Autokracia e dëmshme për demokracinë

Kalimi nga monizmi në pluralizëm është ballafaquar me pengesa të ndryshme ku veçohet me mentalitetin e trashëguar te strukturat udhëheqëse partiake me qasje autokratike, që ka ndikuar me formimin e fraksioneve e më pas edhe të subjekteve tjera politike, ku në këtë aspekt as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim, dukuri e cila është e dëmshme për subjektet politike, elektoratin dhe demokracinë pluraliste

Nail Draga

Në shoqërinë bashkëkohore, në fjalorin politik përdorën terma të ndryshëm ku veçohet autokracia e cila është e pranishme në të gjitha vendet e ish-kampit socialist. Autokracia paraqet formën e qeverisjes në të cilën i gjithë pushteti qëndron te një person apo te një grup të vetëm.

Autokracia sinonim për diktaturën
Deri te autokracia arrihet kur individi shfrytëzon pozitën duke u imponuar të tjerëve sundimin e tij, përkatësisht duke i detyruar në dëgjueshmëri grupin partiak apo atë qeverisës. Edhe pse thuhet se autokracia është pushteti i një njeriu, është e logjikshme se një funksion i tillë nuk mund të realizohet vetëm pa pasur mbeshtetje nga të tjerët. Dhe janë të tjerët që kryesisht janë militantët dhe servilët duke mbështetur autokratin, sepse përmes tij realizojnë objektivat, përkatësisht interesat e tyre. Në praktikë është dëshmuar se kur pushteti kalon në formë absolute te një individ duke pasur pushtet të pakufizuar, atëherë kemi të bëjmë me diktaturën e cila ka qenë e njohur në vendet e ish-kampit socialist. Në këtë aspekt shqiptarët e kanë përjetuar në mënyrë praktike, ku dallohet ajo në Shqipëri, duke qenë vendi me i veçantë në vendet e ish-kampit socialist me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare deri në ditët tona.

Mentaliteti i trashëguar
Duket paradoksale por edhe në pluralizëm në disa aspekte vazhdon mentaliteti i trashëguar nga monizmi. Fjala është për pikëpamjet dhe mendimet e ndryshme të prezantuara në lidhje me subjektet politike apo individet në strukturat e tyre udhëheqëse. Në raste të tilla madje edhe kritika më konstruktive dhe e argumentuar nga individet e ndryshëm është e papranueshme për liderët apo pjesëtarët e stafeve të tyre drejtuese. Madje qasjet e tilla cilësohen të rrezikshme sepse nuk janë në favor të vizionit të tyre, ku nga një qëndrim i tillë janë paraqitur fërkime të brendshme të subjektet politike. Dhe nga një mosdurim i tillë të gjithë jemi dëshmitarë të krijimit të fraksioneve politike të cilat më pas kanë çuar në formimin e subjekteve të reja politike. Pavarësisht së një numër i subjekteve të tilla janë minore dhe pa ndonjë ndikim në jetën politike, ata janë bërë pjesë e mozaikut të përgjithshëm politik në mjediset përkatëse.

Autokratët pengesë e ndryshimeve
Një veprim i tillë nuk ka dilemë se krijon huti të elektorati duke e dobësuar atë, por edhe zvogëlon potencialin politik të subjekteve më të mëdha. Nga ana tjetër, veprimi i tillë i legjitimitetit të këtyre subjekteve minore i mundëson gjithnjë veprimin autokratik të individëve udhëheqës. Kështu me largimin e individëve të tillë, të cilët quheshin si të padëgjueshëm, i hapnin mundësi liderit partiak të vepronte në mënyrë autokatike pa shqetësime. Nëse një veprim i tillë është shpëtimtar për liderin e tillë duke mbetur aty ku ishte më parë, ai është i dëmshëm për qytetarët, proceset demokratike dhe elektoratin në veçanti.
Rënia e mbeshtetjes politike nga qytetarët duhet të jetë dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar se liderët e tillë autokratë janë shkaktarët kryesor të humbjes së subjekteve politike ku ata drejtojnë, ku rasti i LDnëMZ është shëmbull tipik i dështimit politik te shqiptarët në Mal të Zi.
Fatkeqësisht ky formulim vazhdon gjithnjë të jetë prezent për liderët autokratikë, që janë bërë pëngesë reale e ndryshimeve pozitive në skenën politike pothuaj në tërë hapësirën etno-gjeografike shqiptare.

Klasa e re politike
Me vendosjen e pluralizmit në Mal të Zi nga viti 1990, u mundësua që në skenën politike të paraqitën individë të rinj të cilët filluan të jenë sinonim i klasës së re politike. Por, në mungesë të përvojës politike dhe joshja në pozitat qeverisëse dhe qëndrimi autokratik në subjektet politike, ndikoi në formimin e fraksioneve dhe formimin e partive të reja politike. Shqiptarët në Mal të Zi, ndonëse janë numerikisht të paktë, përnga numri i partive politike veçohen në rajon, që nuk është në favor të shqiptarëve në këtë mjedis. Mosarritja e koalicionit të përbashkët me një listë zgjedhore në zgjedhjet parlamentare, jo vetëm në zgjedhjet e fundit parlamentare është dëshmi e animozitetit dhe interesit personal e jo të elektoratit shqiptar.

Mandati i kufizuar
Angazhimi në politikë me mandat të kufizuar paraqet hapin e parë të demokracisë pluraliste duke iu mundësuar edhe të tjerëve të jenë pjesë e politikës vendore apo qendrore, dukuri e cila duhet të praktikohet edhe në vendet e ish-kampit socialist e jo duke mbetur peng i mentalitetit autokrat që është i pranishëm edhe te shqiptarët me pasoja shoqërore. Pikërisht nga një qasje e tillë, udhëheqja e partive politike me individë të njëjtë apo grupe individësh rreth tyre dekada me radhë, dëshmon privatizimin e tyre dhe pengesë për ndryshime në avancimin e çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë qytetare e nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi.

Frikë nga konkurrenca
Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë se angazhimi i individëve të përgatitur profesionalisht, të guximshëm dhe me autoritet shoqëror, ka qenë refuzues nga udhëheqësit e partive politike, sepse i janë frikuar konkurrencës dhe autoritetit të tyre.
Në këtë aspekt, pengesë vazhdojnë të mbesin udhëheqesit partiakë autokratë, të cilët nga individë të tillë shohin rrezikun e tyre, andaj angazhohen që pranë vetes të kenë të dëgjueshmit si me të përshtatshëm, duke eliminuar vlerat profesionale e meritokracinë, dukuri e njohur në spektrin e gjerë politik.

Askush nuk është i përhershëm
Përfundimisht politikën, përkatësisht angazhimin politik duhet trajtuar si dukuri të përkohshme me mandat të kufizuar, sepse në bazë të zgjedhjeve ndryshojnë raportet në skenën politike e me të edhe në qeverisje, ku çdo individ i përgjegjshëm duhet të reflektojë se askush nuk mund të jetë i përhershëm, andaj duhet t’i rikthehet e përkushtohet profesionit si kudo në vendet demokratike evropiane. Ndërsa e kundërta ndodh me vendet me demokraci të pakonsoliduar, që nuk është në favor të demokracisë pluraliste.

Të fundit

më të lexuarat