen hallet tona politiko-ekonomike. A mund të jetë ky shekulli ynë!?

Të fundit

më të lexuarat